Fushatë pa shirita dhe inaugurime

Fushatë pa shirita dhe inaugurime
Eglantina Nasi

Strategjia e kësaj fushate elektorale duket se ka qenë ajo e mënjanimit të ceremonive të inaugurimeve, pikërisht me qëllimin e shmangies së efektit negativ që ato mund të krijojnë tek elektorati, i cili teksa ato realizohen në javët para zgjedhjeve, tashmë i shoqëron me  shprehjen “Inaugurim për fushatë...”

***

“E inauguruan për fushatë...”. Kështu jemi mësuar të dëgjojmë vitet e fundit, teksa prerja e shiritit për ndonjë vepër me rëndësi publike, përkon të ndodhë pikërisht gjatë një fushate elektorale. Dhe ndoshta, tamam për të shmangur krijimin e një efekti të tillë negativ tek qytetarët, politika këtë herë duket se e ka shmangur kryerjen e një akti të tillë.

Po. Mund të thuhet se fushata e zhvilluar në kuadrin e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit 2015, është shoqëruar nga një mungesë e dukshme e prerjes së shiritave të inaugurimit për vepra të ndryshme, qofshin këto rrugë, shkolla, kopshte etj, në rang vendi. Përveç ceremonisë madhështore të organizuar me rastin e hapjes së sheshit “Skënderbej”, në qendër të kryeqytetit, nuk është se kronikat televizive të këtyre javëve të fundit u kanë paraqitur qytetarëve të tjera të ngjashme, qofshin ato edhe në përmasa më modeste.

Por megjithëse ka munguar diçka e tillë, sërish qytetarëve nuk është se u janë lënë pa përmendur inaugurimet e bëra më parë në kohë nga qeverisja e së majtës. Mjafton të kujtojmë këtu faktin, se në shumë prej shesheve të qyteteve të vendit ku ajo ka zhvilluar tubimet e saj elektorale, u ka sjellë në vëmendje atyre pikërisht faktin se ato i janë nënshtruar transformimit, në kuadrin e projektit tashmë të njohur si “Rilindja Urbane”. Kësisoj, edhe në mungesën e prerjes “live” së shiritave në momentin e tubimeve elektorale, qytetarëve u është vënë në dukje fakti se kohë më parë pikërisht aty, është realizuar një projekt. Në këtë këndvështrim, mund të thuhet se inaugurimet e kësaj here, vërtet nuk kanë qenë elektorale, por ndoshta për qëllime “paraelektorale”. E thënë ndryshe, është zgjedhur si strategji që prerja e shiritave të mungojë gjatë javëve të zhvillimit të fushatës, por aspak para tyre.

Ceremonia për sheshin “Skënderbej”, event në kulmin e fushatës elektorale

Përveçse u cilësua si spektakolare, ajo qëlloi që u zhvillua edhe në kulmin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit 2015. Fjala është për ceremoninë e hapjes së sheshit “Skënderbej”, e cila u shoqërua edhe me një festë e koncert madhështor, nga ana e Bashkisë së Tiranës. “Shpaloset xhevahiri më i madh i kurorës së Rilindjes Urbane, që do të rrezatojë nga sot e për shumë mote të tjera, dritën e pasionit dhe forcën e ambicies sonë për Shqipërinë që duam”, ka komentuar lidhur me një ceremoni të tillë, vetë kryeministri Edi Rama. Një koment ky që po ta shohësh me vëmendje, mbart brenda tij pikërisht një konotacion të qartë elektoral, teksa përmend aty edhe vetë sloganin e Partisë Socialiste për këtë fushatë elektorale, pra atë “Për Shqipërinë që Duam”. Ndërsa nga ana e tij, kryebashkiaku Erion Veliaj do ta vlerësonte atë si një nga sheshet më të bukura në botë. “I kemi dhënë një shesh dinjitoz vendit tonë. Nuk ka më asnjë dyshim, kjo është një hapësirë absolutisht fantastike”, ka vlerësuar ai.

Elektorati, më i pandikuar se më parë nga shiritat

Ju kujtohet? Partia Demokratike shënoi humbje në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, të 23 qershorit 2013, në zonën e Elbasanit. Pikërisht në atë zonë së cilës i dhuroi projektin madhor infrastrukturor, rrugën moderne që e lidh aktualisht atë me kryeqytetin. Një investim kolosal ky, i cili edhe pse ishte i tillë, nuk arriti që të përkthehej dot me votë. E mesa duket, një psikologji e tillë e çuditshme dhe ende e pashpjeguar e elektoratit, po ndiqet së fundmi nga politika, për të mos e pësuar si ky rast. Duke u bazuar pikërisht tek fakti se ai duket të jetë më i pandikuar se më parë nga prerja e shiritave, pse jo, edhe nga investimet madhore që mund të kryhen në zonën e tij gjatë mandatit që qeveris një forcë e caktuar politike, cilado qoftë ajo.

Dhënia e certifikatave të legalizimeve, një tjetër formë për joshje elektorati

Dhënia e certifikatave të legalizimeve ndaj qytetarëve që kanë ndërtuar pa leje gjatë viteve të fundit në rang vendi, duket se ka qenë një tjetër formë e zgjedhur nga qeveritarët për joshjen e elektoratit. Përmes ceremonive të realizuara publikisht, madje edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në ekranet televizive, para fushatës elektorale, ajo mund të thuhet se ka shërbyer si një tjetër lloj “gërshëre” që politikanët përdorin zakonisht për të prerë shiritat e inaugurimit të veprave të rëndësishme publike. Madje me një efekt të madh tek elektorati, po të mendojmë se ajo ka të bëjë pikërisht me realizimin e një nevoje të madhe të tij, siç është ajo e strehimit, apo më mirë, e ligjërimit të tij si i tillë.

Rruga e Kombit dhe guri i parë i Xhamisë, inaugurimet simbol që mbetën në mendje

Rruga e Kombit, apo vendosja e gurit të themelit për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, mund të thuhet se kanë qenë ndër ceremonitë inauguruese që u kanë mbetur në mendje qytetarëve shqiptarë gjatë viteve të fundit. Për vetë rëndësinë që ka mbartur në vetvete realizimi i dy projekteve të tilla, por edhe për mënyrën madhështore me të cilën u shoqërua ceremonia e inaugurimit të tyre, pesha e efektit të tyre tek qytetarët ka qenë e konsiderueshme. Mjafton të sjellim ndërmend këtu edhe faktin se të pranishëm në secilën prej tyre kanë qenë edhe personalitete të ndryshme, si presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan; apo ai i Kosovës, Hashim Thaçi etj. E megjithëse atëherë ato u përfolën si ceremoni me qëllime elektorale, nuk mund të mohohet aspak rëndësia që ato kanë edhe sot.

Foto: Pamje nga hapja e sheshit "Skënderbej"

Shpërndajeni me miqtë tuaj: