Flet “Artistja e Merituar” Marika Kallamata: Jetën artistike e fillova në teatër dhe aty e mbylla

Flet “Artistja e Merituar” Marika Kallamata:  Jetën artistike e fillova në teatër dhe aty e mbylla

INTERVISTA/   Flet “Artistja e Merituar”: Pas daljes në pension, kam luajtur edhe 5 vjet të tjera

 

Në botën e përrallave dhe të

kujtimeve të Marika Kallamatës...

 

 Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Z. ZHOLI

E kujtojmë gjithmonë si ‘gjyshja e përrallave’. Ajo që çdo pasdite, me zërin e ëmbël u tregonte fëmijëve botën e pasur të legjendave shqiptare. E kjo, edhe pse Marika Kallamata ka luajtur mbi 60 role në teatër dhe 16 në filma. Këtë e pranon edhe vetë ajo gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”. “Ai mbetet një nga gjërat më të bukura në jetë. E them me bindje se pas teatrit, ishte emisioni ai që më çlodhte, më jepte tjetër energji. Bota e fëmijëve dhe e përrallave është një magji. Në momente të caktuara, ai emision më ka dhuruar shumë momente të bukura dhe tepër mbresëlënëse”, pohon ajo lidhur me këtë emision të dashur të Radio-Tiranës. Më tej, “Artistja e Merituar” flet edhe për këtë titull nderi që i kanë akorduar, dorëzimin e të cilit ia ka bërë vetë Ramis Alia. “Ai regjim kishte të metat e veta, por jo çdo gjë duhet ta hedhim poshtë. Kur merrje një dekoratë apo titull më parë diskutohej në kolektiv, diskutohej edhe në parti. N.q.s s’e meritoje s’bëhej “pazar” me të. S’hynte në punë miqësia për vlerësimet”, rrëfen ajo...

 

 

Për shumë vite, ju keni dhënë në Radio Tirana emisionin për fëmijët, “Përrallat”. Si e kujtoni sot?

Mbetet një nga gjërat më të bukura në jetë. E them me bindje se pas teatrit, ishte emisioni ai që më çlodhte, më jepte tjetër energji. Bota e fëmijëve dhe e përrallave është një magji. Në momente të caktuara, ai emision më ka dhuruar shumë momente të bukura dhe tepër mbresëlënëse.

 

Si do t’i komentoje ndryshimet e fundit në Tiranë?

Ah, i ndjek në televizion. I ndjek pasi tashmë mosha ka bërë të sajën dhe unë nuk mund të shëtis dhe t’i shikoj, t’i prek, t’i shkel nga afër, fizikisht. Jam nga Myzeqeja, por në Tiranë u rrita dhe po kaloj vitet e pleqërisë. Ndihem krenare me Tiranën time, me Tiranën e kombit shqiptar.

 

Nga shumë shoqe tuajat, sidomos nga Margarita Xhepa, më është thënë se  keni filluar punë në Teatrin Kombëtar në vitin 1952 dhe keni vazhduar deri në vitin 1987, kur dolët në pension. Një rast unik. Pra, ju për 35 vjet s’jeni larguar asnjëherë nga teatri?

Po, kështu është. Një rast i rrallë. Unë jetën time artistike e fillova në teatër dhe aty e mbylla. Por njëkohësisht, dua të them se në pension dola në vitin 1982, por për rolet që luaja, për lidhjen që kisha me teatrin, punova edhe pesë vjet si e jashtme, pa ndërprerje. Nuk jam larguar asnjë ditë. Madje, unë edhe pas daljes në pension, kam luajtur dhe pesë vjet të tjera.

 

Kur dhe si përkon hyrja e juaj në rrugën e bukur të aktrimit?

Kur e kujtoj atë ditë, më duket se ka ndodhur sot. Sa më shumë emocione të ketë një ngjarje, aq më e freskët të vjen në kujtesë çdo ditë. Në fillimet e mia kur kam ardhur në ish-Teatrin Popullor, sot Teatri Kombëtar, isha proviste. Pra, isha në provë, këtë kuptim kishte atëherë. Ishte viti 1952 kur shkela për herë të parë në teatër dhe kam luajtur në një pjesë sovjetike, “Gjashtë Dashnorët”, ku regjisor ishte Andrea Malo. Në këtë pjesë, unë luajta rolin e gjyshes. Ishte një komedi me një regjisor rus. Mbas dy vjetëve, ne dhamë prova për t’u pranuar si definitiv, pasi ishim ende në provë. Në Shqipëri ende nuk kishte një shkollë për aktrim. Si proviste, për të kaluar si pjesë e teatrit ne ishim tre artiste, Margarita Xhepa, Drita Agolli dhe unë.

 

Çfarë pjese luajtët për konkurrim? Kush ua ofroi pjesët dhe çfarë vlerësimi more?

Ka qenë një pjesë e Ostrovskit “Për maçokun nuk ka gjithmonë karnaval”. Në fakt, rolin e kishte Esma Agolli, unë e dubloja në teatër, jo vetëm se ajo ishte e sëmurë, por në fakt unë isha dublantja faktike, se atëherë çdo rol kishte dublant. Ky rol ishte i një shërbëtoreje, e cila ishte paksa budallaqe, që gjithmonë rrinte duke qeshur, nuk merrte asgjë seriozisht, i bënte përshtypje çdo gjë që shihte në rrugë, pra ishte e hallakatur. Pra, në provim unë luajta këtë pjesë, ku në juri ishte dhe një regjisor rus, shumë i përgatitur. Por, ndërkohë kishim disa ushtrime që jepeshin të ndryshme për interpretim sikundër kryesore do të bëje dhe një interpretim nga roli ekzistues, që bëje në teatër. Me atë që unë performova, të gjithë ngelën të kënaqur, pra e kalova provimin shumë mirë. Pra, nga proviste, kandidate për në teatër, fitova të drejtën definitive. Ishte një gëzim i madh, pasi nëse s’do fitoja, kthimi mbrapa do të ishte disfatë për mua.

 

Po shoqet e tua, Margarita Xhepa, Drita Agolli, si u paraqitën? A ju ndanë në role specifike, të përcaktuara, që mund të merrnit përsipër kur të dilnit në jetë?

Ato të dyja u paraqitën po shumë mirë. Margarita luajti në mënyrë perfekte, aq sa u habit regjisori rus. Atëherë ishin vajza të reja, të bukura, plot pasion, të dashuruara me artin dhe interpretuan në mënyrë të shkëlqyer. Pra, Margarita Xhepa, Drita Agolli dhe unë dolëm shumë mirë dhe kaluam direkt në Teatrin Popullor. Pas aprovimit, mua më etiketuan e specifikuar për role karakteresh, Margarita Xhepa për role heroike, Drita Agolli për role të veçanta. Për ne filloi një jetë e re. S’ishte e lehtë në atë kohë të filloje punë si aktore. Ne po thyenim disa tabu. Filluan kërkesat sidomos për Margaritën. Pas një viti, në Tiranë u hap edhe Estrada e Tiranës, një institucion i ri pa përvojë. Ata thirrën Margaritën se kishte eksperiencë, por se ishte edhe e bukur, e mirë, gojëmbël dhe plot talent. Përveç Margaritës, në Estradë për ndihmë shkuan dhe shumë aktorë të teatrit, Besi Levonja, Meriopi Çobani, etj..., derisa u ngrit Estrada dhe pastaj u kthyen sërishmi, pasi Teatri kishte shumë nevojë për ato figura. Por më vonë duhej patjetër shkollim. Ishte detyrë parësore. Në vitin 1958 dha urdhër Ministria që ne që nuk kishim bërë Liceun Artistik, të shkonim në shkollë. Në atë kohë, ata që punonin tek Ansambli i Ushtrisë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve, TOB, Estrada, Teatri Popullor, duhej të mbaronin shkollën. Ne fillonim shkollën në 7.30 dhe mbaronim në 12:00. Shumë artistë e mbaruan këtë shkollë. Kishim zell, kishim dëshirë, kishim energji. Shkollë-punë dhe anasjelltas, na u bë një detyrë e brendshme që na ngazëllente. Ishin vite të arta, kur arti po lulëzonte dhe gjithë shqiptarët ishin të etur për art.

 

Në fillimet tuaja, kush ishte regjisor i Teatrit Popullor dhe si sillej ai me ju?

Në fillimet e mia, regjisor në Teatrin Popullor ka qenë i mrekullueshmi Pandi Stillu. Për mua, ai mbetet një ndër regjisorët pikantë të teatrit, i cili përgatiti me dhjetëra regjisorë të rinj. Ai i ndihmonte të rinjtë dhe u besonte role. Kështu ndodhi dhe me mua. Ishte i thjeshtë, i komunikueshëm, korrekt dhe i ditur. Të imponohej me sjellje dhe nuk kursehej të të jepte gjithçka dinte. Roli i tij në formimin tim është i padiskutueshëm. Përveç tij, do përmend Mihallaq Luarasin, që kishte studiuar në Hungari, apo Kujtim Spahivoglin, që kishte studiuar në Moskë, i cili ishte dhe pedagog në Institutin e Arteve. Mund të përmend Andrea Malon, regjisor-pedagog, etj. Por në atë kohë, kishte edhe regjisorë të jashtëm. Këta regjisorë bënë epokë në Teatrin Popullor. Ishte përgatitja e tyre, ishte përgjegjësia e tyre, ishte mendimi i tyre progresist, që teatri mori një fytyrë europaine dhe tepër tërheqëse. Ishin vitet e para kur ende ruhej jehona e luftës dhe ne vinim në skenë pjesë klasike, ku njerëzit ishin të ethshëm të shihnin këto pjesë si Shekspiri, Goldon, apo klasikët rusë dhe spanjollë. Ishin edhe pjesët e tjera me përditshmëritë e jetës, ku spektatori gjente veten dhe çka shihte gjatë ditës. Ishin ngjarje konkrete. Biletat shiteshin shumë shpejt dhe ne s’ua plotësonim dëshirat të afërmve. Shumë herë njerëzit e mi ngeleshin qejfprishur, pse s’u siguroja biletë. Por neve deri në katër bileta na jepnin. Kështu që rregulloheshim me shoqet, njëherë ua jepja unë katër biletat, njëherë m’i jepnin ato.

 

Si veprohej me veprat atëherë para se të viheshin në skenë?

Në atë kohë, repertori kontrollohej, pastaj vihej në skenë. Jo çdo material që u tekej regjisorëve mund të shfaqej. Çdo gjë kalonte në filtër. Për nivelin artistik të veprës, as që bëhej fjalë. Duhet të themi se pas vitit 1962, repertori klasik u zvogëlua ndjeshëm. Por kjo solli atë që iu dha përparësi dramaturgjisë sonë. Kjo solli një frymë të re, por mbi të gjitha krijoi hapësirë të madhe për krijuesit tanë. Në këto vite, deri në 1987-ën, pati shumë krijimtari të autorëve tanë. Madje, u bënë shumë drama e shumë komedi të bukura. Por dhe vetë ne ishim më të lehtësuar në interpretim, pasi ishin pjesë shqiptare. Një ndër to ka qenë drama “Halili dhe Hajrija” që mund të them se është vënë në skenë mbi 220 herë. Pas saj mund të përmend “Familja e peshkatarit”, po kështu, “Shtatë Shaljanët”, “Toka jonë”, madje me këtë dramë kemi bërë turne nga jugu në veri. Mund të them se aty ku shkonim, sallat mbusheshin dyfish. Shumica rrinin në këmbë...

 

A ka pasur në teatër një luftë klasash apo ideologjike si në muzikë? Kush ishin ato dhe me cilët aktore ke luajtur më shumë?

Tek ne janë dënuar disa regjisorë, por jo masivisht si në muzikë. U dënua Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli. Por kishte dhe pjesë që ndaloheshin të jepeshin apo ndërpritej vijimësia e shfaqjes së tyre, pasi binin ndesh me mësimet e partisë dhe diktaturën e proletariatit. P.sh, është kritikuar komedia “Rrufe në mot të mirë”, kur flitej për pemën e ullirit. Atëherë të prisje një ulli, duhej të merrje leje në sa e sa vende. Në atë komedi, Kadri Rroshi kishte rolin kryesor, unë kisha një rol karakteri, ishte edhe Robert Ndrenika. Në provat gjenerale u thanë shumë fjalë të mira, por një ditë para shfaqjes u anulua. Nuk e di pse. Unë kam luajtur në çdo dramë apo komedi pasi kisha role karakteri, por më shumë kam luajtur me Marie Logorecin tek “Toka jonë”, “Shtatë shaljanët”. “Gjashtë dashnorët” apo me Violeta Mnaushin në “Zonja nga qyteti”, Zonja nga fshati”, “Orët e Kremlinit”, etj...

 

 

 

LIDHJET

 

“Miqësi me aktoret më të mira

shqiptare, ajo sot nuk vjen më”

 

“Kam luajtur dhe kam pasur miqësi me të gjitha aktoret më të mira shqiptare. Sigurisht, veçoj miqësinë me Margarita Xhepën, pasi kishim pak ndryshim në moshë (unë pak më e madhe se ajo), ishim nga Myzeqeja dhe kishim hyrë në një ditë në teatër. Por dua të them se me Esma Agollin, Drita Pelingun, Violeta Manushin, Besa Imamin e të tjera kam shkuar si mos më mirë. Ne kishim një miqësi të vërtetë. Nuk kishim xhelozi të sëmura, por ambicje pune, për nxitje, në emër të së mirës. Ajo shoqëri nuk vjen më. Madje, edhe kur ishim të dubluara, ne nuk bënim sherre, e mirëkuptonim njëra-tjetrën dhe shkonim pa teklif. Ne ishim shumë të lidhura dhe e nxisnim njëra-tjetrën”.

 

 

 

 

 

NDERIMI

 

 “Artiste e merituar”, titullin

ma dorëzoi vetë “Ramiz Alia”

 

“Titullin “Artiste e Merituar” e kam marrë në vitin 1985. Titullin ma ka dorëzuar vetë Ramiz Alia. Por para këtij titulli kam marrë tre dekorata “Naim Frashëri klasit 3”, “Naim Frashëri 2”, “Naim Frashëri 1”. Pra, nuk ishin të rastësishme. Në atë ditë e ka marrë këtë titull edhe Roza Anagnosti, ndërsa Xhanfise Keko mori titullin “Artiste e Popullit”. Ishte një nga ditët e mia më të bukura, pasi vlerësimi moral atëherë ishte si një gjë e madhe. Ai regjim kishte të metat e veta, por jo çdo gjë duhet ta hedhim poshtë. Kur merrje një dekoratë apo titull më parë diskutohej në kolektiv, diskutohej edhe në parti. N.q.s s’e meritoje s’bëhej “pazar” me të. S’hynte në punë miqësia për vlerësimet”.

 

 

 

 

Kinematografi - teatër

 

“Kam luajtur gjithsej 16 role”

 

“Unë gjithsej kam luajtur 16 role, por episodike dhe si figurante, por roli që ia vlen të përmendet është tek filmi “Fillim i vështirë”, “Ata ktheheshin nga lufta”, “Dolli e dasmës time”, “Një baba tjetër”, “Radiostacioni”, “Kur hidheshin themelet”, “Nxënësit e klasës time”, e disa të tjerë. Filmi ka veçori nga teatri. Secila gjini ka veçoritë e veta, por teatri mbetet teatër. Aty je i drejtpërdrejtë, reagimi i njerëzve është i menjëhershëm. Nëse gabon, herën tjetër e korrigjon. Ndërsa në film s’i ke këto komoditete dhe këto cilësi. Por nga ana tjetër, filmi mbetet më popullor, më i përhapur, të bën më shumë të njohur”.

 

 

 

 

 VLERËSIMI

 

Margarita  Xhepa:

“Marika, mbetet ikonë

e Teatrit Kombëtar”

 

“Marika Kallamata mbetet një ikonë e Teatrit Kombëtar. E urtë, korrekte, e dashur, këmbëngulëse, ajo u rrit në këtë tetar dhe doli në pension po aty ku e filloi veprimtarinë e saj artistike. Me Marikën na lidhnin shumë gjëra. Na lidhte krahina, të dyja myzeqare, na lidhte dëshira për punën, na lidhte hyrja në aktrim në të njëjtën kohë. Ishim dhe jemi si dy motra. Ne qanim hallet e njëra-tjetrës pa patur frikë se mund të na dilte diçka jashtë nesh. Shpeshherë luanim dhe rolet tona para njëra-tjetrës për ta përsosur. Kritikonim miqësisht njëra-tjetrën kur kishim gabime. Kalonim shumë kohë bashkë dhe ndanim dhe copën e bukës. Kam shumë kujtime me Marikën që ditën e parë kur konkurruam në Teatrin Popullor dhe deri më sot. Kujtime që nis do t’i rendis dhe do të duhet kohë. Në miqësinë me të kam parë njeriun e sigurt, të sinqertë dhe me shpirt të gjerë. Kurrë nuk është zemëruar me mua. Kishte një pasion të madh për artin. Luante me përgjegjshmëri dhe siguri, ndaj edhe mbetet një ndër artistet më jetëgjata në Teatrin Kombëtar. Për mua mbetet aktorja më e spikatur për role karakteri”.

 

 

 

Tituj të filmave

 

- Një baba tepër (2000)

- Vitet e pritjes - (1990)

- Fjalë pa fund (1986)

- Gabimi (1986)

- Fillim i vështirë  (1986)

- Kur hapen dyert e jetës (1986)

- Ëndërr për një karrige (1984)

- Kur xhirohej një film (1981)

- Fëmijët e saj (1957).

 

 

EPISODI

 

 “Si u ngjit Enver Hoxha u ngjit në

skenën e teatrit e na takoi të gjithëve”

 

“Unë nuk jam shkëputur kurrë nga Teatri dhe e them me bindje se Enver Hoxha vinte rrallë, shumë rrallë në teatër. Po e njëjta gjë ndodhte dhe me Mehmet Shehun. Ata që vinin rregullisht ishin ministrat e Arsimit dhe të Kulturës, ata po, vinin. Të tillë ishin Manush Myftiu dhe deri tek Thoma Deliana. Por ajo që kam të fiksuar është se udhëheqësit kryesorë ngjiteshin në skenë dhe i takonin të gjithë aktorët. Kështu ka ndodhur dhe me Enver Hoxhën. Ne po jepnim dramën “Orët e Kremlinit”.  E them me siguri se ishte një nga dramat më të bukura të atyre viteve. Kur mbaroi shfaqja, gjithë salla u ngrit në këmbë. Së bashku me spektatorët, u ngrit në këmbë dhe Enveri, i cili më pas u ngjit në skenë dhe na takoi me radhë. “Ju lumtë!”, - na tha, duke na dhënë dorën të gjithëve. Ne u emocionuam. Ishte hera e parë që na ndodhte një gjë e tillë. Nuk e kishim parë deri atëherë në teatër. Ishte risi për ne. Mbi të gjitha, shtrëngimi i duarve na dukej privilegj. Salla nuk i ndërpreu duartrokitjet për minuta të tëra. Këto emocione ishin të rralla në skenë”.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: