ÇFARË TË FRYMËZON- NGA MERI DISHNICA

ÇFARË TË FRYMËZON- NGA MERI DISHNICA
NGA MERI DISHNICA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press

 A të frymëzon ndonjë gjë? Disa gjëra? Çfarë? A frymëzohesh lehtësisht? Çfarë ta heq trurin? A të ikën ndonjëherë truri intelektualisht? Çfarë të çmend? Çfarë të motivon?

Nëse ka diçka që të frymëzon, sadopak qoftë ajo, është një lajm i mirë..., sepse, për fat të keq, jo të gjithë frymëzohen! Nuk është aspak çështje dëshire, është thjesht predispozitë emocionale që ndryshon në njerëz të ndryshëm. Disa janë, thjesht, “kuadrat”.

Ka njerëz që frymëzohen nga një status në facebook, sepse, ndoshta, atë kanë dritare të vetme. Ka njerëz që frymëzohen vetëm nga një palë këmbë të gjata, të tjerë që frymëzohen nga qerpikët fals apo nga një selfie e një të panjohuri në Instagram. Ka njerëz që nuk e kanë, aspak, idenë e inspirimit intelektual..., sepse frymëzimi ka të bëjë me inteligjencën emocionale që ndryshon në njerëz të ndryshëm.

Është ai tip komunikimi emocional, thelbësor për dy njerëz në një marrëdhënie.

Ajo “urë komunikimi”, shpeshherë, e pamundur për t’u gjetur… M’u kujtua ajo shprehja e shumë cover-ave në Facebook “A e di çfarë është vërtet tërheqëse? Një bisedë e mirë…”

Në kohët e sotme, të kesh një linjë kuptueshmërie, është bërë një episod sporadik, sepse “dukja” po na merr mendjen dhe shumica qëndrojnë aty. 80% e njerëzve që njohim, gjithmonë e më shumë, po rrëmbehen nga “e sipërfaqshmja”.

Të të frymëzojnë ndodh rrallë dhe nuk është për të gjithë. Të ndodh, ndonjëherë, të njohësh “depozitues të rastësishëm të frymëzimit”, ndonjëherë të kalon jeta pa u frymëzuar kurrë. Ndonjëherë bën sikur mahnitesh, ndonjëherë thjesht e shtyn.

Disa njerëz janë, thjesht, tepër kërkues; disa thjesht tepër “katror”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: