Alban Hoxha dhe Gentjan Muça, dy kapitenë në “kahe të kundërta”

Alban Hoxha dhe Gentjan Muça, dy kapitenë në “kahe të kundërta”
Gentjan Muça dhe Alban Hoxha, kapitenët e Tiranës dhe Partizanit, këtë vit festojnë 30-vjetorin. Kapiteni i Tiranës do të mbetet bardheblu edhe pse në një kategori më poshtë, ndryshe nga ai të kuqve që tregon arsyet pse kërkon një eksperiencë jashtë (Spal e kërkon në Seria A)

Nga Aranit Muraçi

Në maj të këtij viti kapiteni i Tiranës, Gentjan Muça, mbushi 30 vjeç. Ai e festoi përvjetorin e veçantë në mesin të majit, kohë kur u shënuan edhe ditët më të errëta të klubit bardheblu. Tirana ra pas ndeshjes së fundit me Vllazninë në një kategori më poshtë, ndërsa kapiteni Muça për shkak të një dëmtimi të gjatë nuk ishte në fushë për të ndihmuar skuadrën në momentin e saj më të vështirë në histori. Ky peng duket se u shoqëroi kapitenin, i cili në prag të sezonit të ri, vendosi të qëndrojë te bardheblutë. “Do të jem pjesë e Tiranës,” – pranoi Muça. “Me mbështetjen e tifozëve mund ta kishim shmangur rënien,” – shtoi ai. - “Por edhe pse e vështirë, mendoj se zgjedhja ime për të qëndruar lidhet me këtë fakt, që të ringremë Tiranën.” Mësohet se për kapitenin bardheblu kishte oferta edhe nga ekipet e tjera shqiptare dhe vendet fqinje. Gentjan Muça ka sakrifikuar nga karriera e tij, për të udhëhequr 24-herë kampionët e Shqipërisë drejt rikngritjes në vendin që ka mbajtur historikisht Tirana, në elitën e futbollit shqiptar. Bardheblutë si fitues të Kupës së Shqipërisë. Madje presidenti Refik Halili nuk e pati të vështira ta binde kapitenin e Tiranës, i cili mori përsipër të qëndronte bardheblu me misionin për të qenë lider i skuadrës së tij në Kategorinë e Parë. Për ekipin, Muça ka marr përsipër riskun personal në karrierë, pasi pas një sezoni ai do ta ketë të vështirë, gati të pamundur të gjejë një ekip në ligë më të fortë në Europë, si dhe të realizojë ambicien që ka çdo futbollist shqiptar: fanella e Kombëtares së Shqipërisë.

E njëjta situata, por pa dramën që preku këtë sezon Tiranën, shoqëron edhe kapitenin e Partizanit. Alban Hoxha në nëntor të këtij viti mbush 30-vjeç. Me një portier si Alban Hoxha Partizani e sheh edhe më të realizueshëm misionin për të fituar titullin kampion, trofe që u mungon të kuqve prej më shumë se dy dekadash. Me një kapiten si ai edhe më e gjatë i duket trajnerit Starova “rruga” e Europa League, ku synimet janë të paktën kalimi i një turi. Por ambiciet personale nuk i premtojnë portierit, teksa vitet kalojnë dhe pas të 30-ve, ai e sheh të vështirë të shohë për një karrierë më të mirë personale jashtë vendit. Hoxha pranoi për “Albanian Free Press” më herët se mbetet i interesuar për një eksperiencë jashtë. “Mendoj se si portier jam i njëjti, por nuk është e njëjtë gjë nëse luan në Shqipëri, apo në një kampionat më të zhvilluar. Kjo ndikon edhe në vlerësim edhe në kombëtare,” – tha Alban Hoxha. Portieri iu bashkua dy ditë më parë ekipit të tij në Ohër, teksa mësohet se ishte në bisedime me një klub të huaj italian.  Ekipi i SPAL, skuadra e sapongjitur në Seria A, është e interesuar për shërbimet e portierit të kombëtares sonë (flitet për një ofertë 200 mijë euro).  Alban Hoxha po e kërkon një eksperiencë jashtë për të mos mbetur “kartë stoli” në kombëtare. E vërteta është se ai nuk e fitoi dot vendin në kombëtare, pavarësisht mungesës së Etrit Berishës, për faktin se Gianni de Biasi i besoi një emri të Seria A, Thomas Strakosha. Edhe pse i ri në moshë dhe pa eksperiencë, fakti që Strakosha shkëlqeu brenda pak muajsh të Lazio e zhvlerësoi karrierën disa vjeçare te Alban Hoxhës në kampionatin shqiptar, te një ndër ekipet kryesore për të fituar titullin gjatë sezoneve të fundit. Alban Hoxha do ta pranonte me kënaqësi një ofertë nga Seria A, duke marrë edhe miratimin e klubit, por a do të realizohet dhe a do t’i funksionojë portierit për të realizuar hovin e madh në karrierë. Asgjë s’është e pamundur, sikurse asgjë nuk është e sigurt.

Tirana

Tirana fitoi 3-0 një ndeshje miqësore ndaj Kukësit, në miqësoren e djeshme zhvilluar në kryeqytet. Përballë bardhebluve, në fushë zbriti ekipi B i Kukësit, ndaj të cilëve bardheblutë e patën të lehtë fitoren.  Merveil në 3', Doka në 34’, dhe Zhivanaj në 52’ i dhanë fitoren bardhebluve, në një test për kryeqytetasit e drejtuar nga Ze Maria para Europa League.  Tirana do të luajë në ora 20:00 me Maccabi Tel Aviv, në Netania, në raundin e parë kualifikues të Europa League, dhe në të njëjtën orë do të luajë një javë më pas ndeshjen e kthimit në “Selman Stërmasi”.

Partizani

Partizani ka mbyllur përgatitjet në Ohër të Maqedonisë. Të kuqtë do të luajnë para ndeshjes me ekipin bullgar në Europa League, një miqësore me Prishtinën. Ndeshja miqësore do të luhet më 24 qershor, në ora 17:00, në Laç. Të besuarit e Starovës do të luajnë në ora 17:00, ditën e enjte, më 29 qershor në “Selman Stërmasi”, ndaj Batev Plovdiv ndeshjen e parë kualifikuese të Europa League. Interesant është fakti se dy ekipet e kryeqytetit kanë preferuar të luajnë për Europën në stadiumin e vetëm kryeqytetas dhe jo në “Elbasan Arena”.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: