“Shqipëri e Madhe”? Formulë e Beogradit për të maskuar Serbinë e Madhe

“Shqipëri e  Madhe”? Formulë e Beogradit për të maskuar Serbinë e Madhe
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

***

Flet I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini: “Vuçiç deklaroi se dëshiron të krijojë Jugosllavinë e re, ku do përfshihej edhe Shqipëria. E dini zonjë se çfarë do të thotë kjo? Ky koncept do të thotë hiç më pak “Serbi e Madhe”!

***

Z.Ukshini, Kosova ditët e fundit u përball me ngjarje të rëndësishme si rrëzimi i qeverisë përmes një mocioni. Cili është komenti juaj rreth kësaj? Përbën kjo më shumë shenjë demokracie, apo krize?

Fillimisht, duhet theksuar se ky është një proces demokratik. Pra, është mëse e rëndësishme që transferimi nga një qeveri tek tjetra, bëhet përmes institucioneve dhe procedurave ligjore e demokratike. Ky është ogur i mirë për demokracinë e re të shtetit më të ri në Evropën Juglindore. Jashtë Kosovës, ajo që dukej impresionuese është se nga jashtë dhe nga Shqipëria, kemi dëgjuar mendime e komente të ndryshme, kryesisht pozitive për një zhvillim të tillë. Pas mosbesimit të qeverisë, të gjitha partitë politike u treguan të përmbajtura, duke përdorur një retorikë të moderuar dhe si rrjedhojë, situata në vend mbetet shumë e qetë. Madje edhe vetë debati që u bë në seancën kur u rrëzua, ishte një debat shumë i moderuar, si nga përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës. Dhe në këtë frymë, vetëm një ditë më pas Presidenti Thaçi në konsultim me partitë politike mori vendim që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 11 qershor. Lidhur me këto zhvillime në Kosovë, më lejoni të përmend konstatimin e një drejtuesi të lartë shtetëror të Shqipërisë, i cili ditë më parë pati kontakt me opozitën. Sipas tij, Shqipëria duhet të marrë nga Kosova dy mësime: “I pari, më bëri përshtypje besimi që ekziston këtu për të hyrë në zgjedhje, diçka që tek ne në Shqipëri nuk ekziston. Takova të gjitha partitë e opozitës ishin të entuziazmuara që do të shkonin në zgjedhje dhe asnjëra nga ato, nuk ngriti dyshime se nuk do të jenë zgjedhje korrekte. Të gjitha partitë politike kishin besim në procesin zgjedhor”. Mësimi i dytë, mënyra sesi po shkohet nga njëra qeveri në tjetrën. Ndryshimi i qeverisë po shoqërohet pa përplasje në mes partive të pozitës dhe opozitës, nuk ka trazira, nuk ka tensione, nuk ka ndërhyrje nga jashtë dhe gjithçka po administrohet sipas procedurave demokratike. Kjo është një kulturë politike që duhet marrë si model nga klasa politike në Shqipëri”, deklaroi ai.

Dhe kini parasysh se ne jemi vetëm 9 vjet shtet dhe kjo tregon se demokracia në Kosovë po zhvillohet brenda kornizave institucionale. Qeveritë shkojnë dhe vijnë, por me rëndësi është që të ruhet stabiliteti i vendit dhe të ecet pa pengesa në proceset integruese evropiane. Çdo qeveri dhe legjislaturë luan rol me rëndësi në procesin e sendërtimit të shtetit. Qeveria e re do të luajë rol me rëndësi në proceset e brendshme dhe të jashtme të RKS-së. Edhe në politikën e jashtme do të ketë vazhdimësi. Kosova do pilotojë së bashku me vendet mike rajonale, por dhe globale në procese bilaterale dhe multilaterale.

Natyrisht një gjë e tillë për një vend evropian me demokraci të konsoliduar duket krejt normale, por për një vend rajonal që ka një histori shtetërore jo më të gjatë se 9-vjeçare, është një proces shpresëdhënës dhe ndryshimi i qeverive nuk lëkund rendin dhe vlerat demokratike. Shikoni situatën në Maqedoni.

Meqë e përmendët ... Tre vendet kryesore ku jetojnë shqiptarë, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria janë duke përjetuar zhvillime të trazuara politike. A besoni se ato kanë lidhje me njëra-tjetrën?

Jo. Mund të jetë ndonjë koinçidencë e rastit, por unë nuk shoh lidhje mes proceseve politike në këto tre vende. Absolutisht jo. Kriza në Maqedoni është një krizë krejt tjetër. Është një krizë mes partive politike maqedonase, e që së fundi ka marrë edhe elemente të një krize ndëretnike. Dhe jo në mes të subjekteve politike shqiptare.

Republika e Kosovës konsideron se sjelljet e dhunës dhe përplasjet kundër përfaqësuesve të zgjedhur në Maqedoni që ndodhën në prill në Parlamentin e Maqedonisë, janë të papranueshme dhe nuk i shërbejnë aspak demokracisë, paqes dhe stabilitetit këtij shteti fqinj.

Nuk besoni tek teoritë konspirative të përhapura se mund të ekzistojë “një dorë e fshehtë”, së cilës i intereson një faktor shqiptar i destabilizuar në rajon?

Jo. Pastaj te zhvillimet aktuale në Shqipëri, këtu është fakt se nuk ka ndonjë problem të madh të patejkalueshëm. Këtu, për dallim nga vendet e tjera në rajon, nuk ka minoritet apo grup etnik të tillë që mund ta vështirësojë zgjidhjen e problemit. Këtu kemi të bëjmë me parti politike shqiptare dhe më gëzon fakti që nuk ka trazira apo përplasje të dhunshme. Në fund të fundit, kundërshtitë janë normale në demokraci. Ne në Kosovë kemi zgjedhur pozicionin që ka zgjedhur edhe Shqipëria ndaj Kosovës, që respektojmë marrëveshjet dhe votën e shqiptarëve këtu në Shqipëri. Ndaj dhe ne mirëpritëm marrëveshjen mes pozitës dhe opozitës në Shqipërisë.

Kohët e fundit, termi “Bashkim kombëtar” apo “Shqipëri e Madhe” është komentuar shumë nga mediat, teksa Thaçi dhe Rama kanë përmendur faktin se Kosova dhe Shqipëria janë të përfshira në një kauzë të përbashkët, atë euroatlantike. Kujt i shërben sipas jush përmendja e të tilla termave, vënë pikërisht në gojën e dy liderëve shqiptarë?

Në radhë të parë, Kosova dhe Shqipëria tashmë janë partnerë strategjikë. Ju e dini, në janar 2014, në Prizren u firmos Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunim dhe Partneritet Strategjik nga kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi.

Ajo krijoi shansin për një dinamikë të re në raportet tona bilaterale, përkatësisht në hartimin dhe realizimin e politikave të përbashkëta në planin politik, ekonomik, arsimor, social dhe kulturor. Partneriteti ynë është një partneritet i natyrshëm strategjik, është bashkëpunim në mes dy vendeve që shkon përtej komunikimit miqësor, është tamam bashkëpunim vëllazëror. Ne ndajmë të njëjtën kulturë, të njëjtën gjuhë dhe histori, si dhe të njëjtin vizion për integrim euro-atlantik. Marrëdhëniet tona me Shqipërinë janë në funksion të stabilitetit dhe të evropianizimit të rajonit. E përbashkëta e vendeve tona është se të dyja synojnë anëtarësim në BE dhe në NATO.

Siç konstatoi ditë më parë edhe president Thaçi, termi “Shqipëri e Madhe”, është një propagandë dhe retorikë që po përdoret nga Serbia për ta justifikuar rolin e saj destruktiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Jemi dëshmitarë se në media serbe vazhdimisht e kanë në ballinë këtë term, ndërsa askush në Prishtinë apo Tiranë nuk e përmend termin e ashtuquajtur “Shqipëri e Madhe”. Ky term po përdoret nga Serbia për të justifikuar rolin e saj destabilizues në Kosovë, Bosnjë, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor.

Përse pikërisht prej saj, sipas jush?

Një retorikë e tillë e Beogradit ka për qëllim demonizimin e shqiptarëve. Sepse Kosova dhe Shqipëria janë aty ku kanë qenë. Kosova është ajo që është, me 95% shqiptarë dhe këtu nuk kemi “Shqipëri të Madhe”. Kemi dy shtete. Por, unë mendoj që në Beograd dhe në disa qarqe të caktuara, kjo përdoret për ta maskuar idenë “Serbia e Madhe”.

Dihet botërisht se në mesin e shqiptarëve asnjëherë nuk ka patur një program dhe as nuk ekziston një program, as i shkruar dhe as politik, për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”. Nuk ka një ide zyrtare për të. Kjo është thjesht një formulë artificiale që ka krijuar Beogradi për të fshehur intencën për Serbinë e Madhe dhe për të krijuar mëdyshje ndaj faktorizimit të shqiptarëve në Evropën Juglindore.

Më lejoni t’ju përmend këtu një intervistë të kryeministrit serb, Vuçiç, për portalin “Politico”, ku deklaroi se dëshiron të krijojë Jugosllavinë e re, ku do të përfshihej edhe Shqipëria. E dini zonjë se çfarë do të thotë kjo? Ky koncept do të thotë hiç më pak se Serbi e Madhe! Në optikën e elitave politike dhe kulturore serbe, që një shekull e më shumë, mbretëron ideja serbomadhe për përfshirjen e vendeve të rajonit brenda shtetit serb. Dhe elita politike serbe asnjëherë nuk ka hequr dorë nga synimi dhe politikat e vjetra nacionaliste dhe në axhendën e saj, qoftë në mënyrë të hapur apo të fshehtë, mbetet ideja për krijimin e Serbisë së Madhe. Për më tepër, kur flasim për idenë e Serbisë së Madhe, ne i referohemi dokumenteve të shkruara serbe, i referohemi politikave të dhunshme dhe luftërave që shteti serb i zhvilloi në rajon gjatë shekullit XX në përpjekje për krijimin Serbisë së Madhe.

Të thuash “Kosova është Serbi”, do të thotë të mbrosh edhe më tej konceptin e Serbisë së Madhe. Sepse Kosova me 95% shqiptarë brenda Serbisë ka qenë një okupim klasik dhe një sjellje kolonizatore gati 100-vjeçare. Dhe shkëputja e Kosovës nga Serbia ka krijuar një realitet të ri, një Serbi më reale dhe një stabilitet dhe qëndrueshmëri afatgjate.

Por unë mendoj se Beogradi edhe një shqetësim tjetër. Serbia ka një shqetësim të madh mbi faktorizimin e shqiptarëve në rajon e së fundi edhe në Maqedoni. Natyrisht, ne nuk jemi fajtorë pse jemi këtu, por është fakt se rënia e Murit të Berlinit dhe përfundimi i Luftës së Ftohtë u ka dhënë shqiptarëve një mundësi dhe një shans të ri, që u ishte mohuar prej një shekulli.

Një problem tjetër është se Serbia nuk po mund të akomodohet brenda kufijve të saj aktualë. Sepse për një shekull, ajo ka kontrolluar një territor të gjerë që nuk i ka përkitur asaj në aspektin etnik dhe gjeografik. Serbia po tregon se nuk është mësuar akoma që t’i shohë fqinjët si partnerë të barabartë. Kthimi i saj në kufijtë realë është një problem, si një njeri që është mësuar të dominojë mbi të tjerët, dhe porsa e humb këtë primat, ndjehet i palumtur. Pra, Serbia duhet të mësohet që ta gjejë paqen e brendshme në këta kufij dhe të heqë dorë nga pretendimet e saj territoriale ndaj shtetit të Kosovës, ashtu si Kosova që nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe investon për një fqinjësi konstruktive. Në anën tjetër, në planimetrinë serbe ende investohet në opsionet ekspansioniste për territore, në këtë kuadër edhe për opsionin e ndarjes së Kosovës.

Ndërsa, orientimi strategjik i politikës sonë të jashtme është që Kosova të ketë më shumë njohje, të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s. Në këtë kontekst, jemi të bindur shumë se qeveria e re e Kosovës do të aplikojë edhe për statusin e kandidatit në BE.

Deri tani, ju folët si një zyrtar i Kosovës, rreth qëndrimit zyrtar të saj mbi “Bashkimin Kombëtar”. Ndërkohë që ka përfaqësues politikë në Kosovë, p.sh. nga të opozitës “Vetëvendosje” që e përdorin shpesh këtë term...

Unë po e përsëris, se orientimi strategjik i politikës së jashtme të Kosovës është që ne të integrohemi në sistemin ndërkombëtar. Kurse ideja që proklamon “Vetëvendosje” është orientim politik i një partie politike dhe për momentin, nuk përfaqëson politikën zyrtare të Republikës së Kosovës. Më lejoni të them edhe këtë, se në Evropë ekzistojnë shumë parti politike që përfaqësojnë shumë ide, të cilat nuk janë në të njëjtën linjë me politikën zyrtare të vendeve ku ato operojnë. Mirëpo duhet ditur se as Kosova dhe as Shqipëria nuk paraqesin tendencë për “Shqipëri të Madhe”.

Politika e jashtme e Republikës së Kosovës është e orientuar për t’u angazhuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe konstruktive me të gjitha shtetet e rajonit. Por mund të them se nëse dëshirohet që procesi të mbetet në këto linja që është aktualisht, mendoj që dhe BE duhet të jetë më i shpejtë në procesin e integrimit brenda tij, edhe të Kosovës, edhe të rajonit, sepse po përmbyllim tri dekada qëkur ka përfunduar Lufta e Ftohtë dhe rikthimi ynë në Evropë dukej më i afërt dhe më i prekshëm.

Mbetja e Kosovës jashtë BE-së, NATO-s dhe OKB-së, natyrshëm rrit ambiciet e shqiptarëve të Kosovës për të kërkuar alternativa të tjera. Ta marrim një shembull shumë të thjeshtë, sa më shumë që po vonon liberalizimi i vizave për Kosovën, aq më shumë ka kërkesa ka të studentëve, artistëve, akademikëve dhe biznesmenëve shqiptarë nga Kosova për t’u pajisur me pasaportë shqiptare, në mënyrë që të kenë mundësi më të mëdha për realizimin e projekteve të tyre akademike, artistike apo biznesore.

EKONOMIA

“Kemi shkëmbime, por s’kemi prodhime nga të dyja vendet”

“Kam qenë në linja të komunikimit të rregullt si me institucionet shqiptare, ashtu edhe me bizneset nga Kosova. Është fakt se akoma ka pengesa dhe burokraci, por të jeni të sigurt që në të gjitha takimet e zyrtarëve të të dyjave vendeve, fokusi ka qenë se ç’mund të bëjnë dy shtetet për të eliminuar këto barriera burokratike që e pengojnë biznesin. Është shumë inkurajuese se ekziston vullneti politik si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë për të avancuar këto marrëdhënie bilaterale. Pra, pavarësisht pengesave, duhet pranuar se ka shumë progres. Që nga ndërtimi i autostradës është shënuar një ngritje e madhe e shkëmbimeve midis të dyjave vendeve. Në të njëjtën kohë, duhet ta kemi edhe një gjë parasysh. Deri në ’99-ën ne kemi jetuar dhe vepruar si dy vende të ndara, pa asnjë mundësi bashkëpunimi ekonomik. Dhe për një ditë, nuk mund të bëhet ajo që nuk ka ndodhur me dekada për faktorë lokalë dhe ndërkombëtarë. Ne mund të bashkëpunojmë p.sh. në fushën kulturore, por ekonomia ka disa rregulla të veçanta, që nuk mund ta riorientosh me një goditje. Sepse shumë biznese mund të jenë të lidhura me shtetet e reja të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe duhet kohë dhe vite që të mund të riorientohen në drejtime të tjera. Ajo që kemi evidentuar gjithsesi është fakti se trendet janë pozitive të shkëmbimeve, ka rritje. Kosova dhe Shqipëria kanë bërë një progres shumë të madh edhe pas instalimit të modelit të mbledhjeve të përbashkëta të të dy qeverive. Pas një varg marrëveshjeve dypalëshe dhe mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive shkëmbimet tregtare mes dy vendeve kanë arritur kuotën e 200 milionë eurove. Po ashtu, janë qindra kompani shqiptare në Kosovë dhe shumë të tjera nga Kosova këtu. Prapë ka shumë për të bërë. Por nëse krahasojmë me vitin 2005, edhe numrin e kompanive, shkëmbimet kanë qenë aq minore saqë habitesh. Numri i investitorëve nga Shqipëria në Kosovë ka shënuar rritje dhe llogaritet se arrin në 907 biznese. Ndërsa në vitin 2008 në Kosovë kishte vetëm 97 biznese. Duhet përmendur edhe projekti i interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri. Por, unë mendoj se të dyja vendet duhet të bëjnë shumë më shumë në fushën e prodhimit. Shkëmbime tregtare ne kemi, por niveli i prodhimeve mbetet akoma shumë i ulët nga të dyja anët”.

RAPORTET

“Turizmi, kosovarët çdo verë po i lënë paratë e tyre në Shqipëri”

“Kosovarët çdo verë i harxhojnë paratë e tyre në Shqipëri. Ju keni një industri të madhe turizmi. Është gjë tjetër pastaj sesi funksionon mbledhja e të ardhurave prej tij, sa arrijnë ato të futen në arkën e buxhetit të shtetit. Por të jeni të sigurt që sot nëse janë dy milionë shqiptarë në Kosovë, sot ata në Shqipëri s’vijnë vetëm gjatë verës, por dhe gjatë fundjavave. Këto janë të gjitha para’. Dhe kosovarët sjellin më shumë para’ në Shqipëri, sesa shqiptarët sjellin në Kosovë. Të jeni të sigurt, se vitet e fundit vijnë në Shqipëri edhe shumë kosovarë të diasporës, duke kaluar ditë të tëra këtu. E unë mendoj që ky është një shans i mirë për Shqipërinë. Duhet theksuar se Kosova është tregu kryesor kombëtar i vizitorëve në Shqipëri. Vizitorët nga Kosova përbëjnë gjithmonë afërsisht 40% të tregut total. Duke filluar nga viti 2010, këta kanë qenë në vendin e parë për numrin më të lartë të vizitorëve në Shqipëri. Por dua të vë në dukje këtu edhe një fakt që ia kam thënë edhe një ministri tuaj në Tiranë, që përse i mbani zgjedhjet gjithmonë gjatë sezonit të verës? Unë e di se kjo është e përcaktuar me kushtetutë, por kjo është një kohë tërësisht e papërshtatshme për industrinë e turizmit, pasi gjithmonë kemi procesin e transferimit të pushtetit nga një qeveri tek tjera”.

Demarkacioni me Malin e Zi

“Shqiptarët janë të ndjeshëm për kufijtë, por kohët kanë ndryshuar”

“Një gjë mund të them në kuptimin strategjik. Që për ne, Mali i Zi mbetet një fqinj shumë konstruktiv, i cili na ka ndihmuar në çdo nismë rajonale apo ndërkombëtare. Dhe ne e vlerësojmë këtë pozicion të këtij shteti fqinj. Natyrisht, ju duhet ta dini që historia e kufijve me shqiptarët ka qenë e dhimbshme dhe tek ne njerëzit me apo pa të drejtë shumë lehtë shfaqin mëdyshje dhe hezitime kur bëhet fjalë për kufijtë. Por unë mendoj se për këtë çështje duhet të ketë maturi institucionale e një komunikim sa më gjithëpërfshirës, të shihet i gjithë dokumentacioni edhe nga ata që kanë mëdyshje. Duhet të shmanget qasja partiake dhe të arrihet një konsensus i brendshëm. Jam i sigurt se kjo çështje do të zgjidhet në mandatin e qeverisë së ardhshme. Por unë e thashë edhe më lart, që shqiptarët kur bëhet fjalë për temën e kufijve kanë një ndjeshmëri të veçantë, meqë nga e kaluara kanë përvoja të hidhura. Por gjithashtu nuk duhet ta harruar se tani nuk është më as e koha e Kongresit të Berlinit, as e Konferencës së Londrës, as e Versajës dhe as e Jaltës. Kohët dhe konteksti kanë ndryshuar ...”.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: