PD, SI "LËKURA E SHAGRENIT" - NGA ALFRED PEZA

PD, SI "LËKURA E SHAGRENIT" - NGA ALFRED PEZA
NGA ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Këto ditë një miku im me një përvojë shumë të gjatë në politikën aktive në Shqipëri, thotë se gjatë 27 viteve pluralizëm janë zhvilluar shumë lloje zgjedhjesh, por kurrë nuk na e priste mendja se mund t'ia arrinim kësaj dite, që të kishim edhe zgjedhje pa opozitën. Si ato që pritet të zhvillohen me sa duket, në 18 qershorin e këtij viti.

Sepse kemi patur në 1991, zgjedhje pa as më të voglën përvojë pluraliste shumëpartiake, pas gjysëm shekulli izolimi komunist.

Më 1992, zgjedhje me misionin ushtarak italian të emergjencave civile nën emrin "Pelikan", të shpërndarë nëpër Shqipëri.

Më 1996, zgjedhjet e lëna në mes ditën e votimit, më 26 maj nga opozita e atëhershme, për shkak të dhunës dhe terrorit shtetëror, kur ishte në pushtet Sali Berisha i parë, atëherë President fuqiplotë i vendit.

Më 1997, zgjedhjet me praninë e misionit ushtarak ndërkombëtar "Alba" me rreth 7 000 trupa në territor, pas trazirave antifajde të pranverës së atij viti, që çuan në zgjedhjet e parakohëshme nën kujdestarinë e qeverisë së Pajtimit Kombëtar.

Zgjedhjet e 2001, u etiketuan si procesi i "Dushku"-t, për shkak të mbimandateve që prodhoi një truk elektoral gjithësesi ligjor, në zonën me të njëjtin emër.

Për të vazhduar me zgjedhjet e 2005, kur PS u ça nga krijimi dhe dalja e LSI së Ilir Metës në skenën poliitke, gjë që ndikoi në kalimin e socialistëve në opozitë.

Për të vijuar me procesin e 2009, pas të cilit, për herë të parë një parti e djathtë (PD) qeverisi në një koalicion me një parti të majtë (LSI).

E për të përfunduar më 2013, kur koalicioni parazgjedhor i një të majte të bashkuar (PS + LSI) çoi në rrëzimin për herë të parë me votë të Sali Berishës nga pushteti, duke prodhuar një mazhorancë të cilësuar në Parlament, e cila realizoi një sërë reformash të thella në sektorë vitalë për jetën e vendit.

Nisur nga kjo paradë e shpejtë e veçorive të secilit prej 8 proceseve elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të kaluara, ajo që nuk ishte menduar asnjëherë, pritet të ndodhi me sa duket në zgjedhjet e 2017. Të cilat me siguri mund të mbahen mend për shumë gjëra në të ardhmen. Por jam i sigurtë që tani, se ky proces do të meritojë përgjithmonë diçiturën: Zgjedhjet e para post komuniste, të zhvilluara pa pjesëmarrjen e opozitës.

Janë thënë e do të thuhen shumë gjëra në lidhje me këtë hap të paprecedentë të Partisë Demokratike, e cila duhet pranuar me gojën plot, se kurrë nuk e ka patur në ADN-në e saj, bojkotin elektoral. Bojkotin zgjedhor. Mospjesëmarrjen në zgjedhje. Mosparaqitjen e përfaqësuesve të saj ditën e votimit, në garë përballë kundërshtarëve të vet politikë. Mosdhënien e mundësisë së zgjedhësve, votuesve, anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve të vet, që të shkojnë për të shprehur vullnetin e tyre politik, me votë ditën e çfarëdolloj zgjedhjesh të realizuar në Shqipëri deri më sot. Vetë lideri historik i kësaj force politike, e ka thënë, jo një, por shumë herë këtë. Duke e bërë realitet edhe në ditët më të vështira dhe më të errëta për ekzistencën, jetën dhe veprimtarinë e kësaj force politike. E cila veç të tjerash, ka hyrë në historinë tonë, si e para parti politike antikomuniste në Shqipërinë pluraliste.

E si për çudinë më të madhe të të gjithëve, jo vetëm brenda e jashtë PD por edhe brenda e jashtë Shqipërisë, Sali Berisha, me gojën e kryetarit "de jure" Lulzim Basha ka deklaruar bojkotin e zgjedhjeve. Duke refuzuar çdo mundësi për kompromis dhe zgjidhje politike me Kryeministrin Edi Rama, si garanci për ta, që të marin pjesë në një proces me standartet e kërkuara  elektorale. Kryetari i PS e ka thënë qartë se PD nuk hyn në zgjedhje sepse nuk do të votojë "Vetingun" në Parlament, e cila i hap rrugën realizimit të reformës në drejtësi, sepse i tremben ndëshkimit për aferat e tyre gjatë kohës që kanë qeverisur Shqipërinë. Ndërsa PD me gojën e Berishës dhe Bashës, kanë shprehur si të vetmin kusht të panegociueshëm, largimin e Kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike, që "de facto" do të thotë marje të pushtetit në tavolinë, për të shkuar e bërë formalitetin, ditën e zgjedhjeve.

Mosfutja e PD në zgjedhje, sigurisht që do ta vendosi në vështirësi pasi e detyron që të vëzhgohet në lupën e legjitimitetit, cilëndo prej mazhorancave që do të krijohen nga votimi i 18 qershorit. Por, pasoja më e rëndë që ajo pritet të sjellë, është rreziku i rrudhjes nga rrjedhja e pandalshme e anëtarëve dhe votuesve të PD. Jo vetëm për shkak të mosqenies së saj, në sallën e Parlamentit të ri të ardhshëm, e cila është edhe skena e vetme e lojës politike të opozitës dhe e aktorëve të saj kryesore në një vend demokratik. Por mbi të gjitha, për shkak se vendimi politik "in extremis" për bojkot, mund të krijojë një hemoragji të pandalshme të elektoratit, i cili sheh tek vendimarrje e lidershipit interesin personal dhe jo domosdoshmërisht edhe interesat e tyre si votues. Për rrjedhojë, shumë prej përkrahësve, aktorëve dhe faktorëve të PD në terren, kanë filluar të shohin që tani sa nga FRD e PDIU, e sa nga LSI dhe PS e ndonjë forcë tjetër politike, për të kuptuar se kush mund t'ia plotësojë më mirë pas 18 qershorit, raportin mes kërkesës dhe ofertës së tyre në tregun politik dhe elektoral.

Sepse edhe nëse nuk e kanë lexuar, ata e kanë kuptuar me intuitë, se si Berisha ashtu edhe Basha, po e përdorin PD për nevojat e tyre personale politike, ashtu si edhe personazhi i famshëm i Balzakut, Rafael dë Valanten, "Lëkurën e Shagrenit" në romanin me të njëjtin emër. Çuditërisht, në këtë libër, lëkura e gomarit të egër mbante në sanskritisht këtë shënim për atë që do të ishte poseduesi i saj: "Duke më zotëruar mua, ti do të zotërosh gjithçka. Por jeta jote do të më përkasë mua. Kështu deshi Zoti. Dëshiro, dhe dëshirat e tua do të plotësohen. Por mati dëshirat e tua me jetën tëndë (politike, në rastin tonë). Këtu më ke. Në çdo dëshirë, unë do të shkurtohem si ditët e tua. A do që të më zotërosh? Merrmë! Zoti do të t'i plotësojë dëshirat! Ashtu qoftë!".

Si Berishës ashtu edhe Bashës, PD në formën e "Lëkurës së Shagrenit", ia ka plotësuar deri tani çdo dëshirë që ata kanë patur. Çdo ambicie njerëzore dhe çdo nevojë politike. I pari duke u bërë që nga Kryeministër e President, e deri kryetar partie dhe deputet i përjetshëm. Ndërsa i dyti, duke fituar çdo post e funksion që ka dashur, për të patur tashmë si dhuratë nga i pari, edhe drejtimin e partisë më të madhe opozitare në Shqipëpëri. Tregtari plak në momentin që ia dhuroi personazhit të Balzakut lëkurën magjike, i tha: Tani të gjitha dëshirat e tua do të plotësohen pikë për pikë, por në kurriz të jetës suaj (politike, në rastin tonë). Rrethi i ditëve tuaja i shënuar në këtë lëkurë do të tkurret sipas forcës dhe numrit të dëshirave tuaja, që nga më e vogla gjer te më e madhja. Ka një marrëveshje të mistershme ndërmjet fatit dhe dëshirës së zotëruesit të këtij talismani". Ashtu siç duket janë të lidhura në mënyrë të mistershme, fati politik dhe dëshirat e plotësuara deri më tani nëpërmjet PD, të zotëruesve të saj. Ku bojkotoi i zgjedhjeve të 18 qershorit, nëse do të ndodhë vërtetë, mbetet që të jetë padyshim, me e madhja dëshirë e plotësuar deri më tani.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: