Gëzim Kruja: Rolet prejt të cilave më quanin "Gëzime"

Gëzim Kruja:  Rolet prejt të cilave më quanin "Gëzime"
 

INTERVISTA/ Flet aktori i njohur i botës së humorit: “A ka pasuri më të madhe se respekti dhe mirënjohja e njerëzve ndaj artistëve? Kjo na bën të ndihemi të lumtur”.

 

“Pasuria më e madhe për mua janë spektatorët. Prej buzëqeshjeve dhe duartrokitjeve të tyre, rinohet Gëzim Kruja”. Kështu pohon gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, humoristi i njohur Gëzim Kruja. Duke shtuar se “

gjithsesi, sado artist i madh të jesh, kur jeton në një shtet të vogël, mbetesh i vogël”. Por edhe dhe duke kujtuar me nostalgji dhe respekt aktorët e vjetër të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, Tano Banushi, Hasan Smaja, Bib Pepa, Jolanda Shala dhe Paulin Preka, teksa ngjitej për herë të parë në skenën e tij.

“Jo në pak raste, ndjehesha i emocionuar, si filiz arti tek  përballesha me këta aktorë brilantë”, citon ai…

 

***

 

Intervistoi për “Albanian Free

  Press”: Fadil Shehu, SHBA

 

Në  vitet e shkollës, kur ende ishit vetëm trembëdhjetë vjeç, së bashku me një grup shokësh, improvizonit skena të çastit në oborrin e shtëpisë, ku për të ndjekur shfaqjet tuaja nuk mungonin spektatorët. Cili motiv ju shtyu të dashuroheshit pas artit?

Eshtë e vërtetë se ishte magjia e artit, ajo e cila më rrëmbeu në këtë moshë, ku për çdo pasdite nisëm të jepnim shfaqje për fëmijët e lagjes, mes tyre dhe të rrriturit. Më tepër, ky ritual shfaqej gjatë sezonit veror. Një ditë vjen tek ne një burrë nga komiteti dhe na pyet se cili është Gëzimi Kruja. I them: Unë jam.Ndërkohë, ai drejtohet nga mua dhe më thotë: “Me këto shfaqje që zhvilloni ju, duhet të paguani taksë”. Por ne nuk na paguante askush për shfaqjen. Kjo bëri që suksesi, i cili rritej nga shfaqja në shfaqje, të ndërpritej me urdhër nga “lart”.

 

Sa i vështirë ishte për ju, që posa nisët të admiroheshit nga publiku, çdo numër estrade apo çdo rol i juaji kontrollohej nga njerëz të partisë?

Mendoj se mosha fare e re 21-vjeçare e bënte disi të vështirë angazhimin tim në estradën profesioniste të Shkodrës. Falë pasionit dhe talentit, të cilat bënë që jo vetëm të ngjitesha në skenë, por në disa raste të kisha partnerë aktorë të famshëm të njohur në Shkodër dhe në të gjithë vendin.

 

Si e kujtoni sot ngjitjen për herë të parë në skenën e strehëzës të teatrit “Migjeni”, përkrah “zotërve”të “shtëpisë?

Jo në pak raste, ndjehesha i emocionuar, si filiz arti të përballesha me aktorët brilantë Tano Banushi, Hasan Smaja, Bib Pepa, Jolanda Shala dhe Paulin Preka.

 

Cili ju zbuloi dhe mbështeti talentin tuaj si aktor?

Ndonëse në fillim rolet e mi ishin të vegjël, mundohesha t’u jepja jetë sipas stilit tim.Tek-tuk përballesha me shenjë xhelozie të ndonjë aktori, ku unë mos të luaja role me peshë. Punësimi im në fabrikën e duhan-cigareve, në profesionin mekanik, më ofroi mjaft hapësirë si aktor dhe ekuilibrist, apo klloun cirku.Në festivalin e estradave amatore, shfaqjen e trupës sonë e ndoqi dhe regjisori i teatrit “Migjeni” Paulin Sekuj, me të cilin u takova pas pak ditësh. Më kërkoi të isha pjesë e premierës së re, që trupa e estradës profesioniste e Shkodrës po përgatitej për ta shfaqur përpara publikut të zjarrtë shkodran. Një ditë, ai mblodhi të gjithë aktorët dhe u tha një shprehje që kurrë nuk kam për ta harruar: “Nga ky çast nuk do të bëj asnjë shfaqje pa Gëzimin, sepse dhe fotografi me dalë në skenë, spektatori e duartroket atë”.

 

Si është e mundur që mjaft prej artistëve në skenën shkodrane, vinin siç quhej dikur nga“klasa punëtore”,disa prej të cilëvë“graduar”me tituj prestigjiozë?

Eshtë një nga traditat e vyera në Shkodër që komuniteti shkodran e ka pasur të nevojshme si oksigjenin, artin, humorin e këndshëm. Ndoshta është kjo traditë e bukur në breza, e cila ka bërë që artistët shkodranë, të dalë dhe nga klasa punëtore, të vlerësohen me mjaft tituj e medalje të arta, deri në vlerësimin “Nder i Kombit”.

 

Përse trupa e estradës të Fabrikës së Duhan-Cigareve dallohej si ndër më të suksesshmet në Shkodër dhe festivalet kombëtare të klasës punëtore?

Pata fatin e mirë, që në këtë fabrikë, shumë shpejt u krijua bërthama e shëndetshme me aktorë dhe këngëtarë, të cilët shpesh ua kalonin artistëve profesionistë, ku do veçoja aktorët simbol Muharrem Nurja dhe Xhoso Vasia. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, kur në çdo eveniment artistik do të kishe pranë Myzafer Dracinin, Zef Dedën, Ndoc Cikliqin, Bujar Ademovin, Andon Krosajn, Besnik Çinarin. Pa harruar kurrsesi këngëtarët dhe instrumentistët Bujar Qamili, Fatmira Puka, Qemal Kapushi, Karlo Radoja, Bashkim Alibali.

 

A e menduat se pas ushtrisë, problemet për artin do t’i përkisnin tashmë së kaluarës?

Pikërisht në këtë periudhë iu riktheva shfaqjeve, në klubin e rinisë. Me një libret të shkruar dhe vënë në skenë nga unë, ku si partnerë kisha dy vëllezërit e mi, Shemsinë dhe Zyhdinë e Gjyljana Marashi. Ishte një shfaqje, e cila për tre netë rresht kishte sukses dhe publiku e mirëpriti atë. Por ndodhi çudia pas këtyre shfaqjeve. Ndërsa prisja ta vazhdoja dhe disa netë atë,  më njoftojnë për ta anulluar. Pyes menjëherë drejtorin e këtij institucioni, Nard Bushati, për çfarë arsye u anullua kjo shfaqje, por as ai nuk dinte gjë. Kur pas dy ditësh, një inspektor i komitetit të partisë në Shkodër, më thotë se “shfaqja u ndërpre me urdhër nga lart, pasi nuk lejohet që tre vëllezër të jenë pjesë e një shfaqje, sepse nuk jemi privat këtu”.

 

Sërish kthimi në skenën tuaj të dashur “Migjeni”. Çfarë gjetët në këtë folezë arti, ku përkrah suksesit jeni përballur me zhgënjime?

Një gjë është tepër e sigurt. Pothuajse në çdo shfaqje në skenën magjike të teatrit “Migjeni”, kam patur privilegjin të bashkëpunoj dhe të luaj me të gjithë aktorët e artit shkodran. Ndërkohë më shumë në skenë dhe në turne të ndryshme në Zvicër, Gjermani, Itali, Amerikë, Kanada, partnerët e mi të përhershëm mbeten Muhamet Cekini dhe Zyliha Miloti, ”Mjeshtre e madhe”.

 

Keni përfunduar studimet për Gjuhë-Letërsi. Sa ka ndikuar kjo në forminin tuaj si artist?

Padyshim që studimet për Gjuhë-Letërsi, kanë ndikuar mjaft në ecurinë e karrierës sime si artist, duke mos harruar kurrsesi pasionin si krijues skenaresh dhe libra humoristikë.

 

Si ka ndodhur që qysh në hershmëri gjyshi, babai, ju, djali, madje dhe tani mbesa juaj Eneida, të jeni dashuruar përjetësisht me magjinë që të fal arti?

Ndjehem i lumtur që linda për t’u bërë artist dhe do të vdes si i tillë. Humori është me të lënë dhe jo me të blerë. Batutat humoristike i përmendnin shpesh gjyshi im, i njohur në Shkodër si bejtexhi. Babai im ka qenë humorist në dasma dhe ambiente shoqërore, pasi në atë kohë, ende nuk njiheshin estradat. Kjo traditë e bukur brezash vazhdon dhe sot me mua, djalin tim Clirimin, aktor shumë i talentuar dhe vajzën e djalit tjetër, Gazmendit, Eneida, e cila sot është 13 vjeçe. Ajo ka spikatur me talentin e saj qysh në moshën 5-vjeçare, duke marrë pjesë në spektakle dhe recitalet e mia, deri në 75-vjetorin e ditëlindjes time dhe “Sofra Shkodrane” disa muaj me parë.

 

Ju keni interpretuar rolin e klounit, ekuilibristin mbi tel dhe presigjiatorin. Në një nga shfaqjet e cirkut, në interpretim si ekuilibrist mbi tel, gjatë ekzekutimit të rolit ju rrëzoheni në skenë, por spektatori e pandehu si pjesë e interpretimit tuaj. Si e përjetuat këtë moment?

Në një nga netët e shfaqjeve të cirkut, ku unë interpretoja numrin e ekuilibristit mbi tel, i veshur si klloun, të cilin e konsideroj ndër rolet më të bukur të karrierës sime, dikush kishte lyer telin me graso dhe unë sapo hipa mbi të pas disa sekondash, rrëshqas dhe humb ekuilibrin. Publiku e duartrokiti këtë moment rrëzimi, duke kujtuar se kjo ishte pjesë e interpretimit. Nuk pësova diçka me pasoja, por kur shkova në shtëpi i nervozuar, u tregoj se çfarë më kishte ndodhur, axha më thotë: “Mos u nxeh Gëzim, sepse arti ka edhe ndodhira të tilla të padëshiruara”.

 

Cila është gjëja më e rëndësishme që ju keni arritur gjatë karrierës suaj në artin e humorit shkodran?

Mendoj se gjëja më e rëndësishme në karrierën time artistike, është pjesëmarrja ime gjatë 57 viteve të vazhdimit tim si aktor dhe skenarist. Gjithçka kam arritur i falem zotit, forcës dhe pasionit tim. Jam kundër disa aktorëve që vend e pa vend, përdorin banalitete, gjë e cila e bën publikun të boshatisë sallën. Do ta përcaktoja si fatkeqësi qëndrimin e disa aktorëve me orë të tëra nëpër kafene, madje nuk harrojnë të klasifikojnë dhe kolegë të tyre, duke u shprehur “ky bën, ky nuk bën”, ndërkohë që vetë ngjiten një herë në vit në skenë, sa për të kollitur dhe bërtitur.

 

Keni dhënë me qindra shfaqje në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Zvicër, Gjermani, Francë, Itali, Amerikë dhe Kanada. Arti juaj është mirëpritur, duke marrë jo vetëm duartrokitje, por madje dhe përgëzime, pas shfaqjes apo nëpërmjet SMs-ve.Ç’do të thotë kur ju vlerësojnë në këtë mënyrë?

Këto momente padyshim na lumturojnë. Midis shumë episodeve, doja të tregoja dy ngjarje në dy aeroporte ndërkombëtare. Kur ndodhesha në Toronto, Kanada, i ftuar me kolegen dhe partneren time Rajmonda Marku, po ktheheshim për në Shqipëri. Sa hyjmë në aeroport, në aparatet e kontrollit, më afrohet një femër police dhe pasi më kontrolloi, tha: “U Gëzim Kruja këtu?!”. Na tha se ishte nga Tirana dhe punonte aty police. Pas pak, të dy bëmë fotografi. I njëjti imazh befasues na ndodhi dhe pas disa muajve në aeroportin e Mynihut në Gjermani. Mesa duket, çuditërisht unë dhe aktorja Rajmonda Marku, kishim tërhequr vëmëndjen e policit. Më thanë të drejtën, u frikësova se ndoshta do na bërtiste siç veprojnë policët tek ne, por kur ai nisi të fliste shqip, na shkriu gjaku. Duke buzëqeshur më thotë: “Të kemi artist të madh në Shqipëri”. Na kërkoi pasaportat mua dhe Mondës e pasi i kishte vulosur na i dha sërish duke na kaluar pa radhë. Rrugës i them Mondës: “A ka pasuri më të madhe se respekti dhe mirënjohja e njerëzve ndaj artistëve? Kjo na bën të ndihemi të lumtur”.

 

Keni qenë në koncerte e festivale të ndryshme të shqiptarëve në Amerikë. Pas një koncerti, ju merrni përgëzime dhe urime nga mjaft shqiptarë, mes të cilëve nuk mungojnë artdashës amerikanë. Çfarë përjetuat në ato çaste?

Kudo ku kam shkuar për të dhënë shfaqje në Shqipëri, Europë dhe diasporë, kam marrë me vete duartrokitje dhe fjalë zemre nga publiku. Do të veçoja vetëm një rast që ende e kam të freskët në kujtesë nga një koncert i imi recital në Brunklin, Nju Jork. Interpretimet tona u mirëpritën dhe pas koncertit, disa amerikanë nisën të më pyesnin nëse kam menaxher, doktor personal apo bodygard, por duke qeshur u thoshja se kam vetëm një biçikletë personale. Pasuria më e madhe për mua janë spektatorët. Prej buzëqeshjeve dhe duartrokitjeve të tyre, rinohet Gëzim Kruja. Gjithësesi do të thoshja se sado artist i madh të jesh, kur jeton në një shtet të vogël, mbetesh i vogël.

 

Krahas trupës së teatrit “Migjeni”në vitin 1997, ju krijuat trupën artistike me “hoje”mjalti të humorit shkodran. Si u ndjetë me krijimin e kësaj trupe të titulluar “Na bashkoi Gëzim Kruja”?

Kjo trupë u krijua jo për rivalitet me trupën e Teatrit “Migjeni”, por për të mbajtur ndezur vatrën e artit në qytetin tonë. Kurrsesi nuk do të nënvlerësoja kolegët, partnerët e kësaj trupe ku unë dhashë shpirtin tim për mëse gjysëm shekulli. Me praninë e aktorëve Muhamet Cekini, Bujar Ademovi, Anton Krosaj, Çlirim Kruja, Eneida Kruja, si qershizë mbi tortë do të ishin Zef Deda, Zyliha Miloti, Drande Xhaji, Rajmonda Marku, Sandër Ruci dhe talenti absolut i këngëtarëve Bujar Qamili, Adnan Bale, Fatmira Puka, ku suksesi i trupës tonë jo vetëm në Shqipëri do të ishte  i padiskutueshëm.

 

Ç’do të thotë të jesh aktor i një mijë personazheve, tipave dhe karaktereve, pjesë e pandarë e dy mijë shfaqjeve, të jesh regjisor i 70 premierave në skenë, krijues i 3 librave humoristikë, të shkruash 300 skeçe, dialogje dhe pantonima, krijues i 12 komedive. Një kurrikulum ky i rrallë në botë. Si ndjeheni përballë kësaj parade gjigande arti?

Eshtë një krenari dhe njëkohësisht përgjegjësi e madhe kjo rrugë që kam përshkuar deri tani. Ka patur sukses, por deri diku dhe ambicje nga dikush, por nejse, pak rëndësi ka kjo e dyta. Në rrugëtimin tim si artist, kam dashur që kudo, si në skenë dhe krijimtari, të ofroj zemrën time, të jap shpirtin tim dhe gjithçka e bërë në këto 57 vite të jetës time artistike, ua dedikoj qytetarëve të mrekullueshëm shkodranë, artdashësve që na kanë duartrokitur dhe brohoritur kudo në Shqipëri dhe vende të tjera. Ndonëse këtë pranverë mbusha 75 vjeç, sërish nuk do të rresht së interpretuari dhe shkruari.

 

Në këtë pranverë, “Sofra shkodrane”u ndoq me interesim nga publiku. Ç’do të thoshit për këtë spektakël të veçantë, të bukur i cili është kthyer në një festë tradicionale për shkodranët.

Të jesh pjesë e kësaj tradite kulturore do të thotë se do përjetosh çaste të bukura dhe mbresëlënëse, por të jesh pjesë e kësaj“kuzhine” për t’u ofruar çdo spektatori pjatancën që e kënaq, e lumturon, padyshim që është një privilegj. Si për çdo pranverë, edhe sivjet “Sofra Shkodrane” u organizua  si përherë nga Xhelal Halili, ku miku dhe kolegu im Zef Deda dhe unë, ishim regjisorë të saj. Më e veçanta dhe më e bukura, qëndron në faktin se në këtë spektakël gazmor, u bënë pjesë humoristë legjendë të estradave profesioniste të Vlorës, Fierit, Tiranës, duke mos harruar të ardhurit nga Italia dhe Greqia, ku do të veçoja aktoren fierake, Elida Sopoti, e cila prej vitesh jeton në Athinë.

 

Ju jeni“graduar” me titujt e lartë “Artist i Merituar”, “Qytetar Nderi” i qytetit të Shkodrës,“Naim Frashëri” i artë dhe “Mjeshtër i Madh”. Si i vlerësoni ato?

Padyshim që një fjalë e mirë të lumturon. Kudo gjatë karrierës sime jam vlerësuar me shumë çmime të ndryshme. Midis tyre doja të veçoja “Mjeshtër i Madh”, “Qytetar Nderi” i qytetit të Shkodrës dheNaim Frashëri” i artë, të cilat jo vetëm më sjellin kënaqësi, por madje kanë ndikuar në rritjen e përgjegjësisë për të kryer obligimin tim ndaj spektatorit, ndaj të cilit në çdo moment i mbetemi mirënjohës.

 

 

 

 

 

 

RISIA

 

“Në ushtri luaja

 role femrash”

 

Pasioni im për artin nisi të ishte më bindshëm gjatë periudhës kur isha ushtar. Aty krijova trupën e estradës, e cila do përfaqësohej në një festival midis  brigadave, pasi kisha për-zgjedhur grupin, përfunduar libretin dhe kisha shkruar disa skeçe. Në cilësinë e regjisorit i them komandatit se në disa role duhet të jenë aktore femra. I habitur më thotë: “ çfarë thua budalla, të fus femra në repart ushtarak, më prish ushtrinë, ti vishu dhe interpreto vetë si femër”. Pas shumë peripecive, m’u desh që rolet femra në disa skeçe t’i luaja unë. Nga Gëzim, në skenë të isha Gëzime. Tani jo vetëm në ushtri dhe polici shohim femra, por madje dhe ministrja e Mbrojtjes është femër”.

 

 

 

“Siç kam dashuruar artin,

 kam dashur edhe femrat”

 

“Unë i kam dashuruar gjithmonë femrat, por vetëm në skenë e jo jashtë saj. Në skenë unë i kam ndërruar partneret si deputetët të dashurat e tyre, apo si mbreti gratë. Nëse doja t’i përmendja emrat e aktoreve, partnereve të mia në skenë, më duhet t’i shkruaj në një fletë të madhe. Një karambol më është dashur të përjetoja në recitalin tim në vitin 2004, në Pallatin e Kongreseve, ku gjatë interpretimit të rolit, i them spektatorit se Rajmonda Marku është gruaja ime. Në moment, salla u pushtua nga duartrokitjet dhe brohoritjet. Në çast shprehem se “kjo është gruaja e skenës, origjinalja po më shikon mua, ndodhet këtu në rreshtin e pare”. Do të doja të tregoja dy batuta, të cilat i kam shkruar e i kam interpretuar: “Dëgjoni mirë çfarë ju thotë Gëzim Kruja, mos u merrni me gratë e huaja, sepse ju del boll e juaja” dhe batuta e dytë është: “Gruaja është si çanta e shpinës, sa e ke me vete ha në të. Po e lëshove nga shpina, ta hanë të tjerët”.

 

 

 

“Koncertet recitale janë

kurorë e artë në krijimtari”

 

“Eshtë e vërtetë që për çdo aktor dhe këngëtar, koncertet recitale mbeten si kurorë e artë në krijimtarinë e tij. Ndjehem mirë që këto maja tashmë i kam prekur dhe shijuar. 13 koncertet e mia recitale, 3 prej të cilave në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, përbëjnë madhështinë e rrugës që kam përshkuar si artist. Por kjo nuk do të thotë se kam bërë shumë, njëkohësisht dhe pak. Doja që sërish, me rolet e rinj që kam interpretuar, të bëj sërish një koncert recital në Tiranë, por kjo mundësohet me praninë dhe mbështetjen e ministres së Kulturës, si sponsore gjenerale e kësaj dasme të madhe, ku padyshim nuk do mungojnë dasmorë të ardhur nga Fieri, Vlora, Tirana, Durrësi, Gjirokastra, nga e gjithë Shqipëria”.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: