Kamza në Superiore, barazimi “djeg kartat” e Besëlidhjes

Kamza në Superiore, barazimi “djeg kartat” e Besëlidhjes
Besëlidhja dhe Kamza e mbyllin garën me pikë të barabarta pas barazimit mes tyre në ndeshjen finale, me nga 40 pikë, por ngjitet në një kategori më lart ekipi i Ramadan Ndreut falë ndeshjeve direkte. Kamza rikthehet në Kategorinë Superiore, falë barazimit që mori sot përballë Besëlidhjes, në fushën e vet.

Goli për vendasit u shënua në 21’, pas një aksioni të bukur personal nga Mehmeti, që kalon dy futbollistë të Besëlidhjes, dhe në hyrje të zonës lëshon një gjuajtje të kalibruar me të majtën dhe topi përfundon në rrjetë. Në fund të pjesës së parë, kundërpërgjigjet Besëlidhja. Smajli kroson bukur në zonë tek Ndreca, i cili gjuan por Gjonikaj reagon dhe kthehet në zonë, ku ndodhet Kamara i cili e shtyn drejt rrjetës, 1-1.

Besëlidhjes i duhet të fitonte në pjesën e dytë, për të siguruar kalimin në Kategorinë Superiore por rezultati i ndeshjes, pavarësisht përpjekjeve të ekipit lezhjan nuk ndryshoi. Kamza rikthehet në Superiore, duke iu bashkuar ekipit të Lushnjës, që e siguroi më herët ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar.

Kamza-Besëlidhja 1-1

Shënues: Mehmeti 21’ / Kamara 45’

Kamza: Gjonikaj, Frashëri, Lelis, Basriu, Boçi, Deliallisi, Ferraj, (Ymeri 74′), Mehmeti, (Sefa 62′), Hysa, Malindi, (Nimani 69′), Morina. Trajner: R.Ndreu

Besëlidhja: Demi, Kastrati, Smajli, Dibra, Ndreca, Semina, Sidibe, Hepaj, S.Kamara, Marashi, Kamara. Trajner: A. Bruka

Gjyqtarë: R. Sadiku, E.Ganxhi, A.Mahmuti

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: