Ema Andrea: Të krijosh është të rilindësh çdo ditë

Ema Andrea: Të krijosh është të rilindësh çdo ditë
Ema Andrean e prita fare pak në kafenë e Akademisë së Arteve dhe e pashë të vinte me hap dinamik, veshur me mëndafsh ngjyrë rozë antike, sandale të sheshta, me një elegancë e impostim në ecje, pa rivale. Menjëherë kujtuam kohët kur më intervistonte ajo mua në TV, si dhe dashurinë e përbashkët për muzikën rrok. Porositi një kafe të shtrydhur, teksa telefoni i binte pa ndalim. Shumë aktive në teatër, me pedagogjinë, me projekte të tjera të lidhura me artin, e me shkëputje interesohej për shkollën e së bijës, dashurisë së saj më të madhe. Një figurë Ema që, sa herë shprehet, ngjall diskutime e bën lajm. Por në thelb është një bletë punëtore, me pasionin për punën, lirinë e saj, talentin. Ka zgjedhur të mos largohet nga Shqipëria, edhe pse ka pasur oferta pa fund, por ka zgjedhur ta jetojë atë pa asnjë kompromis me shpirtin e saj. Së fundmi e ka nderuar emrin e Shqipërisë, në disa aktivitete teatrore, duke shfaqur një standard europian, pavarësisht se jo të gjithë e dinë këtë. Ema vjen në këtë rrëfim të gjatë, ekskluzivisht për Albanian Free Press.

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Nga shkolla e baletit tek aktrimi. Dy profesione që lidhen disi. Pse e braktise baletin?

Nuk e kam braktisur në fakt. Lëvizjen e mbart gjithmonë me vete si shprehi, në jetë e në art. Ka qenë një edukim që më ka ndihmuar shumë në skenë e krijimtari. Edhe pse të qenit me edukim të mëparshëm balerinë, i ka bërë paragjykuesit e teatrit ta shpallin institucion mentalitetin dhe sjelljen e tyre, kundrejt krijimtarisë sime. Nejse, sot, nuk munden më, pasi koha që vjen vonë në Shqipëri, ka zhbërë edhe mentalitetin e atyre që rrinin komodë në pozitat e forta të paragjykimit për raportin e aktorit me trupin e tij. Ndryshimi nga baleti në aktrim, ka qenë i rastësishëm. Duket sikur teatri dhe aktrimi më thirrën kur as e mendoja, por sot është kthyer në një mënyrë të jetuari, apo ndryshe një dashuri fatale, e cila më bën të lumturohem, të vuaj, të njoh, të zbuloj, të jetoj e të vdes, në të njëjtën kohë. Ndaj, më mirë që ndodhi kështu.

Filmi “Një vajzë dhe një djalë” të bëri të njohur, por ishte dhe shumë modern për kohën. Si i pate marrëdhëniet me të qenit e njohur?

Marrëdhënia me të qenit e njohur, ka ndryshuar në vite. Unë jam bërë e njohur edhe më herët. Në shkollë të mesme, bëja emisionin e parë gjimnastikor në Shqipëri, bashkë me shoqet e mia nga shkolla e baletit. Kjo ishte një risi në TVSH, e kështu bëri bujë në atë kohë. Për mua, në atë kohë, ishte si lojë e si çudi.

Më pas, filmi nuk pati bujën që meritonte, pasi doli në kohën kur Shqipëria nuk e dinte ku ishte, ishte periudha e ambasadave dhe anijeve. Por erdhi dita dhe filmi u bë i njohur. Më vjen mirë që ende e duan! Në vitin e parë të Institutit të Lartë të Arteve, kam luajtur në Teatrin Kombëtar. E këtu ndryshoi krejtësisht raporti im me të qenit e njohur. Kisha dëshirë të isha e padukshme, pasi nuk e përballoja dot xhelozinë e thashethemet që solli kjo gjë. Por e kalova duke punuar dhe shijuar skenat e fakultetit. Veç kështu e mbaj mend shkollën e lartë. Shumë gjëra i kam harruar.

Më pas, të qenit e njohur u kthye në sfidë. Sot, është përgjegjësi sociale dhe kënaqësi e krenari padyshim. Më bën të ndihem krenare fakti që, të njohur më ka bërë arti im, puna ime, zgjedhja për të mos e parë artin si vend pune, por mënyrë të jetuari, të qenit e pavarur, teatri apo çdo eksperiment tjetër në art, dhe as pozita, emërtimi, politika apo karrigia, apo ndonjë klan që ndihmon në lançim artistësh. Dhe të gjitha këto, duke qenë femër në Shqipëri. Uroj mos dukem mendjemadhe, por kur kthej kokën pas, kuptoj sa e vështirë ka qenë të mbijetosh si artiste dhe femër.

Edhe me filmin ka qenë dashuri dhe urrejtje, teatri të vodhi nga filmi. Nuk pate frikën se filmi të jepte më notorietet dhe shanse se teatri?

Në fakt, po të mos kisha luftuar, as teatrin s’do e kisha..., ha ha ha.

Teatrin e kam fituar me shumë vështirësi, por e kam jetuar fort e plot dashuri. Kam studiuar e kam ecur në kahun e shijet e kohës. Të qenit jashtë institucioneve, më kanë rritur si artiste. Edhe sot, teatrin e bëj me vështirësi, por hyj gjithmonë nga dera e skenës me përkushtim e profesionalizëm, që prej fillimi e deri më sot. Dyert e zyrave nuk më kanë pëlqyer kurrë, nuk më duket hyrja e duhur për asnjë krijimtari…, jo timen të paktën!

Kinemaja shqiptare s’më ka dashur prej vitesh dhe unë kam rënë në paqe me këtë mosraport. Dikush, së fundmi, ka pas sy me më pa edhe në kinema.

E njohur prej teatrit dhe jo prej kinemasë… hëm, edhe më mirë!

Aktorët më të mirë në botë, e nisin nga teatri, kalojnë tek filmi për shumë gjatë, por në kulmin e pjekurisë artistike, rikthehen tek dashuria për skenën e drunjtë. Sa të ka magjepsur teatri?

Të krijosh është njësoj sikur të rilindësh çdo ditë! Më shumë se kaq, s’mund të të magjepsë asnjë akt tjetër, përveçse artit e në rastin tim, teatri!

 

Sa e vështirë është në Shqipëri, të jesh aktor dhe pedagog?

Të dyja janë shumë të vështira. Mësimdhënia bëhet edhe më e vështirë kur mendon se studentët i përgatit për një realitet ku s’ka asnjë sistem për artin. Një realitet në të cilin hapësirat bëhen gjithmonë e më të ngushta prej drejtimeve pa vizion, e me një komunitet apatik prej vitesh, që nuk lufton për atë që meriton. Të bësh artistin në një vend ku pavarësisht arritjeve, punës, karrierës, financiarisht je gjithmonë në kufij të mbijetesës. Kjo e bën të vështirë zgjedhjen e artistit të ri, për të qenë shtysë për ndryshim, në një kohë kur idhujt e tyre kapërcejnë vështirësi mediokre, vështirësi financiare, vështirësi që vijnë nga injorimi e injoranca. Për artistin e ri e të pjekur, e ardhmja është thjesht një art lokal, në hapësira të ngushta, edhe pse gëlojnë emrat e autorëve e mentorëve të huaj. Në Shqipëri, bashkëkohësia është ende larg në teatër, edhe pse në shumë fusha të tjera ka mbërritur disi. Në një kohë kur teatri duhet të jetë avangardë, dhe ne jemi ende tek mundësia e punësimit. Ndaj, përfundimin se sa e vështirë është të jesh midis artistes në teatër dhe pedagoges, e bëni lehtë.

 

Si arrin që t’i bësh studentët të mos brengosen nga jeta e vështirë e metropolit dhe të vazhdojnë të shpresojnë?

Mundem vetëm t’i jap shembullin tim, çdo ditë, në skenë e në sallë pune. Pjesa tjetër, varet nga ata vetë. Kanë zgjedhur e mund të tërhiqen përpara se të luajnë viktimën. Brenga është pjesë e jetës, çdokush zgjedh të luftojë për të mirën e shoqërisë ku jeton, apo të përshtatet pragmatikisht me realitetin. Në se duan të bëhen artistë e jo të punësuar, s’duhet ta lënë pasionin, ëndrrën, thirrjen e tyre të brendshme (nëse e kanë), ndjeshmërinë sociale (nëse e kanë), në duart e askujt! Çdo brez ka misionin e vet shoqëror për kohën që jeton. Me këtë gjë ose jeton e ecën përpara, ose rri në pritje e ankohesh për “shiun që bie”.

Unë përpiqem t’i bëj me dije se asgjë nuk është e pamundur kur është pasioni dhe dedikimi, e mbi të gjitha, përulësia ndaj profesionit e punës.

Nuk e di sa je, por shquhesh për rebelizëm të shëndetshëm, antikonfomizëm, sinqeritet. Ke pasur kosto nga kjo?

Natyrisht, të vogla dhe të mëdha. Kosto sociale dhe profesionale. Por s’di të bëj ndryshe.

S’po numëroj asgjë, sepse s’dua të futem në grupin, tashmë, të madh të atyre që ankohen. Në fund të fundit, kam zgjedhur të jetoj kështu, edhe pse në Shqipëri kostot janë më të mëdha dhe absurde se në çdo vend ku ke të drejtën të rebelohesh pa u ndëshkuar! Dihet që shoqëria jonë, nuk e ka zhvilluar institucionin e tolerancës e mirëkuptimit. Reminishencat e diktaturës duken qartë kur çdo shprehje e fjalës së lirë apo rebelimi, çdo mendim kritik apo mosdakordësi, ka të drejtën të jetojë deri në momentin të shprehurin e vet, pas kësaj ka pasoja si në nivelin social ashtu edhe në atë institucional. Ne na pëlqen mendimi në grup dhe asnjë mendim individual. Këndvështrim individual nuk pranohet, madje luftohet, çuditërisht edhe ndëshkohet me mjete mediokre e jo dinjitoze. E duke jetuar në këtë realitet, natyrisht që paguan kosto absurde. Nuk pretendoj të kem të drejtë për gjithçka, por pretendoj të dëgjohem e të dialogoj në mënyrë qytetare.

E kur kam pasoja absurde prej rebelimit tim, kuptoj që ia ka vlejt!

Ka pasur një periudhë në jetën tënde, kur ishe ti që më intervistoje mua. U ndale disa kohë në TV. Do të rikthehesh?

Unë TV e kam filluar (pas përvojës në adoleshencë), shumë vonë, rreth të 40-ve. Tani jam në TVSH, në një format që më përshtatet e më pëlqen shumë, sepse është në formë bashkëbisedimi. Një format që më lejon të jem jashtë klisheve në komunikim e kështu të jem në mënyrë komode, vetvetja. Besoj është një format i sinqertë dhe me nota të qeta. Televizionit, vetëm me të tillë format, mund t’i kthehesha. Flitet për kinemanë, për fjalën dhe problemet sociale.

Tani jemi bashkë e ti nuk ke aspak makeup, flokët lart. Shumë e thjeshtë. Nuk të ka sëmurë, asnjëherë, tendenca metropolitane e luksit në çdo kohë?

Hahaha... Natyrisht që ndihem rehat kështu…, edhe pa krehur edhe e krehur, por gjithmonë e bëj sipas ndjesisë sime dhe për veten.

E kam kaluar herët fazën e ngopjes, ndaj besoj se jetoj në luksin që kam zgjedhur unë dhe jo atë që më jep shembull metropoli. Luksi im është liria ime, aty ku mbaron liria ime, fillon arti im!

Si arrin të jesh gjithmonë kaq elegante?

Ohh, deri para pak vitesh ishte shumë e thjeshtë, yoga, not, e dëshirë për të jetuar.

Tani më duhet të kujdesem pak (jo deri në obsesion) edhe për ushqimin. Ehhh, vitet, hahahah…

Pastaj, gjithmonë mendoj se edhe pesha ka lidhje me gjendjen shpirtërore, qetësinë apo parehatinë e mendjes. Unë qetësinë e kam kur shqetësohem në krijimtari. Kjo, e fundit, besoj është çelësi i trupit tim, sikundër mungesa e krijimtarisë më lodh, më plak e më shëndosh në pak ditë!

Çfarë po lexon tani?

Mund të të kisha thënë një titull, por s’kam nevojë të gënjej. Kam një libër gjithmonë në çantë, por kohët e fundit, prej më shumë se 6 muaj, kam patur 12 orë të ngarkuara dhe nuk e kam patur luksin të merrem as me librin (që është endë në çantë), as me lulet. Por do ta rikuperoj shpejt, pasi po bie ritmi pak e nga pak, deri në pushime. Tani që kujoj, as intervista s’kam pas kohë të bëj…, por, për fat, jam mirëkuptuar nga gazetarët.

Keni disa projekte në duar. Më tregoni pak më gjerë për to.

Tani jam në shfaqjet e radhës me “Burka e Medeas” e autorit grek, Andreas Flourakis, projekt në të cilin kam bashkëpunuar si regjisore me aktoren Erjona Kakeli. Kisha kohë pa iu kthyer regjisë, ndaj ka qenë emocion i veçantë. Është një tekst i cili u prezantua këtë shtator, në aktivitetin që organizova “My name is Balkan”, projekt i dramës bashkëkohore ballkanike, i cili ka edhe botimin e tij. Shfaqja është pritur shumë mirë të them të drejtën! Edhe pse kohë fushate, publiku e ka ndjekur. Ka qenë një proces artistik që më ka shijuar shumë, proces njohjeje dhe zbulesash, sfidash e pune të palodhshme, shpesh, edhe sakrificash që të bashkojnë me kolegët dhe i japin dimension të thellë njerëzor shfaqjes.

Javën tjetër janë shfaqjet e fundit të Equus, ku luaj rolin e Dorës (po pres me padurim). Rol që do ta mbaj gjatë në kujtesë, jo vetëm si aktore, por edhe për atë çka regjia e Edino Mustafiq, solli për teatrin shqiptar. Një shfaqje që u kthye në fenomen social dhe jam krenare që u zgjodha të jem pjesë e kësaj shfaqjeje. Pastaj provimet e studentëve. Kam qenë kuratore e seksionit Performancë në Biennalen e Mesdheut, organizuar nga Ministria e Kulturës. Punë e bukur, një sfidë më vete, por që besoj ia dolëm me sukses. Në fakt, ky aktivitet ndërkombëtar është një ngjarje e rëndësishme e artit bashkëkohor dhe mua me pëlqen kur jam pjesë ngjarjesh që i përkasin të ardhmes më tepër se sa ngushtësisht mua. Për të ardhmen pres përgjigjen e aplikimeve për projektin e radhës, ndaj nuk flas dot.

 

Si ndihet një nënë që ka një vajzë me talente dhe kureshtare për artin, si vajza juaj?

E plotësuar, krenare dhe e përgjegjshme. Sara më ka superuar shumë herë! Që prej ardhjes së saj në jetë, deri më sot, bota përreth meje dhe bota ime, janë ridimensionuar shumë herë! Vazhdoj të mësoj prej saj. Tashmë, krenaria më është kthyer në adhurim për të!

Punoni me orë të zgjatura. Ju mjafton vetëm puna për të qenë e plotë?

Kam fat që puna është edhe pasioni im! Unë me të jam rritur e kam ndryshuar.

Nuk bëj dot pa të, pa krijimtarinë time, pa sfidat e mia, pa ndjeshmërinë sociale, pa ndërtuar aktivitete artistike që besoj, modestisht, se janë të rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë.

E plotë jam prej Sarës! Para saj, suksesi apo dështimi kanë krejt vlera relative!

Kam familjen që më bën të ndihem e mbrojtur dhe me bën të fortë në të njëjtën kohë.

Të gjitha këto më bëjnë të kem dashuri brenda vetes, të jetoj dashurinë, sepse mundem e jo se kam nevojë!

Cilët janë miqtë tuaj më të mirë?

Ata që më dëgjojnë pa më gjykuar, edhe kur nuk më kuptojnë. Ata që mund t’i marr në telefon çdo ditë ose një herë në vit, dhe në çdo orë, vetëm për t’i pyetur si janë. Ata që më besojnë, që më marrin në telefon kurdo, që rrinë me mua edhe në heshtje. Miq që mund t’ju jap e që mund t’ju kërkoj pa kushte! Miq që e konsiderojnë miqësinë më të vlefshme se sedra apo interesi i tyre.

Më trego një ëndërr në art, që pret ta realizosh

Të kem një hapësirë që ta kthej në qendër arti, teatër, dance, art bashkëkohor etj.,... një hapësirë që të jetë një shtëpi e dytë për artistin, (por s’kam shance ta realizoj). Haah ha ha.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: