Arjan Kadare: Euron e dobësoi TAP-i, HEC-i i Devollit dhe remitancat e larta

Arjan Kadare: Euron e dobësoi TAP-i, HEC-i i Devollit dhe remitancat e larta
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

Flet eksperti i njohur i ekonomisë: Kursi i ulët i Euros po krijon rrezik si për depozituesit, edhe për kursimtarët. Por kujdes! Edhe për investitorët e huaj, të cilët duan fitime të sigurta.

***

Kadare, si do ta komentonit ju rënien e dukshme të monedhës evropiane, Euro, në tregun e brendshëm të këmbimit valutor gjatë muajve të fundit në vendin tonë?

Zhvlerësimi i Euros në tregun e brendshëm të këmbimit valutor në vendin tonë është një dukuri që po zgjat rreth një vit, një vit e gjysmë. Para kësaj periudhe, ajo është vlerësuar deri në kuotën prej 139 deri 140 lekësh, kurse tani vërtitet në kuotën prej 134 lekësh. Domethënë, është një vlerësim për një periudhë të gjatë kohore dhe në nivelet rreth 3%-4% dobësimi kundrejt monedhës vendase, Lekut.

Në fakt, unë jam i mendimit se për një periudhë prej një deri në një vit e gjysmë, rënia nuk është ndonjë gjë kushedi se çfarë, po të marrim parasysh faktin se monedhat e tjera të këmbimit kundrejt njëra-tjetrës zhvlerësohen brenda vetëm një dite me nivelin prej -1%. Kështu që nuk është ndonjë zhvlerësim kushedi se çfarë i Euros.

Por, megjithatë është një gjë e veçantë në Shqipëri, sepse për një kohë të gjatë, që nga viti 2010 dhe deri në vitin 2016, Leku me Euron kanë qëndruar në nivelet prej 139-141 të këmbimit, pra një Euro ka lëvizur në rreth 140 lekë dhe kjo e bën pak më të dukshëm si fenomen.

Kjo, ngaqë edhe qytetarët shqiptarë operojnë shumë me Euron apo jo? Pra, monedha evropiane gjen një përdorim të gjerë në tregun shqiptar dhe ndaj ndihet si fenomen.

Po, është e vërtetë. Sepse ata që kanë marrë kredi në Euro për shembull dhe të ardhurat i kanë në Lekë, ata ndihen mirë, sepse këstet e kredisë në Euro i paguajnë më kollaj. Ndërkohë, ata që eksportojnë ndihen më keq, sepse shpenzimet i kanë në Lekë, sepse paguajnë kryesisht në lekë, ndërkohë që të ardhurat i kanë në Euro dhe impaktësohen nga dobësimi i kësaj të fundit. Pra, eksportuesit janë ata që ndihen më keq. Ndërsa importuesit, pra ata që importojnë nga vendet e Eurozonës ndihen më mirë, sepse i blejnë në terma të Lekut më lirë dhe në tregun e brendshëm në Shqipëri shesin më shumë.

Po me depozituesit çfarë po ndodh realisht? Flas për ata që i kanë kursimet e tyre në Euro pranë bankave...

Është e vërtetë. Sepse ata marrin përsipër rrezikun e kursit të këmbimit valutor. Kështu, nëse shpenzimet i ke në Lekë, pra shpenzon në jetën e përditshme me monedhën vendase dhe kursimet në fakt i ke në monedhën evropiane, je i ekspozuar nga rreziku i kursit të këmbimit. Pra, nëse ndodh që Leku forcohet ndaj Euros, për shpenzimet ti do të nxjerrësh nga xhepi më shumë Euro se më parë.

A mund të na detajoni shkaqet reale që kanë krijuar edhe këtë mbivlerësim të Euros në tregun shqiptar valutor? Cilët faktorë kanë ndikuar në këtë situatë?

Siç e thashë edhe më lart, nuk ka ndodhur tani, porse gradualisht, prej një viti e gjysmë gati. Faktorët realë që unë mendoj se mund të shihen edhe nga shifrat janë që ka patur një rritje të investimeve të huaja në projekte kryesore, siç është ai i gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) dhe ai i hidrocentralit të Devollit. Dhe ato projekte kanë futur Euron në Shqipëri, në kuptimin praktik që kanë paguar rroga, kanë nënkontraktuar firma shqiptare, pra, kanë paguar në Euro dhe kjo ka sjellë edhe një rritje të prurjeve të kësaj të fundit në vendin tonë. Ndërkohë, është edhe një faktor tjetër, që remitancat kanë një rritje të lehtë kundrejt dy viteve të mëparshme. Kështu, periudhën e viteve 2016-2017, kemi një rritje relative të remitancave, ato nuk kanë kaluar në nivelet e mëparshme, por gjithsesi ato kanë qenë më të larta se në vitin 2015. Dhe kjo ka rritur dukshëm fluksin e eurove në Shqipëri.

Nga ana tjetër, duhet thënë se ka një rritje të dukshme edhe të eksporteve në vlerë, sidomos po të shohim sidomos gjatë këtij viti, pra gjatë 2017-ës. Pra, është shitur prodhim jashtë vendit, kundrejt Euros, duke e akumuluar më shumë atë. Sikundër, ka edhe një rritje të çmimit të naftës, apo mineraleve dhe Shqipëria është eksportuese e tyre dhe i ka rritur sasitë e shitjeve të tyre. Pra, mendoj që ka një rritje relative të fluksit hyrës të Eurove dhe në kushtet kur Leku ka qëndruar i pandryshuar, Leku i bie që të forcohej ndaj Euros. Dhe kjo ka ndodhur gradualisht, si gjatë vitit 2016, edhe gjatë vitit 2017.

Edhe vjet më kujtohet, në fund të verës, Euro arriti në kuotën e këmbimit prej 137 lekë, nuk kishte arritur ndonjëherë. Pra, gjysma e vlerësimit të Lekut ndodhi vjet dhe gjysma tjetër, gjatë muajve të fundit.

Në kushtet e luhatjeve të tilla, çfarë do t’u rekomandonit qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që ata të humbnin sa më pak gjatë këmbimit?

Unë mendoj që këshilla kryesore është për personat që kursejnë. U them që ata t’i mbajnë kursimet e tyre gjithmonë në monedhën që ata shpenzojnë. Për shembull, nëse ata shpenzojnë në Lekë, duhet që patjetër edhe kursimet e tyre t’i kenë në Lekë. Sikundër, edhe ata që marrin kredi, duhet ta marrin atë në monedhën që kanë shpenzimet. Sepse ata vërtet që mund të ndihen më mirë tani që papritur Euro u zhvlerësua dukshëm dhe u bie të paguajnë më pak për këstet e tyre. Por mund të ndodhë edhe e kundërta. Pra, që Leku të zhvlerësohet në një moment tjetër papritur ndaj Euros dhe ata mund të ndodhen në një situatë të rrezikshme. Pra, qytetarët shqiptarë këtë duhet të bëjnë.

Kjo ishte në fakt një këshillë që vlente për qytetarët shqiptarë. Po në rastin e ekonomisë së vendit në tërësi, cilat janë pasojat reale të këtij kursi këmbimi? Duke qenë edhe se vetë Banka e Shqipërisë ka nisur tashmë një fushatë kundër euroizimit? Si konvertohet në praktikë e gjithë kjo situatë për ekonominë shqiptare?

Duhet të dimë se situata është e tillë që depozitat në monedhën evropiane ua kanë kaluar atyre në Lekë. Dhe nëse kredia, një pjesë e konsiderueshme e saj, konkretisht më shumë se gjysma e saj është e dominuar në Euro, politika monetare e Bankës së Shqipërisë që ndihmon Lekun përmes normave të interesit nuk është efiçente për të stimuluar ekonominë. Pra, ajo nuk është efikase nëse ekonomia e Lekut është e vogël.

E dyta, krijohet kjo rrezikshmëria e kursit të këmbimit, nëse Leku luhatet me Euron, si për kursimtarët, edhe për kreditorët pranë bankave.

Një arsye tjetër e luhatshmërisë është edhe ajo që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek investimet e huaja direkte. Sepse investitorët e huaj duan një kurs stabël të këmbimit të Euros, në mënyrë që ta kenë të sigurt që fitojnë në Shqipëri, t’i kthejnë ato fitimet e tyre në Euro, në monedhën e tyre. Pra, që t’i shpenzojnë ato në vendin e tyre. Dhe nëse ka luhatje të kursit të këmbimit valutor, atëherë fitimet e tyre bëhen të pasigurt. Pra, një situatë e tillë patjetër që ndikon tek investimet e huaja. Në këtë mënyrë, mund të themi që ka disa arsye për të cilat luhatshmëria e kursit të këmbimit në Shqipëri, si edhe euroizimi i ekonomisë mund të krijojnë probleme për ekonominë shqiptare si të tillë.

 Dhe në fund të kësaj interviste, çfarë parashikoni për situatën e kursit të këmbimit valutor tani që pritet të mbërrijnë edhe emigrantët për pushime në Shqipëri dhe do të sjellin një ofertë të re Eurosh?

Në fakt, kjo është një situatë që ndodh përvit. Por ajo që realisht ka ndikuar në zhvlerësimin e monedhës evropiane, janë arsyet që përmenda më lart.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: