Zbutet hendeku gjinor i pagave, femrat po u afrohen meshkujve

Zbutet hendeku gjinor i pagave, femrat po u afrohen meshkujve
Të jesh femër, në Shqipëri është një fakt që të kushton edhe tek paga që merr në vendin e punës. Një rregull ky i pashkruar asgjëkundi dhe që mesa duket gjen zbatim qoftë në shtet, qoftë në privat. Por që sipas të dhënave zyrtare, po shkon drejt zbutjes së tij me kalimin e viteve.

Mjaft të kujtojmë këtu se ndërsa për vitin 2014, hendeku i krijuar mes dy gjinive në paga, mes meshkujve dhe femrave ka qenë në nivelin prej 10%, kurse një vit më pas ai zbriti në vetëm 6.5%. Për të arritur që vitin e kaluar, 2016, ai të ishte në një nivel akoma edhe më të ulët, prej 6.3%, e për të folur kështu për një stimulim akoma më të madh të gjinisë femërore në aspektin e pagesës në punë.

“Në sektorin shtetëror hendeku gjinor në paga është më i ulët se sa në sektorët e tjerë të ekonomisë”, citon raporti i fundit të Institutit të Statistikave për tregun e punës, lidhur me një dukuri të tillë. Duke dhënë shifrat konkrete prej 8.7% të hendekut gjinor ekzistues në paga në ndërmarrjet shtetërore dhe 10.6% në ndërmarrjet private shqiptare. Çka tregon se në shtet, dukuria e pagave më të ulëta për femrat kundrejt meshkujve paraqitet më e zbehtë, sesa në sektorin privat, ku ajo është më e thelluar.

Gjë e cila duket se nuk ndodh aspak në ndërmarrjet private që drejtohen nga shtetas të huaj, të cilët gjithmonë nëse u referohemi të dhënave të INSTAT-it, rezulton se aplikojnë një politikë aspak mbështetëse për femrat shqiptare si të tilla, ndërsa i paguajnë ato me një nivel mesatar pagash që rezulton të jetë rreth 33.6% më pak sesa ai i meshkujve.

Dukuri kjo që gjithashtu e aplikojnë edhe ndërmarrjet me pronësi shtetas të huaj, por edhe shqiptarë në të njëjtën kohë, edhe pse në nivel më të zbutur, deri në 30% të hendekut gjinor në paga.

Lista, cilat janë 5 profesionet më të paguara sot në vend?

Në Shqipëri rezultojnë për momentin pesë profesione, ushtruesit e të cilëve kanë paga më të larta se të tjerët. Këtë e konfirmon vetë Instituti i Statistikave, sipas të cilit në vitin e kaluar 2016, pesë grup-profesionet me pagën mesatare mujore bruto më të lartë rezultuan se janë: Drejtues administrativë dhe komercialë; Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit; Drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara; Specialistë të administrimit dhe biznesit; Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë. Duke shtuar nga ana tjetër se paga mesatare mujore bruto është më e ulët për grup-profesionet në të cilat niveli i aftësive të kërkuara është i ulët, të tilla si: Prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare; Punëtorë për shitje dhe shërbime të ndryshme në rrugë; Ndihmës në përgatitjen e ushqimit; Punonjës të përpunimit të ushqimit, drurit, tekstileve dhe tjera të ngjashme; Punonjës të prodhimit të sendeve të imta; Punonjës të punëve me dorë (artizanët) të shtypshkrimit dhe të tjera të ngjashme.

Të punosh në Tiranë, vetëm 5.4% merren me bujqësi

Të punosh në Tiranë, do të thotë që duhet të merresh kryesisht me një punë që përfshihet në sektorin e shërbimeve, por ndoshta edhe me industri, kryesisht ajo e lehtë dhe ushqimore. E kjo, pasi norma e punësimit në këtë qark për sektorin e bujqësisë rezulton se është më e ulëta në vend, vetëm 5.4%, më e ulëta në rang vendi. Teksa qarqe të tjera e kanë këtë nivel mbi 40%, çka përkthehet në praktikë me më shumë të punësuar në këtë sektor. Kurse kryeqyteti dhe rrethinat e tij duket se ofrojnë më shumë punë që kanë lidhje me kompani të ndryshme, qofshin ato shtetërore apo provate, në sektorin e shërbimeve, por edhe industri, duke qenë se ky është edhe qarku kryesor i vendit, ku është e pranishme edhe zona kyçe industriale e tij.

Në Kukës, qarku me bujqësinë më të lartë dhe industrinë më të ulët

Ai mund të quhet pa frikë si qarku më bujqësor i vendit dhe kjo pasi rreth 2/3-tat e popullsisë së tij merren pikërisht me sektorin e bujqësisë dhe rezultojnë si të punësuar në të. Por edhe për faktin se nga ana tjetër, sektori industrial si i tillë zë nivelin më të ulët në rang vendi, me vetëm 7.6% të punësimit të popullatës. Pa harruar këto as sektorin e shërbimeve, i cili gjithashtu ka normën më të ulët në vend, pas qarkut të Dibrës, me vetëm 22.4% të punësimit të popullatës.

Gjirokastra, qarku me punësimet më të barabarta në gjithë sektorët

Qarku i Gjirokastrës rezulton se është i vetmi në vend ku norma e punësimit për tre sektorët kryesorë të ekonomisë, është thuajse e barabartë për secilën. Konkretisht, në sektorin e bujqësisë, për këtë qark rezultojnë se janë të punësuar rreth 44% e qytetarëve të tij. Për të vijuar më tej me sektorin e industrisë, norma e punësimit në të cilin rezulton se është rreth 25% dhe më tej, ajo në sektorin e shërbimeve, vërtitet në nivelin prej 31.2%. Duke folur kështu për një ndarje pak a shumë të përafërt të natyrës së punësimit në rrethet e tij, ndryshe nga qarqet e tjera në vend, që këtë ndarje mes këtyre tre sektorëve e kanë më të theksuar.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: