Andreino Lena: Flamurtari, tifozët e Vlorës më të furishmit në Europë

Andreino Lena: Flamurtari, tifozët  e Vlorës më të furishmit në Europë
INTERVISTA/ Flet këngëtari Andreino Lena: Këngën për Flamurtarin e bëra për tifozët dhe popullin vlonjat

 

“Tifozët e Vlorës ishin më të furishmit në Europë. Ndeshje të bukura, stadium i mbushur, entuziazëm i paparë, njerëz plot dëshirë që i jepnin zemër skuadrës së vet të zemrës...”. Kështu e komenton gjatë një interviste për “Albanian Free Press” ekipin e zemrës, Flamurtatin, por edhe tifozërinë e tij vlonjate, këngëtari Andreino Lena. Deri tashmë ai ka në arkivin e tij mbi 20 këngë, por sipas tij, pikërisht kënga për ekipin e Flamurtarit është ajo më e bukura që ai ka realizuar. “Kjo këngë kam mendimin se i afrohet dëshirës, por dhe historikut të ekipit heroik të futbollit të qyteti tim”, rrëfen mes të tjerash ai.

 

 

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

 

Si lindi dëshira për të bërë një këngë për ekipin legjendar të futbollit, Flamurtarin?

Personalisht, unë jam shumë i dashuruar me futbollin dhe veçanërisht me ekipin e Flamurtarit. Familjarisht, jemi tifozë të kësaj skuadre që dikur ka qenë një skuadër me shumë famë. Kam dëgjuar nga babai, nga të afërmit, nga njerëz të ndryshëm për këtë ekip dhe ndihesha i ngazëllyer. Thuajse ndjek çdo ndeshje të tij dhe mezi pres ndeshjet që zhvillon.  Edhe mes shokësh, çdo ditë diskutojmë për ekipin tonë të zemrës. E gjithë Vlora është shumë e dashuruar me sportin. Pas ndeshjeve, ne diskutojmë shumë në familje për skuadrën tonë në veçanti, por edhe për futbollin në përgjithësi. Para disa kohësh kur po dëgjonim një këngë për një ekip futbolli, babai hodhi idenë që të realizojmë dhe ne një të tillë për ekipin tonë. E menduam gjatë dhe vendosëm ta realizojmë.

 

Kujt ia hodhe si ide këtë mendim?

Së pari, së bashku me babanë këtë dëshirë ia bëmë poetit, mikut të familjes, Jorgo Papingji. Ai menjëherë u entuziazmua e tha se e kishte ndërmend edhe vetë të bënte një tekst të tillë për ekipin e Flamurtarit, madje theksoi se ishte nisur disa herë ta bënte, por për arsye të ndryshme e kishte lënë në mes. Pra, u zgjidh problemi i parë dhe kryesori. Them kryesori, se poeti Papingji është me origjinë vlonjate dhe e njeh shpirtin luftarak të popullit vlonjat, njeh dëshirat dhe dashurinë e madhe të tij për futbollin. Ishim të bindur se ai do të bënte një tekst që do të pëlqehej shumë nga populli i Vlorës. Së dyti, na duhej të gjenim kompozitorin. Duhej sërish një kompozitor që të njihte zërin tim, karakteristikat e zërit, melodinë e zërit që t’i përshtatej këngës. Pastaj duhej që kënga, muzika të lidhej me tekstin. Duke parë bashkëpunimet dhe karakteristikat e kësaj kënge menduam që të bashkëpunonim me kompozitorin Artur Dhamo. Arsyeja tjetër që shkuam tek ky kompozitor ishte se ai kryen dhe orkestrimin e njeh mirë ato çka duhet të përcjellë tek populli vlonjat.

 

Sa kohë punuat për këtë klip? 

Punuam mbi tre muaj. Donim të nxirrnim një klip sa më real, sa më afër dëshirës së sportdashësve vlonjat. Shikonim me radhë të gjitha ndeshjet më të bukura që Flamurtari ka shënuar në kohë si brenda vendit po ashtu dhe jashtë vendit. Mbi të gjitha, më habisnin tifozët vlonjatë. Stadiumi gjithmonë i mbushur plot. Një stadium jo i vogël në atë kohë për qytetin tonë. Mund të them se tifozët e Vlorës, sidomos atë kohë, ishin më të furishmit në Europë. Ndeshje të bukura, stadium i mbushur, entuziazëm i paparë, njerëz plot dëshirë që i jepnin zemër skuadrës së vet të zemrës.

 

Mendoni se ia arritët qëllimit?

Besoj se po! Klipi hapet me golin e Vasil Ruçit në ndeshje me “Barcelonën” dhe gjatë gjithë kohështrirjes së tij ka fragmente golash nga më të bukurit që kanë shënuar futbollistët vlonjatë në ndeshjet më të rëndësishme. Teksti dhe muzika përputhen me idenë dhe mesazhin e këngës. Besoj se janë në unitet. Kjo këngë kam mendimin se i afrohet dëshirës, por dhe historikut të ekipit heroik të futbollit të qyteti tim. Unë jam munduar të jap maksimumin tashmë është spektatori, është kritika, janë populli, por dhe tifozët e Vorës ata që do t’i vënë vulën dhe notën kësaj kënge.

 

 

 

Vendi i realizimit të klipit

 

“Klipin i kam realizuar në stadiumin e Vlorës, ku krahas ambienteve të stadiumit kam marrë dhe golat më të bukur të Flamurtarit, të realizuara ndaj Partizanit të Beogradit dhe Barcelonës së Spanjës. Ato gola i kam parë me mijëra herë dhe nuk ngopem. Jam gola të rrallë që dhe sot pak shënohen nga të gjitha ekipet e mëdha të futbollit botëror. Ata gola më japin një gjëmim të brendshëm dhe një krenari të ligjshme, se çfarë futbollistësh kemi pasur dhe me sa përgjegjësi kemi luajtur. E them me mburrje që golat e Rucit ndaj Barcelonës dhe Kushtës ndaj Partizanit të Beogradit, janë gola që mund t’i quash të rrallë në historinë e futbollit ndaj skuadrave më me emër të kohës.

 

 

HISTORI

 

Ja çfarë thuhet në një intervistë të Rucit:

 

“Barcelona mbërriti në Vlorë, në vjeshtë, në shtatorin e Kupave të Evropës. Në formacionin e saj, yjet ishin prezent. Në portë, Zubizareta i Barcelonës dhe i kombëtares spanjolle. Linekeri, ylli i Anglisë, lojtar i kombëtares. Ishin gjithashtu Hjuxh si dhe spanjollët e kombëtares Karasko, Alberto, Miguer, Viktor. Më kanë pyetur të gjithë, ndonëse kanë rrjedhur vite: Si e bëre golin me Barcelonën? Sot po e përmbledh me dy radhë: Një top ka ardhur nga mesfusha, e kam stopuar dhe kam gjuajtur. Unë e ruaja vizionin e portës edhe kur sytë nuk shohin portën. Zubizareta me gjithë lëvizjet, ishte një portier i mahnitshëm. Furia e gjuajtjes ishte e madhe, brenda disa sekondave, topi pushoi në rrjetë dhe e drodhi Zubizaretën”. Në Vlorë do të mbaronte 1-0 për Flamurtarin.

 

Në Beograd

 

Ja çfarë ka thënë Fadil Vokrri:

 

“Partizani i Beogradit në ndeshjen e kthimit në stadiumin e Armatës Popullore luajti shkëlqyeshëm. Ne udhëhoqëm 2-0 në pjesën e parë, pas një loje shumë të mirë dhe njërin prej golave e shënova unë. Godita edhe një shtyllë. Por ne nuk mundëm të mposhtim portierin e shkëlqyer Arapi, i cili atë ditë ka bërë mrekullira, që vetëm një portier si ai mund t’i realizonte. Shtatë minuta para mbarimit të ndeshjes Sokol Kushta me një gjuajtje të rrëmbyeshme shënoi një gol të bukur, që e çoi Flamurtarin në garat e mëtejshme. Trajneri Jusufi e pranoi skualifikimin, si një sportist i vërtetë dhe i uroi suksese të njëpasnjëshme Flamurtarit. Nuk më harrohen tre- katër minutat e fundit, kur u larguan tifozët jugosllavë nga stadium të deziluzionuar". 

 

 

Teksti i këngës

 

“Flamurtarit”

 

Me fanellën kuq e zi, plot me nder e me lavdi;

Emri yt në histori është i gdhendur me flori;

Flamurtar o flamurtar, ti je flak, e ti je zjarr;

Për ty malli na ka marrë, të shikojmë në vend të parë;

Flamurtar oe oe, mos harro emrin që ke;

Mbaje fjalën që na dhe ku je ti, jemi dhe ne,

 

***

 

Ti fanellën ke dhuratë, të ka bërë Zoti me fat;

Nëse je vërtet vlonjat, mos ul kokën mbaje lart;

Flamurtar, oe, oe, mos harro emrin që ke;

Mbaje fjalën që na dhe ku je ti, jemi dhe ne.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: