KË LA PA PUNË MARRËVESHJA RAMA- BASHA! - Nga ALFRED PEZA

KË LA PA PUNË MARRËVESHJA RAMA- BASHA! - Nga ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Edi Rama dhe Lulëzim Basha kanë qëndruar vetëm për vetëm në 48 orët e fundit, për të negociuar detajet e zgjidhjes së krizës politike që do ti çojë të gjitha palët në zgjedhje, më shumë se të gjithë liderët kryesorë të politikës shqiptare në 27 vitet e fundit. E në vend që qoftë dhe vetëm kjo arritje unikale për historinë tonë politike,- e cila do të duhej të ishte prej kohësh një gjë krejt rutinore në fakt,- të gëzonte çdokënd, ajo ka bërë në Tiranë kryesisht, më shumë armiq se miq. Më shumë të mërzitur, se të gëzuar. Duke "prodhuar" më shumë fytyra të vërejtura, se buzëqeshje. Më shumë pëshpërima e pasthirrma, se duartrokitje e brohorima. Më shumë pakënaqësi, se energji pozitive. Më shumë helm e acid se ujë trëndafili.

Kuptohet që këtu nuk është fjala as tek njerëzit e thjeshtë, qytetarë të zakonshëm të këtij vendi që dukeshin më të çliruar sot rrugëve, duke iu gëzuar diellit të ngrohtë të pranverës dhe gjelbërimit të harbuar gjithandej. E as për ndërkombëtarët, që vrapuan përpara gjithë të tjerëve në këtë vend, për t’i thënë një "Bravo" të madhe dy protagonistëve kryesorë por edhe mbështetësve të tyre. Fjalën e kam për të gjithë ata që në periudha të tilla zhvillimesh të ndezura politike në Shqipëri rrijnë ndërmjet Ramës e Bashës dhe votuesve të thjeshtë shqiptarë. Mes gojës dhe veshit. Mes majës dhe bazës. Mes lidershipit dhe delirimit. Mes dy anëve të atyre që qeverisin dhe atyre që qeverisen. Mes atyre që zgjedhin dhe atyre që zgjidhen.

Më të mërzitur se kurrë më parë sot dukeshin këshilltarë e oborrtarë, ndërmjetës e zelltarë, analistë e opinionistë, ish-a dhe kaisha, aleatë e renegatë, tribunë popullorë e popull pa tribunë, dinëshumët e dëgjuesaspakët, gjithollogë e llapallogë, fallxhorë e horoskopistë, parashikesit e motit e parashikuesit fatit, të gjithë zerot që janë njësha dhe gjithë njëshat që janë zero, ngrirësat e buzëqeshjeve dhe tersat e Pojanit, sjellësit e thashethemeve dhe sjellësit e fatkeqësive, ata që bëjnë sikur dhe ata që hiqen sikur bëjnë, ata që fjetën duke menduar se janë të parët dhe kur u zgjuan kuptuan që ishin të fundit. O Zot sa shumë paskërkëshin qenë. E sa shumë mërzi paskërkëshin pasur.

Duhet t’i mirëkuptojmë. Të gjithë. Pa përjashtim. Pa veçuar askënd. E kanë merituar. Me djersën e ballit. Me mund e sakrifica. Kanë 27 vjet që janë investuar për këtë ditë. Për këtë moment. Për këtë çast. Dikush ëndërroi ndërmjetësin. Dikush pëshpëritësin në vesh. Dikush adhuruesin me sy. E dikush fërkuesin e puthësin e dorës. Ndaj nuk i donin gjë tjetër kësaj jete. Veç të ishte aty. Qoftë edhe pak sekonda. Fizikisht. Të dëgjonin ndonjë fjalë. Të regjistronin ndonjë gjë. Të përhapnin fjalë. Ti çonin ndonjë sms mediave. Ose të paktën, t’i mburreshin gruas në darkë, për titrën e re që do shfaqej në ekran.

Por asnjëra nuk ndodhi. Ç'ishte kjo gjëmë që i kishin bërë. Kjo zezonë. Kjo mynxyrë. E si të mos mjaftonte e gjitha kjo, vetëm me një shtrëngim duarsh e një mbyllje dyersh, i kishin nxjerrë të gjithë të papunë. Jashtë. I kishin flakur tutje. Pa mëshirë. Duke i nxjerrë nga loja. E duke i dalë boja. Duke i zgjuar nga ëndrra. Duke u bërë që të ndihen të pavlerë. Pa një pozë para kamerave e fotografëve të paktën. Gjoja ashtu si rastësisht. Të menduar në krah apo prapa shefave. Para njerëzve e pas banakëve televizivë. Ose edhe duke buzëqeshur triumfalisht. E për ta shitur të gjithën deri në takimin e radhës, si diçka që nuk thuhet. Nuk tregohet. Se ashtu është një muhabet. A më kupton?!

I shihje të të gjithë duke ecur rrugëve një e nga një, a në grup. Duke diskutuar në kafe, a deliruar në rrjetin e gjerë botëror. Të mërzitur. Duke mërmëritur. Me sy të kapsëllitur. Duke dërdëllitur e broçkullitur. Gjithçka e kishin menduar, por këtë jo kurrë. Gjithçka të ishte bërë, por asnjëherë kjo që u ndodhi. M’u përpara syve. Në mes të ditës e në mes të natës duke u bërë përsëri ditë. Live. Përpara kamerave. Në sy të të gjithëve. Pa ndërmjetësinë e tyre. Pa jargë dhe lëngëzime. Pa ecejake. Pa telefona të prishur. Pa intriga. Thashetheme. Skenare. Skema. Anatema. Dilema. Peshk. Ngjala. Barcaleta. Farcaleta.

Sepse aty brenda ishin thjeshtë dy vetë. Ballë për ballë. Në një tavolinë. Në një dhomë. Në godinat zyrtare të shtetit. Në mes të bulevardit. Pranë çadrës. Pranë godinës së Qeverisë. Parlamentit. Presidencës. Me dijeninë e të gjithëve. Pa praninë e askujt. Sy më sy. Pa kamera. Pa facebook. Pa twitter. Pa mikrofon. Pa këshilltarë. Pa përralltarë. Pa valltarë. Telendarë. Si dy njerëz të përgjegjshëm. Të zotët e punës. Të zgjedhur. Të votuar. Njëri në krye të mazhorancës. Tjetri në krye të opozitës. Njëri në krye të qeverisë. Tjetri kandidat për Kryeministër.

A thua kjo të jetë "Republika e Re"?! Të presim e të shikojmë. Por një gjë është e sigurtë. Se sido që të jetë republika jonë edhe pas kësaj, ajo kurrë nuk do të jetë më, as si Republika e vjetër, as si Shqipëria e vjetër. E aq më pak, në dorë të të papunëve të rinj.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: