Legjislatura VIII, si nisi me një rotacion dhe u mbyll me një krizë

Legjislatura VIII, si nisi me një rotacion dhe u mbyll me një krizë
Eglantina Nasi

Startoi pas një rotacioni dhe u mbyll me një krizë... Këto kanë qenë dy momentet kyçe që iniciuan dhe përmbyllën Legjislaturën VIII të Kuvendit të Shqipërisë, 9.9.2013 - 4.5.2017. Teksa gjatë rrugëtimit në këta katër vjet, 140 deputetët e saj miratuan 1043 akte; 665 projektligje; 215 projektvendime, dekrete dhe projektrezoluta etj. Sikundër, zhvilluan edhe 17 kërkesa për interpelancë dhe realizuan rreth 70 raportime nga institucione të ndryshme. Për të mos harruar as ligjërimin e disa reformave mjaft të rëndësishme për vendin, të tilla si ajo në drejtësi dhe paketa e ligjeve në kuadrin e zbatimit të saj, shoqëruar edhe me ligjin e Vettingut; apo reforma për dekriminalizimin, si edhe ajo  administrative-territoriale etj. Që të gjitha këto, të iniciuara nga koalicioni i së majtës, i cili erdhi në pushtet pikërisht nga zgjedhjet e verës së vitit 2013, teksa në shtator do të niste nga puna edhe Kuvendi i ri me deputetët që buruan prej tyre, ku prej tyre, nga 140 në total, 33 do të ishin femra, numri i të cilave ndryshoi gjatë 4-vjeçarit të legjislaturës.

Dhe në kuadrin e të cilave, gjatë legjislaturës në fjalë, u ngritën edhe komisione të posaçme parlamentare që do të ndihmonin në kompletimin dhe realizimin e tyre. Referuar gjithmonë të dhënave të faqes zyrtare të Kuvendit, rezulton se kanë qenë përkatësisht pesë të tilla: Komisioni i posaçëm për reformën administrativo-territoriale; Komisioni i posaçëm për dekriminalizimin; Komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi; Komision ad-hoc për verifikimin e figurave sipas ligjit të vettingut dhe Komision ad-hoc me 12 anëtarë për përzgjedhjen e kandidatëve sipas ligjit të vettingut.

Ndërkaq, zgjedhja e kryeparlamentarit Ilir Meta, do të ishte edhe vendimi i parë i miratuar nga Legjislatura VIII parlamentare, në seancën e saj të parë, të mbajtur më 10 shtator 2013, shoqëruar me aktin e dytë të emërimit të Edmond Spahos si nënkryetar. Kurse akti i tretë i rëndësishëm që Kuvendi miratoi një seancë plenare më pas, ka qenë pikërisht ai për miratimin e programit politik të qeverisë së re Ndërsa më pas, do të emërohej edhe zëvendës-kryetari tjetër i Kuvendit, Vangjel Dule, i cili në fakt u dorëhoq prej kësaj detyre rreth një vit e gjysmë më pas, përkatësisht në maj të vitit 2015, Kur për këtë post u propozua, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Një emërim që ndodhi si pasojë e vendosjes prej këtij të fundit që t’i bashkohej koalicionit të majtë, Aleanca për Shqipërinë Europiane për zgjedhjet lokale të 21 qershorit, në kuadrin e të cilave atij iu dhanë edhe tre bashki.

PROCESI

Reforma në drejtësi, mori më shumë kohë e energji

Ajo mund të quhet fare mirë reforma, e cila i mori më shumë kohë dhe energji Kuvendit të kësaj legjislature. E para, sepse kërkoi një proces mjaft të madh negociatash, dhe përmes faktorit ndërkombëtar për arritjen e konsensusit për miratimin e saj mëngjesin e 22 korrikut, pas një seance maratonë.

Por edhe sepse puna me të nuk mbaroi aty, pasi Kuvendi u përfshi sërish në një sagë të gjatë debatesh për miratimin e ligjeve që e shoqëronin atë, mes tyre edhe i shumëpërfoluri, ligji për Vettingun. Debat ky i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite, teksa opozita i ka bojkotuar karriget e saj prej javësh në sallën e seancave plenare.

KRAHASIMI

Ky ka qenë Kuvendi me më shumë femra

Ky mund të quhet fare mirë Kuvendi, i cili ka patur më shumë femra të zgjedhura si deputete anëtare të tij. Këtë e tregon edhe grafika përkatëse që shoqëron këtë argument në sitin zyrtar të Kuvendit, sipas të cilit, numri i tyre tashmë ka arritur në 41 të tilla. Teksa duke u kthyer pas në retrospektivë, rezulton se Kuvendi i legjislaturave të mëparshme ka patur më pak femra. Konkretisht, duke nisur nga shifra më e ulët, vetëm 9 të tilla, në Legjislaturën I dhe II, dhe po kaq, edhe në atë V. Për të pësuar një rritje të saj në Legjislaturën VI me 10 femra. Dhe më tej, me rritjen deri në 23 të tilla në Legjislaturën pararendëse, VII.

8 komisione hetimore, nga ai për emërimet në shtet, te pajisja përgjuese IMSI

Plot tetë komisione hetimore rezulton se janë ngritur nga Kuvendi gjatë Legjislaturës VIII parlamentare. Listën e tyre e kryeson pikërisht ai “Për emërimet në administratën shtetërore”, objekti i të cilit ka qenë verifikimi i të dhënave për emërimet e cilësuara si të kundërligjshme dhe politike në shtet për periudhën 15 shtator 2013-30 shtator 2015. Komision ky që kryesohej nga opozita përmes Genc Pollos si kryetar dhe Taulant Balla nënkryetar. Por pati edhe nga ata komisione, të cilët kryesimin e tyre e kanë patur nga mazhoranca, konkretisht ai i ngritur “Për Implikimin e Forcave të Armatosura në Transportin e Lëndëve Narkotike”, drejtuar nga kryetarja Ermonela Felaj dhe nënkryetari i opozitës, Oerd Bylykbashi. Më tej, lista përkatëse e publikuar nga Kuvendi rreth hetimeve të ndërmarra prej tij në këta katër vjet vijon me komisionin “Për Verifikimin e Bllokimit të Sistemeve Elektronike Tatimore”, edhe ky i iniciuar nga opozita, me kryetar Arben Ristanin dhe nënkryetar Ervin Bushatin, me qëllimin e verifikimit të problematikës së pretenduar mbi ndërhyrjet në sistemet tatimore. Por një komision tjetër i rëndësishëm ka qenë edhe ai “Për Lëvizjet në Policinë e Shtetit”, pikërisht për periudhën 15 shtator 2013-31 janar 2014, kryesuar sërish nga përfaqësuesi i opozitës, Arben Ristani. Sikundër dhe ai “Për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për përdorimin dhe administrimin nga strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit të pajisjes përgjuese “IMSI Cathcer”, dhe realizimin nëpërmjet saj të përgjimeve të paligjshme”, kryesuar nga deputeti opozitar Flamur Noka dhe nënkryetari Pjerin Ndreu. Pa harruar këtu as edhe një komision që u ngrit nga Kuvendi për të verifikuar dhe  hetuar zbatimin e ligjit mbi shkarkimin e Elvis Çefës dhe  Lulzim Lelçajt nga detyra e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtesisë, të zgjedhur nga Kuvendi, me Armando Subashin si kryetar të tij, tashmë jo deputet.

Ndërkaq, nuk mund të harrojmë edhe dy komisione të tjera hetimore të ngritura nga Kuvendi, me natyrë ekonomike. I pari ka qenë ai për hetimin dhe verifikimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjes së interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe negocimi i Marrëveshjes së Shitjes së Aksioneve, këtë herë me kryetar nga mazhoranca, deputetin Taulant Balla dhe nënkryetar Arben Ristanin e opozitës. Pasuar nga komisioni tjetër i ngritur për zbatimin e legjislacionit dhe mbrojtjes së interesit të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet R.SH dhe “CEZ”, drejtuar nga opozitari Edmond Spaho dhe nënkryetari i mazhorancës, Eduart Shalsi, tashmë ministër.

DUKURIA

4-vjeçari ku deputetë u bënë mbi 140 të zgjedhur

Legjislatura VIII mund të quhet fare mirë ajo gjatë katër viteve të së cilës, karrigen e deputetit e provuan mbi 140 të zgjedhur nga populli në zgjedhjet e 2013-ës. Dhe kjo, si pasojë e procesit të dekriminalizimit, e emërimeve në poste të tjera apo edhe e arrestimeve të ndryshme. Mjafton të kujtojmë se të parët që u zëvendësuan ishin anëtarët e kabinetit “Rama”, pas urdhrit për ta ndarë mandatin e deputetit nga posti i ministrit, duke bërë që në Kuvend të hynin 15 deputetë të rinj. Akt ky që u pasua në të njëjtën mënyrë nga kryetarët e bashkive, që gjithashtu duhet të dorëzonin mandatin e tyre, si rasti Erion Veliajt në Tiranë, pas zgjedhjeve lokale. Pa harruar këtu as rastin e zëvendësimeve në rastin e ndarjes nga jeta të një deputeti, siç ka qenë rasti i Sokol Olldashit,vendin e të cilit e zuri Bedri Mihaj; apo Mira Shehu në vend të Luiza Xhuvanit që u tërhoq nga politika; apo Arben Ndoka që u zëvendësua nga Eduart Ndocaj. Sikundër, në listën e zëvendësimeve mund të përmendim edhe ato që pasuan me heqjen e mandatit të deputetëve Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, në kuadrin e procesit të dekriminalizimit. Ndërsa dy deputetët e tjerë, Mark Frroku dhe Armando Prenga u arrestuan të përfshirë në vepra penale, mandati i të cilëve u dorëzua dhe u zëvendësua nga deputetë të tjerë etj.

 

Ja lista e deputetëve që kanë ndryshuar në 4 vjet:

Ishin                                                       Janë

Ermonela Felaj                                    Anila Agalliu

Nasip Naço                                           Silva Caka

Ilir Beqja                                               Esmeralda Shkjau

Lefter Koka                                          Bujar Derveni

Damian Gjiknuri                                  Luljeta Arapi

Eglantina Gjermeni                             Adelina Rista

Ilirjan Celibashi                                   Aurel Xhindi

Arben Ahmetaj                                    Dashamir Kamberi

Erion Veliaj                                           Vladimir Kosta

Mimi Kodheli                                       Arben Ndoka

Ditmir Bushati                                      Erjeta Alhysa

Klajda Gjosha                                      Kejdi Mehmetaj

Lindita Nikolla                                     Blerina Gjylameti

Milena Harito                                       Enkelejda Shkreli

Saimir Tahiri                                         Ervin Bushati

Artur Bushi                                           Shkëlqim Troplini

Miranda Rira                                        Edlira Çekrezi

Armando Subashi                               Bujar Çela

Majlinda Bufi                                      Antoneta Dhima

Ardian Turku                                        Arbjola Halimi

Sokol Olldashi                                      Bedri Mihaj

Besnik Dushaj                                      Mimoza Hajdarmataj

Vasil Bicaj                                            Mhill Fufi

Voltana Ademi                                    Irma Kopliku

Halim Kosova                                      Asllan Dogjani

Luiza Xhuvani                                     Mira Shehu

Arben Ndoka                                       Eduart Ndocaj etj.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: