Anila Zajmi Katanolli: Ju rrëfej engjëjt shqiptarë tek “Lukrecia Borxhia”

Anila Zajmi Katanolli: Ju rrëfej engjëjt shqiptarë tek “Lukrecia Borxhia”
Në studion e punës së kostumografes dhe stilistes së njohur, Anila Zajmi Katanolli, të dukej vetja sikur ishe në një muze etnografik. Por ndërkohë ishe dhe në një gala, kishte mëndafshe e lino, por kishte veshje unike, të krijuara nga pëlhura të endura me dorë, si dikur. Aty nuk ishin lënë pas dore detajet, me rigorozitet aksesorët ishin nga vetë dora e Anilës, varëset, çantat, vëthët. Por pa u kthyer në “konsum”. Veshjet ishin pak, por me pëlhura shumë të çmuara, pjesa më e madhe me detaje etnike, por të hedhura me finesë. Ky raport i ngushtë i kostumografes me etnosin më ka intriguar gjithmonë, sepse ka pas hulumtim dhe kërkim pasionant. Por ajo që më bëri të ndaloj ishin qilimat e sixhadetë, punimet me xham e qeramikë, të gjitha “made in” Anila Zajmi Katanolli. Por le t’ia lëmë rrëfimit të saj të tregojë më shumë....

 

Nga Juela Meçani

 

Ka pak ditë që ka mbyllur siparin vepra voluminoze "Lukrecia Borxhia". Ju ishit kostumografe e veprës. Sa kohë kishit që përgatiteshit për veprën dhe si erdhi ky bashkëpunim?

 

“Lukrecia Borxhia” ishte projekt i një regjisori francez me Teatrin Kombëtar të prozës, me të cilin kam pasur një tjetër bashkëpunim dhjetë vite më parë, "Berberi i Sevilies". Punën për krijimin e kostumografisë e kam nisur që në gusht të 2016-ës, një nga punët e mia më të gjata në këtë zhanër, 10 muaj, e cila vjen vetëm pas "Don Kishotit", balet në TKOB me një vit e pak, veprës sime të parë në karrierë.

 

Nën një vështrim të ri, veshjet kishin aromë etnosi shqiptar. Punë kërkimore? Na tregoni diçka më shumë.

 

Më pëlqen shumë kur përziej artin me etnosin në punën time, kështu që e pata shumë për zemër subjektin mesjetar të Lukrecias. Ndjeva nevojën të vë në shërbim gjithë arsenalin tim të studimit në fushën e etnografisë dhe të thellohesha më shumë duke hulumtuar për disa specifika të trajtimit figurativ të kostumeve. Pata dëshirën që kostumet të kishin shijen e thelbit të karakterit shqiptar, duke përfshirë karakteristikat e veshjes shqiptare në të gjitha trevat shqipfolëse në përputhje me personazhet dhe trajektoren e zhvillimit të tyre. Jam munduar të shpreh madhështinë e kostumeve shqiptare të interpretuara artistikisht me një kohë pa kohë, por që përputhet me kohën e Skënderbeut, kalorësve që mbrojtën krishtërimin deri në flijim.

 

Një element të veçantë që kam përdorur nga etnosi shqiptar janë krahët e varur të xhamadanëve, të cilët të çojnë në mënyrë intuitive dhe simbolike te engjëjt e apokalipsit. Ky ishte një element mbizotërues për krijimin e fizionomisë së kostumeve në këtë vepër. Krahët ishin prezentë në forma të ndryshme në të gjithë personazhet, doja t’i hyjnizoja shqiptarët, të evidentoja një detaj të rrallë të kostumit tonë, si për meshkuj edhe për femrat, të cilin e kemi para syve dhe nuk e shohim. Për pelerinat pata parasysh qyrkun dhe tallaganin, si edhe këpucët e maskat që ishin një hulumtim më vete tek tradita në një formë bashkëkohore.

 

Për të arritur në konkluzionin përfundimtar, më është dashur të bëj gati tre variante të kostumeve, sepse përkushtimi ishte maksimal duke studiuar çdo detaj të kostumit, jo vetëm nga ana figurative, por edhe psikologjike e personazhit.

 

Ka qenë një vit plot me aktivitete. Si ia dilni të ndani kohën për të gjitha?

 

Është një periudhë plot punë, me krijimtari, eksperiment dhe kërkim. Ajo që i lidh është e padukshme, por gjithçka është një marrëdhënie e ndërsjellë midis studimit e kërkimit në shpirtin shqiptar, dhe lirisë artistike në funksion të idesë. Një punë tjetër shumë voluminoze, njëkohësisht me Lukrecian ishte "Flauti magjik" me TKOB. Muzika magjike e Moxartit dhe fantazia e subjektit ishin prej kohësh një ëndërr e fshehtë e imja. Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë, pas 10 vitesh, realizimi i kostumeve të personazheve, në një kohë rekord, falë atmosferës së bukur që m’u krijua nga stafi, artistët dhe drejtuesit. Kam pasur fatin të jem pjesë e dy kolonive të pikturës, organizuar nga Instituti i Librit dhe Promocionit, njëra në Kalabri dhe e dyta, pas realizimit të kostumeve të Lukrecias dhe Flautit, në Belsh. Kjo është një mundësi fantastike për të qenë krejt e papërmbajtur në telajo përpara natyrës dhe një çlirim energjie në një zhanër tjetër që kryqëzohet harmonikisht me studimet e etnosit, kostumografinë dhe dizajnin.

Ndërkohë, vazhdoni aktivitetin me atelienë e modës. Veshjet tuaja janë pjesë unike, shpesh të endura. Një pasion?

Atelieja AZK 21-vjeçare, është vendi i eksperimentit tim artistik. Krijimi i dizajnit është pikësynimi kryesor në veshje dhe objekte. Ndërthurja e etnosit me vizionet futuriste kanë qenë një objektiv i përhershëm imi në punën time. Tashmë kam arritur të krijoj materiale autentike të endura me metodat artizanale të etnosit shqiptar. Eksperimentin dhe thellimin në etno mundohem ta shtrij edhe në endje të qilimave apo në qeramikat me dizajn AZK (projekti aktual që po punoj). Unikalitet është elementi specifik i çdo krijimi që realizoj, element ky që të drejton më shumë në fushën e artit.

Si e shikoni sot kostumografinë në Shqipëri? Po stilin?

27 vite më parë, kostumografia ishte pjesë e krijimtarisë së skenografit. Ishte risi dhe sfidë të merreshe vetëm me këtë zhanër dhe e paguar keq si honorar. Sot kostumografinë e marrin përsipër ta bëjnë njerëz që nuk kanë formimin e duhur artistik. Tranzicioni dhe amullia ka lënë gjurmët e veta edhe në këtë fushë, si kudo. Por gjithsesi, ka disa individë të mirë që kanë krijuar një situatë të bukur, pozitive dhe konkurrente në kostumografi. Përsa i përket stilit, nuk ka ende modë të mirëfilltë në Shqipëri. Me gjithë përpjekjet në këto vite, moda shqiptare nuk po arrin të krijojë fytyrën e vet, markat e suksesshme në industri. Ajo vazhdon të notoje midis show-t dhe amatorizmit.

Çfarë e bën të veçantë një femër në stil?

Stili i një femre nuk mund të matet me markat e njohura të huaja, por me individualitetin dhe përafrimin e konceptit të saj me një ose disa stile e marka, të cilat nuk arrijnë t'ia ofrojnë stilistët tanë femrave shqiptare.

Unikaliteti është një element i rëndësishëm në stilin e një femre sipas meje, sepse të gjithë jemi unik në llojin tonë. Kjo është një veçori e genit shqiptar, që pasqyrohet edhe në shumëllojshmërinë e veshjeve tradicionale.

Në memorien time, ju keni hapur atelienë e parë të modës në Shqipëri? Sa e vështirë ka qenë rruga juaj?

Atelieja e artit dhe e modës Anila Zajmi Katanolli e ka zanafillën e vet në maj të 1996-ës si nevojë e kërkimit artistik të stilit dhe realizimit të kostumografive të krijuara prej meje. Krijimi i koleksioneve të sezonit dhe prezantimi në mënyra sa më të veçantë ka qenë dhe vazhdon të jetë pikësynimi profesional. Konsolidimi i stilit dhe krijimi i dizajnit nuk është konkretizuar në lidhjen me industrinë, edhe pse mbështetja shtetërore nuk ka qenë e duhura, me ndonjë përjashtim të vogël. Atelieja vazhdon të jetë thjesht një studio krijuese dizajni.

Nga buron ky pasion për etnosin dhe kulturën shqiptare?

Pasioni për etnosin shqiptar është një rrugëtim drejt njohjes së vetvetes dhe të rrënjëve. Frymëzimi im është liria drejt ëndrrës dhe kërkimit të shpirtit shqiptar.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: