ZGJEDHJET RREZIKOJNË BORXHIN PUBLIK - Nga EDUARD ZALOSHNJA

ZGJEDHJET RREZIKOJNË BORXHIN PUBLIK - Nga EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Kur FMN-ja i akordoi qeverisë shqiptare një kredi të butë prej 400 milionë dollarësh (para 3.5 vjetësh), i vuri kusht ta ulte gradualisht borxhin publik (si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto - PBB), sepse ai kishte nisur një spirale të rrezikshme rritjeje. Së bashku me qeverinë, ekspertët e FMN-së bënë parashikimin e ecurisë së borxhit publik ndër vite, por siç duket qartë në grafikun 1, ecuria faktike e borxhit publik (si përqindje ndaj PBB-së), nuk ka qenë siç u parashikua nga FMN-ja dhe qeveria.

Sipas parashikimit të qeverisë dhe të FMN-së, niveli i borxhit publik në fund të 2016-ës, duhej të ishte sa 69.2% e PBB-së, ndërkohë që, në fakt, ndaloi në nivelin 71% të PBB-së. Ky nivel konsiderohet i rrezikshëm për një vend si Shqipëria, sepse aftësia e saj paguese për shlyerjen e borxhit, është e vogël.

Kështu, sikur të ardhurat buxhetore të dedikohen të gjitha vetëm për shlyerjen e borxhit publik të akumuluar ndër vite - pra, të mos shkojnë për shpenzimet e zakonshme të qeverisë, si paga, pensione, investime, etj., - Shqipërisë do t’i duheshin 2.6 vjet, për ta bërë borxhin zero. Krahasimisht, Greqisë (që është shpëtuar tri herë kohët e fundit nga BE-ja dhe FMN-ja), do t’i duheshin 3.6 vjet, ndërsa Malit të Zi do t’i duheshin vetëm 1.6 vjet (FMN-ja u sugjeron vendeve në zhvillim, ta mbajnë këtë tregues nën 2.5).

Arsyeja pse borxhi publik nuk ka zbritur në nivelin e parashikuar nga FMN-ja, është sepse të ardhurat buxhetore nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet (grafiku 2). Sa më shumë t’i afrohen të ardhurat shpenzimeve, aq më e pakët është nevoja për të marrë borxh të ri. Por problemi është se shpenzimet përcaktohen me ligj në buxhetet e miratuara në fillim të viteve (me mbikëqyrjen e FMN-së), ndërsa të ardhurat vetëm mund të parashikohen. Siç duket qartë në grafikun 2, rritja e të ardhurave nuk është bërë me ritmin e parashikuar, që t’u afroheshin shpenzimeve.

Në fakt, në vitin e fundit (2016), të ardhurat (27% e PBB-së) iu afruan goxha shpenzimeve (28.7% e PBB-së). Dhe në qoftë se vazhdon kjo prirje, mund të realizohet objektivi afatgjatë i Shqipërisë që, në fund të vitit 2019, borxhi publik të jetë sa 60% e PBB-së.

Por zgjedhjet dhe mbarimi i programit 3-vjeçar të FMN-së, duket se do të shtojnë trysninë për rritjen e shpenzimeve në të ardhmen, si dhe për pakësimin e të ardhurave. Kur të ardhurat janë më të vogla për të përballuar shpenzime më të mëdha, detyrohesh të marrësh më shumë borxh...

Kështu, PD-ja premton TVSH 15% dhe taksë të sheshtë 9% ndaj të ardhurave personale e fitimeve të bizneseve. Në vitin më të mirë fiskal të qeverisjes së PD-së (2008), të ardhurat buxhetore arritën nivelin 27% të PBB-së, ndërkohë që TVSH-ja ishte më e lartë atëherë (20%, e jo 15%). Gjithashtu më e lartë ishte edhe taksa e sheshtë,10% e jo 9%. (Mos të harrojmë që PD-ja e mbylli qeverisjen e saj me të ardhura sa 24% e PBB-së.) Me pak fjalë, ulja e TVSH-së në 15% dhe e taksës së sheshtë në 9%, do t’i çonte të ardhurat buxhetore poshtë nivelit aktual - që është sa 27% e PBB-së.

Nga ana tjetër, PD-ja premton shpenzime shtesë për çdo grup shoqëror, prej të cilit pret të marrë vota (rritje pagash e pensionesh, etj.), si dhe investime të ngjashme me të vitit 2008. Por sado të përmirësohet administrimi i shpenzimeve (përmes uljes së korrupsionit), nuk duhet harruar se, në vitin 2008, niveli i shpenzimeve buxhetore ishte sa 32% e PBB-së.

Pra, edhe sikur të arrijë të përsërisë vitin e saj më të mirë fiskal, një qeveri e PD-së do ta shtonte që vitin e parë borxhin publik me 5% të PBB-së (32% të PBB-së shpenzimet, minus 27% të PBB-së të ardhurat).

Meqë PD-ja po bën premtime për ulje taksash dhe rritje shpenzimesh e investimesh buxhetore (pavarësisht se ç’mund të ndodhë me borxhin publik), nuk mbetet pas edhe qeveria. Në prag të zgjedhjeve, ajo po ofron/premton amnisti fiskale, rritje rrogash e pensionesh, si dhe investime buxhetore.

Gjë që mund ta rrisë përsëri përqindjen e borxhit publik ndaj PBB-së, në vend që ta ulë atë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: