Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko: Kriza politike po cënon rritjen ekonomike

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko: Kriza politike po cënon rritjen ekonomike
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, flet pas seancës për prezantimin e Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Paralajmëron se “në rast se do të ketë një zgjatje të tensionit politik, do të ketë një rishikim ekonomik në rënie”

Situata aktuale politike po vazhdon të ketë një lloj tensioni. Ndoshta një mesazh për situatën aktuale politike dhe ndikimin që pritet të japë në ekonomi, se bizneset kanë apeluar gjatë gjithë kohës për pasiguri në rritje të gjithë kësaj atmosfere?

Banka e Shqipërisë ka bërë përllogaritjet e saj të parashikimeve makroekonomike duke pasur parasysh që është një vit zgjedhor. Ne do të monitorojmë zhvillimet e mëtejshme, por në parim në rast se ka zgjatje të tensionit politik, natyrisht që kjo nuk do të ndihmonte dhe do të ndikonte në nivelin e investimeve dhe iniciativave dhe kryesisht në besimin e konsumatorit dhe në besimin për investimet e kryera. Nuk jemi në një moment për të thënë një shifër të saktë. Ne po monitorojmë situatën dhe po shikojmë ndikimin që mund të ketë situata politike. Aktualisht nuk kemi ndryshime apo shmangie në parametrat makroekonomikë që po monitorojmë, pra: në nivelin e kreditimit, në nivelin e rritjes ekonomike etj. Duke iu referuar gjithmonë shifrave të tremujorit të parë, Banka e Shqipërisë konstaton që nuk ka shmangie thelbësore. E ritheksoj se në rast se do të ketë tejzgjatje të tensionit politik, natyrisht që kjo do të jetë e reflektuar edhe në klimën ekonomike. Ne do ta monitorojmë situatën dhe do të publikojmë vlerësimin në raportet tona.

A keni sinjale nga bizneset që mund të mund të shfaqin interes, por tregojnë një mëdyshje, një skepticizëm, për situatën aktuale?

Ne si Bankë Qendrore bëjmë një vrojtim mbi besimin e konsumatorit dhe të biznesit, treguesi i ndjesisë ekonomike. Ky tregues, ka qenë mjaft pozitiv referuar periudhës së tremujorit të parë. Kjo ndoshta nuk përputhet me situatën aktuale, por do të reflektohet kur ne të kemi të dhënat e kësaj situate. Për tremujorin e parë, treguesi i ndjesisë ekonomike ka qenë pozitiv.

A keni ndonjë apel për klasën politike?

Uroj të ketë stabilitet.

Kur flisni për rishikim të rritjes ekonomike, parashikohet një rishikim në rënie?

Në rast se do të ketë një zgjatje të tensionit politik, natyrisht që do të ketë një rishikim ekonomik në rënie.

Më falni që insistoj, por dy muaj u bënë... Edhe sa mund të jetë kjo tejzgjatja që mendoni se do të ndodhë, pasi edhe 2-3 muaj të tjerë do jenë efektet zgjedhore, i bie të jenë 5 muaj në total minimalisht?

Të shikojmë edhe si do të evoluojë situata politike. Unë kam besim se gjërat do të kthehen në drejtimin e duhur.

Rënia e përdorimit të euros. Ju keni një memorandum të firmosur më Ministrinë e Financave dhe AMF-në, me fjalë të thjeshta, si do të veprohet sepse është shumë teknike?

Është teknike. Me fjalë të thjeshta, ne duam që të ketë një përdorim më të madh të lekut në ekonominë shqiptare. Euroizimi ose niveli i përdorimit të euros në territorin e Republikës së Shqipërisë është real, pra ne kemi akoma çmime të kuotuara në euro dhe në sistemin financiar kemi një nivel të lartë ekspozimi në euro. Në radhë të parë, Banka e Shqipërisë synon të rrisë përdorimin e lekut për rritjen efikasitetit të politikës tonë monetare, pra të kemi një transmetim më të mirë të politikës monetare si instrumenti kryesor i Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Synimi i dytë lidhet me stabilitetin financiar. Ne duam të kemi kredidhënie më të madhe në monedhën vendase, për të shmangur riskun e kursit të këmbimit në kthimin e kredisë, pra të krijojmë stabilitet financiar në sistemin financiar. Për këto dy arsye, Banka e Shqipërisë synon të bëjë le të themi “një luftë kundër euroizimit”, pra një ulje graduale të përdorimit të euros dhe një rritje të përdorimit të lekut në ekonomi. Ky është dhe roli ynë ligjor.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: