Shqiptarët qarkullojnë 131.2 milionë kartëmonedha

Shqiptarët qarkullojnë 131.2 milionë kartëmonedha
Qytetarët shqiptarë qarkullojnë rreth 131.2 milionë kartëmonedha. Një shifër kjo, e cila në totalin e saj përkthehet në një vlerë monetare prej rreth 254.722 miliardë lekësh. Kjo konfirmohet nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilëve, saktësisht “në fund të vitit 2016, rezultuan 131.202.354 copë kartëmonedha në qarkullim” dhe se “në krahasim me vitin 2015, numri i tyre është rritur me rreth 5.9 milionë copë, kurse vlera e tyre është rritur me nivelin prej +8.2%”. Duke sqaruar ndërkaq, se këtë ndryshim e shkakton pikërisht prerja e re që bëhet nga banka qendrore, sidomos në favor të kartëmonedhave me vlerë nominale prej 5000 dhe 2000 lekësh. Kjo edhe për faktin se vëllimi i kërkesave nga bankat e nivelit të dytë për pagesa pati një rritje me nivelin prej 25.9%. E thënë më thjesht, bankat kishin nevojë për lekë dhe ato u furnizuan me prerje të reja të tyre. “Vlera mesatare e një kartëmonedhe në qarkullim në fund të vitit 2016 arriti në 1941 lekë, nga 1878 lekë që ishte në fund të vitit 2015”, argumentojnë ndërkaq ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Duke referuar kështu se monedha vendase si e tillë, po gjen gjithmonë e më shumë përdorim në qarkullimin e saj të gjerë nga qytetarët shqiptarë, kundrejt dobësimit të valutave.

Ndërkaq, sa u përket monedhave metalike, Banka e Shqipërisë referon se në fund të vitit të kaluar rezultuan 170.494.419 copë të tilla në qarkullim, me një vlerë totale prej 4.098 miliardë lekë. “Në krahasim me vitin 2015, rezulton një rritje e numrit të monedhave metalike me 7.6% dhe një rritje e vlerës së tyre me 7.9%”, sqarojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Duke shtuar sakaq se në fund të vitit 2016, raporti i përgjithshëm midis vlerës së monedhës metalike ndaj kartëmonedhës rezultoi pothuajse i njëjtë me vitin e kaluar.

25.9 milionë kartëmonedha të grisura, ekspertët i hoqën direkt nga qarkullimi

Ato rezultonin të grisura dhe aspak të përshtatshme për të kryer pagesa, e si të tilla, ekspertët i tërhoqën direkt nga qarkullimi, një pjesë të mirë duke e ripërpunuar. Fjala është për plot 25.9 milionë copë kartëmonedha të konsideruara si të papërshtatshme për përdorim nga një kontroll i ushtruar prej bankës qendrore. “Gjatë vitit 2016, u përpunuan rreth 114 milionë copë kartëmonedha, të cilat u kontrolluan për autenticitet dhe përshtatshmëri për riqarkullim. Nga përpunimi rezultuan rreth 25.9 milionë copë kartëmonedha të papërshtatshme për përdorim, të cilat u tërhoqën nga qarkullimi. Norma e sortimit ishte 22.6%, ndërkohë që i njëjti tregues për vitin 2015 ishte 25%”, argumentojnë ekspertët lidhur me këtë dukuri. Duke shtuar më tej faktin se kartëmonedhat e papërshtatshme për qarkullim janë zëvendësuar rast pas rasti me kartëmonedha të reja, të përshtatshme për qarkullim. E lidhur me këtë të fundit, ata pohojnë se koefiçienti i qarkullimit të kartëmonedhës për vitin 2016 rezultoi në vlerën 0.95, që do të thotë se një kartëmonedhë kthehet mesatarisht rreth një herë në vit në sportelet e Bankës së Shqipërisë. “Ky koefiçient është më i lartë për prerjet 500 lekë, 1000 lekë (rreth 1.7 dhe rreth 1.2) dhe më i vogël për prerjet 5000 dhe 2000 (rreth 0.22 dhe 0.78), gjë që tregon se këto të fundit kthehen më rrallë në sportelet e Bankës së Shqipërisë”, sqaron gjithashtu BSH-ja.

Gjysma e falsifikimeve, me kartëmonedhën 1000 lekëshe

Kujdes kur keni në dorë një kartëmonedhë 1000 lekëshe. Sepse një në dy, është probabiliteti që ajo mund të jetë e falsifikuar. Dhe kjo, pasi sipas Bankës së Shqipërisë, pikërisht falsifikimet e kësaj kartëmonedhe zunë gjatë vitit të kaluar 47% të totalit të tyre. Edhe pse në tërësi, sipas këtij institucioni, është fakt se vjet, sasia e kartëmonedhave dhe monedhave metalike të falsifikuara, të zbuluara në qarkullim, ka pësuar ulje me -13.4%, krahasuar me një vit më parë. “Kartëmonedha 1000 lekëshe është e ndjekur më pas nga monedha metalike 50 lekë me 19% të totalit, si dhe prerjet 500 lekë dhe 2000 lekë me respektivisht 15% dhe 14 % të totalit të falsifikimeve”, sqarohet më tej nga ekspertët e Bankës së Shqipërisë. Duke shtuar gjithashtu se nga monitorimi i fenomenit të falsifikimit për kartëmonedhat kombëtare të evidentuara si të falsifikuara, vijojnë të dominojnë riprodhimet digjitale me ngjyra, të kombinuara me aplikimin e metodave aditive për imitimin e elementeve të sigurisë. Ndërkohë, sa i përket teknikës bazë të falsifikimit të kartëmonedhave nuk konstatohet tendencë drejt printimeve me natyrë profesionale, duke u fokusuar në përmirësimin e aftësisë për imitimin e elementeve të sigurisë së nivelit të parë, me natyrë vizuale dhe të prekjes, dhe më rrallë tek ato të lexueshëm nga pajisjet autentifikuese.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: