FORUMI I ANALISTËVE TË “ALBANIAN FREE PRESS”: RAMA APO BASHA? KUSH DOLI I FITUAR NGA MARRËVESHJA

FORUMI I ANALISTËVE TË “ALBANIAN FREE PRESS”: RAMA APO BASHA? KUSH DOLI I FITUAR NGA MARRËVESHJA
Opinionistët e gazetës “Albanian Free Press”, Alfred Peza, Frrok Çupi, Sonila Meço, Eduard Zaloshnja, Roland Qafoku, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Edison Ypi, i përgjigjen pyetjes që është bërë objekt debati politik dhe qytetar, se kush doli më i fituar nga marrëveshja e 18 majit, Rama, apo Basha

Nga Departamenti i OP-ED të “Albanian Free Press”

Kryetari i mazhorancës së majtë Edi Rama dhe kreu i opozitës shqiptare, Lulzim Basha, arritën më 18 maj një marrëveshje e cila i dha fund krizës së tejzgjatur dhe i hapi rrugën zhvillimit normal të zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Gazeta “Albanian Free Press” organizon sot këtë forum me analistët e saj, duke shtruar pyetjen: “Kush doli më i fituar nga marrëveshja e 18 majit, Rama apo Basha dhe pse?”

Në këtë forum të sotëm flasin për gazetën “Albanian Free Press”, opinionistët Alfred Peza, Frrok Çupi, Sonila Meço, Eduard Zaloshnja, Roland Qafoku, Plator Nesturi, Apollon Baçe dhe Edison Ypi.

ALFRED PEZA

“Basha, aspirant real për të qenë një ditë kryeministër”

Alfred Peza mendon se “i fituari më i madh në planin personal, sigurisht është Lulzim Basha”, duke shpjeguar se Basha “u ngrit për herë të parë qyshkur se është zgjedhur, në lartësinë e të qenit edhe kryetar "de facto" i opozitës kryesore në Shqipëri, duke rritur aksionet e tij si brenda partisë së vet, ashtu edhe në një plan më të gjerë politiko-elektoral”. Për z.Peza, ky akt e bën Bashën, “aspirant real,- nëse vijon në këtë rrugë,- për të qenë një ditë kryeministër i ardhshëm i Shqipërisë”.

FRROK ÇUPI

“Atë çfarë humbi njëri e fituan të dy”

Frrok Çupi ndalet te një këndvështrim tjetër i situatës. Ai thotë se “mesa duket një gjë e kanë humbur dhe fituar të dy palët: LSI-në” dhe e çon më tej idenë e tij: “Ka mijëra zëra që thonë 'kur do të na hiqet qafe!"”. Për Çupin, “me sa duket kujdesi i aleatëve është që krijesa LSI të mos bëjë më 'king Maker', por ama e kanë humbur dhe kanë fituar të dy palët”. Analisti i mirënjohur paralajmëron se mund të ndodhë që të humbin të dy palët nëse LSI rikthehet në qeveri.

SONILA MEÇO

“Marrëveshja, pasqyrë e një shteti të rënë totalisht”

Për opinionisten e mirënjohur, Sonila Meço, “marrëveshja justifikoi mjetet, por jo qëllimin”. Ajo vlerëson se “kjo marrëveshje, është pasqyrë e një shteti të rënë, totalisht, në çdo sektor jetik”. E në këtë pikë, Meço beson se “nuk ka kuptim të diskutojmë kush fitoi e kush humbi”, pasi “është arritur marrëveshje mbi gërmadhat e një republike që na ka zënë për poshtë, ku qytetari ende ndjen se është zari i lojës politike”. Sonila Meço është e bindur se “marrëveshjen e vërtetë dhe fituesin e saj e kanë në dorë vetëm shqiptarët, për të zhbërë një herë e mirë një sistem që riciklon vetveten me lehtësinë e papërballueshme të rotacionit”.

EDUARD ZALOSHNJA

“Marrëveshja nuk ishte një akt dorëzimi i Ramës”

Eduard Zaloshnja pohon faktin se “kur nënshkruhet një marrëveshje, secili nga nënshkruesit përfiton prej saj”. Zaloshnja thotë se marrëveshja nuk ishte një akt dorëzimi i Ramës. Kurse më tej analizon se çfarë fituan konkretisht, Rama dhe Basha. Për të dytin, Zaloshnja çmon se “Basha i krijoi shansin partisë së tij të ketë të njëjtat opsione si PS-ja (mund të synojë 71 mandate ose që të krijojë koalicion paszgjedhor qeverisës, të vogël apo të madh)”. Kurse shpjegon edhe pse “Basha arriti që ta rrisë profilin e tij si udhëheqës i PD-së”.

ROLAND QAFOKU

“Basha nuk ka më alibi nëse humbet zgjedhjet”

Roland Qafoku beson se nga marrëveshja, “së pari, fituan të dy, por më shumë fitoi gjithë Shqipëria që prej 90 ditësh ishte e tensionuar”. Ai pohon se “nëse nuk do ishte arritur kjo marrëveshje, mundësia e trazirave shtohej dhe me zgjedhje pa opozitën, Shqipëria do ishte nën tension”. Qafoku rendit çfarë fitoi kreu i PD Lulzim Basha, i cili

mbi të gjitha fitoi edhe ndaj kritikëve të vet në PD”. Duke u ndalur te Rama, z.Qafoku thotë se ai fitoi “për faktin se Basha nuk ka më alibi nëse humbet zgjedhjet”.

PLATOR NESTURI

“Në planin afatgjatë është Rama ai që imponon lojën”

Plator Nesturi mendon se në planin afatgjatë është Rama ai që imponon lojën. Kurse parashikon se “një qeveri njëmujorëshe me teknikë të PD, vështirë se mund të ndikojë në zgjedhjet e 25 qershorit”. “Ndaj, - thotë Nesturi, - për Ramën nuk është ndonjë humbje e dhimbshme lëshimi i disa posteve kur ai e ka të qartë se opozita ishte e papërgatitur për një fushatë të shpejtë dhe sipas gjasave PS në zgjedhjet e 25 qershorit do të jetë sërish forcë e parë”.

APOLLON BAÇE

“Një sëmundje që nga akute kaloi sërish në kronike”

Apollon Baçe vlerëson se humbësit realë janë minorenet: “Djathtas vetëm partitë dhe jo “liderët”, të cilët PD i rimori në sqetull, dhe majtas partitë bashkë me liderët (përjashtuar Gjinushin e shkathët që ja shiti partinë simbolit të antifashizmit, intelektualitetit dhe pastërtisë morale Tom Doshi)”. Baçe është pesimist për të ardhmen kur thotë se “me kryetarë partish që vazhdojnë të caktojnë deputetët si sulltani oborrin”, ka “një sëmundje që nga akute kaloi sërish në kronike”.

EDISON YPI

“Fitoi shumica dhe bashkë me të, fituan të gjithë”

Edison Ypi thotë se “Basha dhe Rama nuk janë humbës, as fitimtarë, janë autorë: dhe shton se “humbën ose fituan ata që nga marrëveshja do vuajnë ose gëzojnë”. Për Ypin, humbën ndër të tjerë, “të papërgjegjshmit për fatet e vetes dhe të shoqërisë”. Kurse fituan ndër të tjerë, “ata që e dinë se Politika nuk është zeje por shkencë e vështirë që mësohet në universitete, akademira, dhe përsoset duke e ushtruar”. Ypi mendon se “fitoi shumica” dhe se “bashkë me shumicën, fituan të gjithë”.

Për të lexuar analizat e plota të tetë opinionistëve që shkruajnë ekskluzivisht për “Albanian Free Press” klikoni këtu.

Për versionin anglisht klikoni këtu. English version click here.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: