KUSH NUK NDALOI TE ÇADRA!?... - Nga FRROK ÇUPI

KUSH NUK NDALOI TE ÇADRA!?... - Nga FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Aq sa e mallkuan dhe e përqeshën ‘Çadrën’, më duket se po këta që e bënë atë rol ‘djalli’, tani po e shikojnë Çadrën si vakëf. Akoma pa u mbyllur, Çadra po shikohet si ‘vend i mirë’. Ata që nuk ndaluan te Çadra gjatë 90 ditëve të saj, po e ‘qajnë me lot’ fatin e keq.

Sa gazetarë e sa ironikë të tjerë e kanë menduar Çadrën një ‘humbje’ për Demokratët; të tjerë e kanë menduar si ‘kazan plehrash’ që po ndot qytetin; burokratë të ardhur nga BE si Mogherini e kanë bërë rrugën nga kryeministria deri te Rogner duke mbajtur një shami në hundë...

Disa herë u lëkund Ilir Meta i LSI që të ndalonte për pak, ose edhe të hynte në Çadër si banor, por prapë u kthye pesëdhjetë metra pa arritur aty. Aleati i tij ‘armik’ Rama e vështronte në distancë nëse do të ndalej aty; mirëpo Meta nuk ‘e hëngri’ kurthin e ngritur...

Kush ra në kurth e kush ra në disfatën që nuk ndaloi te Çadra?

1.

Të parët ranë pseudo-analistë dhe pseudo-mendimtarë që thanë se ‘aty vdes PD-ja’. Këtyre edhe kur t’u vdesë gjyshja nuk do t’u shkojë njeri në varrim, se që tani e tutje nuk besohet më. Si mund të vdiste Partia kryesore e Opozitës, ajo që themeloi pluralizmin politik, fuqia titanike politike për përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri! Mandej si mund të vdesë një fuqi politike kur vihet në aksionin më të lartë politik, si në rastin konkret?! PD ishte paragjykuar si ‘parti e butë’, ose ‘e dobët’. Tani që u bë e fortë i thanë se ‘po vdes’. Partia Demokratike, që nga Çadra, krijoji liderin e vet, dhe provoi pse është ‘e dobët’. Një opozitë e ‘dobët’ ekziston në atë vend ku qeverisja është represive. Këta që lavdëruan qeverinë si ‘të fortë’ dhe ‘të padorëzueshme’, në fakt i bënë ‘gropën’. Në këtë shekull nuk mund të ketë qeveri të fortë kundër Opozitës dhe të drejtave të individëve. Thanë se qeveria do të shkojë në zgjedhje pa opozitë dhe Perëndimi ‘njeh zgjedhjet!’... Marrëzi që vjen nga shkelja mbi vendin e mirë.

2.

Në kurthin e Çadrës ranë të dërguarit liberalë dhe majtistë të BE. Flenckenstein i grupimeve majtiste të Hamburgut dhe Mogherini e radhëve komuniste anti- Europiane, erdhën për ta parë, por për të mos e ‘prekur me dorë’ Çadrën, sepse kishin krupë. Libertarianët e Europës, që sipas Papa Franceskut, nuk janë gjë tjetër veçse ‘socialistë anarkistë’ nuk e mendonin se do të përplaseshin te Çadra dhe do të thyheshin. Një përplasje e tërë mes vërshimit të konservatorëve djathtistë populistë perëndimor dhe rrymave të vjetra liberale që formuan elitat politike arrogante, ndodhi pikërisht këtu te Çadra. Mund të mos ndodhte që këtu të fitonin konservatorët, edhe pse në Shtetet e Bashkuara fitoi Trump dhe në Britani- Brexit; por beteja e Tiranës do të ishte një shenjë e mirë e qytetarisë shqiptare. Disa prej të të dërguarve nga BE rezultoi se ishin nëpunës të George Soros- i cili po gjykohet si financuesi i një të majte ‘sorosiane’ të rrezikshme në vendet e BE dhe të Lindjes.

Çadra fitoi; kauza e zgjedhjeve të pranueshme u arrit, qeveria e ‘pamposhtshme’ uli kokën; pushteti u vu në rrugën e balancimit; protesta u kthye në shkollë demokracie dhe jo në dhunë; vëmendja e botës së përparuar u fokusua këtu. Atëherë mund të gjykohet se edhe shqiptarët e denoncuar për ‘demokraci të vonuar’ u vunë në nivelin e kuptimit të demokracisë.

3.

Pse nuk qëndroi këtu Ilir Meta?...

Po të kishte ndodhur, madje po të kishte ndodhur që të bëhej pjesë e protestës popullore kundër arrogancës qeveritare, kjo do t’i kishte shërbyer si një ngjitje e “avionit” të tij politik. Megjithëse një praktikant i ceremonive fetare në lartësitë e Tomorit, zoti Meta nuk zbuloi ‘vakëfin’ tjetër që është Çadra. Ai mendoi se ky ishte një vend i mallkuar ose neutral, por nuk e mendoi si ‘të mirë’. I ndodhur mes dy fuqive shumë të mëdha tërheqëse, siç është dëshira për pushtet dhe frika e shkëputjes nga aleati Rama, zoti Meta qëndroi larg Çadrës.

Ilir Meta preferoi të zgjidhej president i Republikës duke mallkuar Çadrën. Në Kuvend e votoi vetëm njëra palë, qeveria. Opozita as u pyet. Megjithëse Meta kishte deklaruar se ‘nuk zgjidhem pa konsensusin e Opozitës’. Por fjalën e mori era dhe pasioni e çoi drejt fronit të lartë.

Kryetari i LSI ra njëherësh në tre ‘kurthe’ menjëherë:

E para, se u shkëput nga instinktet protestuese për ‘demokraci’ duke mbetur në krahun e humbur të elitave të dështuara.

E dyta, se aleati Rama, duke e ‘puthur’ e kafshoi. Posti i presidentit iu dha për ta hequr qafe, por ky nuk e kuptoi.

E treta, se Ilir Meta, sipas marrëveshjes së nënshkruar alias ‘Pakti McAlister+’ duhet të largohet edhe nga posti i presidentit pasi ky do të zgjidhet me konsensus mes palëve...

Ilir Meta mund të mbetet tani edhe pa LSI... Ndoshta ky ishte i pari që humbi nga mallkimi që i bëri ‘Vakëfit’; i dyti është kryeministri Rama, etj. Këta që nuk ndaluan pak te Çadra...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: