MR. TENSION, KY MIK I BALLKANIT – NGA FRROK ÇUPI

MR. TENSION, KY MIK I BALLKANIT – NGA FRROK ÇUPI
NGA FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ky nuk është vetëm një banor, por edhe një mik në Ballkan. Kur dikush kërkon të ‘luajë’ lojën “tension”, arena dihet ku është: Ballkani. Të shtunën, sipas ‘American Spectator’ një revistë e përmuajshme konservatore, kontejner i politikës dhe e lajmeve-  e krijuar që në vitin 1924, njoftoi se një delegacion hetimi i Kongresit, prej 15 anëtarë, në një mision urgjent është nisur nga Uashingtoni drejt shteteve të Ballkanit. Delegacioni është ‘impenjuar’ mbi tensionet që po lindin si pasojë e politikave të Soros and Co.

Rasti më i fundit kur “Mr. Tension” është një mik; ndoshta jo një, por disa miq. Sipas asaj që raportohet, por edhe sipas provave që janë kapur në shtetet ballkanike, organizatat që drejtohen nga multimiliarderi George Soros, kanë krijuar plot pështjellime në këtë rajon. Qëllimi i organizatave të tij është mbështetja e një të majte ‘sorosiane’ në vendet ish- komuniste. Por sipas të dhënave, për të cilat po heton edhe Kongresi Amerikan, në këtë ‘mision’ sorosian janë tërhequr edhe fonde të shtetit amerikan, ton me para- përmes USAID që është vënë në shërbim të Soros... Kështu shtohen radhët e ‘miqve’ që tani vetë Shtetet e Bashkuara i identifikojnë si shkaktarë të tensionit në vendet Ballkanike... Pas këtyre, në të njëjtën radhë, vijnë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, që sipas raportimeve, kanë mbajtur ‘anën e qeverisë’, por me dy qëllime ‘miqësore’. E para, për të fshehur prodhimin dhe eksportin e drogës drejt Perëndimit; dhe nga ana tjetër për të lajkatuar qeveritë nga ku del diçka edhe për ambasadorët...

Tashmë Ballkani është kthyer në një ‘ngarkesë tensioni’ që mund të shpërthejë nuk i dihet se ku fillimisht. Por jo vetëm për shkak të miqve; fillimisht për shkak se ‘zoti Tension’ është një banor i përhershëm në këtë rajon. Është ngarkuar Maqedonia me një tension pushteti, aq sa në sallën e madhe të Parlamentit plasi lufta e përgjakshme. Është ngarkuar sot më shumë, Kosova, me një përballje pushtet-mbajtësish kundër njëri tjetrit; gjithë Prishtina u rrethua nga Policia në demonstrim force se ‘kush ka pushtetin ka edhe Policinë’. Në Tiranë shteti ka rënë në kaos institucional: Nuk funksionon më Drejtësia, Kuvendi ka pushuar, Presidenti është zgjedhur vetëm nga një palë, Avokati i Popullit ka mbaruar mandatin, dhe Zgjedhjet nuk funksionojnë si institucion. Protesta e Opozitës për ‘zgjedhje të lira’ dhe këmbëngulja e qeverisë për të mos bërë asnjë hap, kanë krijuar një gjendje që e quajnë paralajmërim për përplasje. 13 Maji po konsiderohet nga qeveria si ‘rrezik’ për të trembur njerëzit; siç u prezumua edhe 7 Maji i Kavajës.

Në Bosnjë e Hercegovinë, edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë dhënë ndihma të jashtme prej 1.6 miliardë dollarë; nuk kanë përmirësuar, por kanë përkeqësuar klimën e harmonisë mes komuniteteve dhe besimeve. Çështja e shkëputjes së Republika Srbska po pret si një ‘patate e nxehtë’.

Shtetet e Bashkuara me presidencën e Donald Trump po krijojnë një ‘shkollë’ të re të prezencës amerikane në rajon: Hetimi mbi përzierjen brutale dhe të ndotur të Soros, ndërprerjen e fondeve për investim tensioni, largimin nga teoria e rreme e eksportimit të demokracisë amerikane në rajon, shërimin e sëmundjes së ambasadorëve ‘protektorë’, etj.

Pyetja pse në këto momente tensioni është bërë i rrezikshëm në Ballkan, ka okupuar studime dhe analiza serioze. Çfarë arsyesh kishte pikërisht tani?... Në Ballkan nuk ka nevojë të pyetet për ‘arsyet e tensionit’, (sepse dihen) por për tërheqjet anësore që e ngjallin tensionin siç ngjallen vullkanet.

Tre tërheqjet e mëdha:

1.

Parulla tinëzare e përhapur nga qeveritë se pas fitores së Trump, Amerika nuk e ka më mendjen këtu. Pro-Clintonët ditën si të ‘vlerësojnë’ të shkuarën dhe të dëmtojnë të tanishmen. Në qoftë se thua se në Ballkan nuk ka rol Amerikan, atëherë më shumë se kudo, i ke dhënë ushqim tensionit. Në fakt kjo ndodhi: Tensioni u nxit nga qeveritë e elitave të vjetra, si një reaksion politik ndaj ndryshimeve në Perëndim. Duke thënë ‘nuk ka më Amerikë’ ata lëshuan kushtrimin: ’bëjmë çfarë të duam’.

2.

’E drejta’ Ruse për të ndjekur precedentin e luftës “SHBA- Kosovë” në Krime dhe dominimin më gjerë në rajon. Tani analistë të luftës po thonë se ‘Rusia e përdor të drejtën’ që i buron nga bombardimet amerikane mbi Serbi në vitin 1999. Edhe dy qeverisësit shqiptarë (Prishtinë- Tiranë) i kanë dhënë guxim kësaj ideje Ruse duke promovuar ‘Shqipërinë e Madhe’.

3.

Portat perëndimore të Europës, janë thuajse të mbyllura për vendet e Ballkanit. Anëtarësimi në BE ka mbetur vetëm një demagogji. BE nuk ka asnjë pikë zotësie që të zgjidhe mosmarrëveshje në Ballkan; gjë që e dëshmoi me Maqedoninë, më në fund. Në mes të vajtje- ardhjes së emisarëve të BE, në sallën e Parlamentit u derdh gjak dhe nuk po formohet dot qeveria. Edhe iniciativa ‘Merkel’ për grupimin e Ballkanit perëndimor si një ‘kordon’ kundër Rusisë, ra. BE ndodhet për vete në gjendje krize; këndej nga Lindja vetëm krizë mund të përcjellë.

... Mr. Tensioni është bërë ‘një’ me zotin Tension, me priatelj Tension, filos Tension, ose arkadash Tension. Tensioni ka shtëpinë e vet këtu.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: