GJAKDERDHJE PRANVERORE - Nga EDISON YPI

GJAKDERDHJE PRANVERORE - Nga EDISON YPI
Nga EDISON YPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Edhe kjo pranverë si çdo pranverë gjakrat shqiptarë po i ndërron, po i shpërthen, po i gurgullon, po i ngroh, po i vlon, po i ndez.

Njëra nga  gjakderdhjet pranverore që ndodhën këto ditë ishte ajo gjatë një polemike mes një të persekutuari dhe një sigurimisti. Tema e bisedës ishte për rolin e ushtruar mbi Radion Zëri i Amerikës nga Sigurimi i Shtetit në kohën e kurvit dhe sot. Në fund të kësaj polemike, gjaku pranveror nuk i shpërtheu sigurimistit që gënjeu si derr duke thënë se Sigurimi nuk ka pasur kurrë gisht në atë radio të nderuar e të ndritur, por të persekutuarit që ngulmoi se me Sigurim të ndyrë dhe sigurimista të qelbët të cilët radios në fjalë sot e kësaj dite i imponojnë intervista dhe manipulime nga më të përbindshmet, ajo radio plot ka qënë, plot është, dhe derikur së afërmi Trumpi ta mbylli, plot do jetë.

Cili është ndryshimi mes deputetëve Selami, Bregu, Topalli ? ishte pyetja që një djal i edukuar i bëri një çuni të mirë gjatë pirjes së një kafeje. Përgjigja e çunit të mirë ishte; Asnjë ndryshim përderisa gjakderdhja pranverore në të gjitha variantet u shkakton të treve të njëjtat efekte.

Ke frikë të shkruash dy vargje se edhe budalla po të jesh menjëherë të shpallin Poet. Këtë të vërtetë madhore, këtë pohim uluritës, këtë fakt rrënqethës, një mirditor me mustaqe ja pëshpëriti në vesh një përmetari ngordhalaq gjatë një bisede konfidenciale. Për një kollos si ty me origjinë nga vendi hashashit, i rakisë, i Naimit dhe i Nëmërçkës me borë milenare në majë, Poet Kombëtar është pak, vazhdoi mirditori mustaqelli, dhe e mbylli me fjalët; Mos e lër zogun të iki nga dora. Shkoi në fund. Nxirr jataganin. Zbrit në arenë. Atyre dy vargjeve të lira si të Migjenit, "Dje që ishte e shtunë ishte e martë / sot që është e mërkurë është e premte", për të cilët po të thonë se je Poet, shtoju ndonjë akt madhor antikonformist që ke bërë gjatë kohës së kurvit. Thuaj, për shembull, se një ditë në atë kohë i the një femre se pa atë, domethënë pa femrën, jeta është ferr. Po veprove kështu, përveçse Poet Kombëtar do të bëjnë edhe Hero Kombëtar. Një të dëgjuar këto fjalë, fytyrën e përmetarit e përmbyti një gjakderdhje pranverore me gjak të zi sterr që ç'të të them o Zot.

Gjakderdhje pranverore jo pak e rëndësishme ishte edhe ajo që ndodhi para pak ditësh mbi fytyrat e deputetëve shqiptarë të Maqedonisë. Shyqyr që Parlamentin e Shkupit  e sulmuan banditët maqedonë. Nëse gjakderdhjen pranverore do ta kishin shkaktuar banditët shqiptarë mbi fytyrat e deputetëve sllavë, sipas mësimeve dhe përvojave të paçmuara të kurvit të pavdekshëm, banditët do t'i kishim shpallur Dëshmorë të Lirisë dhe emrat e tyre do tua kishim vënë rrugëve, shesheve, stadiumeve.

E shumta e gjakderdhjeve pranverore që po buçasin të papërmbajtura këtë fillim pranvere janë ato të hajvanëve që presin problemet shqiptare të vijë t'i zgjidhë Europa, Amerika, bota. Meqënse idetë e tyre janë dokrra dhe pritshmëritë e tyre janë ëndërra, hajvanët në fjalë, të cilëve gjaku pranveror po u shpërthen nga bytha, me gjak nëpër shalë po çirren se Europa është kurva e motit, Amerika rruspia e shekullit, Rusia putana e mileniumit, Kina baxhella e të gjitha kohrave. Shumë mirë bëjnë. Përndryshe nuk do mund t'i njihnim gomerët tanë që duan Arabinë para Francës, Turqinë para Italisë, Azinë para Europës.

Këto ditë të ngrohta maji kur pritet me padurim të dalin në treg qershitë, jo pak gjak pranveror po shpërthen nga sytë dhe veshët e ca mutërve të cilët pasi prej vitesh janë reharuar jashtë, pa pik turpi nga mijëra kilometra larg japin këshilla për mbarëvajtjen e punëve të këtueshme.

Ka plot shqiptarë të cilëve gjakderdhja pranverore u buçet në gjumë dhe, sipas rastit në varësi të tipit të gjumashit, u ndreq apo u shprish ëndërrat.

Ka të tjerë shqiptarë gjakderdhja pranverore e të cilëve nuk i bindet asnjë ligjësie dhe asnjë logjike, u shpërthen në çdo vend e në çdo kohë pa asnjë shkak.

Kultivuesve të kanabisit gjaku pranveror po u rrjedh me gjyma nga ku nuk ua kishte marrë mendja, nëpër rrugën e djersës, nga ulluku i kurrizit.

Një numuri të konsiderueshëm shqiptarësh nga ata që shohin filma shqiptarë, gjaku pranveror po u buçet nga zgavrat e syve pa kokërdhokë që ua kërreu kurvi.

Gjatë një sympoziumi sorosian rreth rolit të muzikës gjatë teksirateve të majasillit, plasi diskutimi; E ka apo s'e ka fajin Doktori që sigurimistat nuk i vrau por i la gjallë ? Pyetja e frikshme në fillim shkaktoi të qeshura. Por pastaj e qeshura ja la vendin një gjakderdhja pranverore me gjak të zi që doli nga hundët e të pranishmëve në formën e një nakatosjeje gjak e qurre që i bëri të pranishmit t’u vërsulen banjave për të vjellë kikirikat dhe byreçkat e sympoziumit të majasillit.

Tjetër gjakderdhje pranverore ndodhi në këto ditë maji gjatë një diskutimi lidhur me çfarë bëjnë partitë gjatë rrugëtimit të tyre historik, vdesin apo ngjallen, fitojnë apo humbin. Ky diskutim provokoi tek të pranishmit daljen e gungave në ballë, hematoma në të gjithë trupi si në filmat e horrorit, dhe gjakderdhje pranverore nga brenda trurit, pra hemorragji cerebrale tek të gjithë diskutantët, si atyre të fitores apo humbjes, edhe atyre të vdekjes apo ngjalljes, në përputhje të plotë me traditën shekullore shqiptareske; Nga pranvera në pranverë, nga gjaku në gjak, nga jeta në vdekje

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: