Berisha “i hedh ujë” zjarrit, Selami shpall platformën

Berisha “i hedh ujë” zjarrit, Selami shpall platformën
Vijojnë polemikat në PD pas “ngrirjes” së kryetarit. Ndërsa zërat kundër kryetarit të Partisë Demokratike kanë ardhur në rritje, ish-Kryeministri Berisha i “hedh ujë” zjarrit: Rruga drejt ringritjes kalon përmes bashkimit dhe jo përmes përçarjes e përjashtimit. Kandidati për kryetar partie, Eduard Selami, kërkon ringritjen

Alket Aliu

Partia Demokratike ka hapur zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë. Nëpërmjet një vendimi që mban firmën e dy nënkryetarëve, Edi Paloka dhe Edmond Spaho bëhet e ditur se zgjedhjet do të mbahen më 22 korrik.

Vendimi cilëson hapjen e procesit zgjedhor për kryetar të PD-së, ku kandidaturat duhet të paraqiten deri në 2 korrik. “Zgjedhjet do të zhvillohen në 22 korrik”, bën të ditur vendimi.

Një ditë më parë kreu i PD-së Lulzim Basha bëri të ditur ngrirjen e funksioneve të tij dhe shpalljen e zgjedhjeve sipas parimit “një anëtar, një votë”.

I pari që ka shpallur kandidimin për kryetar të Partisë Demokratike është ish-kryetari i saj, Eduard Selami.

"Mendoj se këto janë periudha sa të vështira, aq dhe të pasura me oportunitet për ta ngritur PD aty ku janë vlerat më të mira të demokracisë dhe të partive bashkëkohore”, ka thënë ai.

Në vlerësimin e Selamit, PD ka mbetur mbrapa në kohë dhe tani më shumë se kurrë është mundësia që ajo të ecë me hapin e saj. Dhe në këtë drejtim, Selami ka nënvizuar se është i gatshëm të japë kontributin e tij.

“Është për të ardhur keq që PD-në koha e ka lënë mbrapa. PD duhet të ecë me hapin e kohës. Unë jam i sigurt se kjo ditë do të vijë dhe ky do të jetë kontributi im nëse zgjidhem”, ka shtuar Selami.

Prej dy ditësh, situata në selinë blu nuk është e qetë, pas shtimit të zërave kundër kryetarit Basha. Figura të vjetra dhe të reja në PD e akuzojnë si shkaktarin e humbjes së thellë. Në plan të parë, Jozefina Topalli, Arben Imami, Genc Ruli, Majlinda Bregu, Ilir Rusmali dhe të tjerë ish-drejtues të PD në kohën kur partinë e kryesonte lideri historik, Sali Berisha. Por nuk mungojnë edhe ata që e kanë marrë në mbrojtje, duke përfshirë deputetët Eduard Halimi, Agron Shehaj dhe Myslym Murrizi.

Kundër Bashës është renditur së fundi edhe grupimi “Dhjetor ‘90”, i cili e konsideron humbjen “poshtëruese” dhe Lulzim bashin si përgjegjës kryesor.

Ndërhyrja e ish-kryetarit të kësaj partie, Sali Berisha, është tepër diplomatike. Drejtues por dhe anëtarë të thjeshtë të PD kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit, i cili padyshim është përgjegjësi me kryesor por natyrisht jo i vetëm për këtë humbje”.

Berisha vlerëson vendimin e Bashës për ngrirje funksionesh dhe shpalljen e zgjedhjeve dhe ka një mesazh për demokratët: Rruga drejt ringritjes kalon përmes bashkimit dhe jo përmes përçarjes e përjashtimit.

Por kundërshtarët e Bashës kanë reaguar sërish. Në deklaratën më të fundit, ata thonë se pikërisht zgjedhjet e organizuara me urgjencë, nxisin përçarjen në PD. “Në përputhje me statutin, kërkohet mbledhja e kryesisë, që të vendosë për hapat e mëtejshëm, përfshirë mbledhjen e Këshillit Kombëtar, reflektimin e disfatës dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, thuhet në deklaratë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: