HUMBJA PERFEKTE E ILIR METËS-NGA SKËNDER MINXHOZI

HUMBJA PERFEKTE E ILIR METËS-NGA SKËNDER MINXHOZI
NGA SKËNDER MINXHOZI

 Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Zakonisht në publicistikë përdoret shpesh termi "furtuna perfekte". Lidhet me ato raste kur situatat janë të tendosura dhe kur pas kthesës priten zhvillime të bujshme. Është e vështirë ta huazosh këtë shprehje kur vjen fjala për fushatën apatike e deri diku qesharake të 25 qershorit ku mbizotërojnë batutat, mungesa e programeve dhe përballjet direkte.

Veçse një variante të togfjalëshit të mësipërm mund ta përdorim pa frikë, kur vjen fjala për të gjetur një cilësor të përshtatshëm për pozitën në të cilën ndodhet në këto zgjedhje LSI, kryetari dhe sidomos ish-kryetari i saj. Ja përse!

Nëse ka një sektor të tensionuar dhe agresiv të fushatës, ky është ai që mbulohet nga e kuqja e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pa pulsin dhe polemikën që po i jep zgjedhjeve kjo parti, me siguri që do të asistonim në fushatën më të çngjyrosur e të mërzitshme shqiptare të të gjitha kohërave.

Tashmë aleatët e përjetshëm strategjikë janë për njëri-tjetrin "organizatë kriminale" ose "shushunja që duhen shtypur me votë". Ky evolucion për së mbrapthi i dyshes Rama-Meta në harkun e më pak se një muaji, më saktë që nga 17 maji 2017, i ka shtyrë në harresë edhe takimet ciklike që kryenin dikur mes tyre, edhe rrahjet e shpatullave në publik, edhe darkën e famshme të Pazarit të Ri me gati-marrëveshjen që pasoi, edhe ftesat e kreut të PS për të rinovuar martesën katërvjeçare dhe gjithë pjesën tjetër të rrugëtimit që këto dy parti bënë në qeverisje gjatë katër viteve. Tani në mejdanin e fushatës ndodhen përballë jo më dy partnerë, por dy armiq. Dhe siç është e zakonit, kur flitet për luftën brenda llojit, përballja është e ashpër dhe akuzat fluturojnë pa doganë dhe pa kursim nga njëra anë në tjetrën. Sot për shembull mësojmë nga goja e përfaqësuesve të lartë të LSI se akuzat e dikurshme për depozitimin e mbetjeve në territorin e Shqipërisë nga ana e qeverisë Rama, janë të vërteta e jo thashetheme. Siç vetë LSI thoshte dikur me heshtjen e saj.

Duket paradoskale, por Ilir Meta e përgatiti me duart e tij këtë panoramë surreale që shohim sot. Ftoi me ngulmim opozitën në qeverinë Rama (jap katër ministrat e mi, madje edhe dorëheqjen nga President, nëse është nevoja), refuzoi me kokëfortësi ftesat e panumërta publike të Ramës për koalicion parazgjedhor, me kushtin që ai të bindte opozitën për të hyrë në zgjedhje, duke i krijuar asaj besimin tek procesi (qeveria e besimit), përsëriti deri në mërzi tezën se pa opozitën, votimet e 18 qershorit ishin të pavlefshme, i dha të drejtë më shumë se një herë kërkesave që Basha përsëriste çdo ditë nga Çadra dhe nuk merakosej fare kur e etiketonin rëndom si garantin kryesor të Çadrës.

Gërmoi pra me duart e veta një gropë të madhe dhe të thellë, të cilën as nuhatja e jashtëzakonshme dhe as përvoja e gjatë politike 26 vjeçare, nuk e ndihmuan që ta shihte, megjithëse e kishte shumë pranë. Vetëm pak metra larg zyrës së tij, disa dhoma më tutje, aty ku Rama dhe Basha u mbyllën për katër orë rresht në 17 maj, duke përgatitur kurthin më të madh politik që është stisur ndonjëherë ndaj kreut të Kuvendit, njëherësh president i zgjedhur i vendit.

Ilir Meta kishte parashikuar gjithçka në lojën politike shqiptare të 13 vjetëve të fundit, qëkurse hodhi në tregun politik siglën e re të LSI në vitin e largët 2004. "Falli" i tij se kjo forcë politike do bënte barometrin në politikën shqiptare, kishte qenë ndër parashikimet më të gjetura të historisë pluraliste të Shqipërisë dhe vargu i gjatë "viktimave", i cili filloi me Nanon, vazhdoi me Ramën dhe vijoi me Berishën në 2013, është prova materiale sesa përcaktuese ka qenë kjo parti politike në dekadën e fundit politike të Shqipërisë.

Vetëm një element nuk përfshihej në asnjë nga kombinacionet hipotetike të kryetarit të LSI: që LSI të mos ishte fare pjesë e ndonjë vendimmarrjeje e kompromisi politik. Me fjalë të tjera, që LSI të mos ishte faktor relevant në tryezën e ndarjes së pushtetit. Qëkurse LSI hyri në parlamentin e vitit 2005 me pesë mandate, ajo nuk ka qenë kurrë më parë kaq pranë daljes nga sfera e influencës dhe pushtetit, sa në këtë pragzgjedhjesh. E ndjen këtë edhe Ilir Meta, i cili ka ashpërsuar në kulm gjuhën, e ndjejnë edhe palët në bazë, teksa kanë nisur përleshjet fizike, siç ndodhi në Fier. Problemi i LSI këtë radhë është se ndodhet jo më vetëm përballë Ramës, si më 2009, kur kishte nën mëngë "kartën Berisha", por edhe përballë opozitës së djathtë, e cila sot drejtohet vetëm pjesërisht nga ish-kryeministri. Ose thënë ndryshe, "politikani më korrekt i 26 viteve të fundit", siç e përcakton pa mëdyshje sot çifti Meta ish-kreun e PD Sali Berisha.

Kësaj situate tejet delikate, i shtohet edhe dobësia e opozitës, me futjen e saj të vonuar dhe të sforcuar në fushatë, çka ia bën më të lehtë Ramës kapjen e shumicës në parlament. Në këtë mënyrë, Ilir Meta sot e sheh veten të tërhequr me dhunë në një fushatë ku i takon të bëjë rolin e një tifozi fanatik të "Tironës", duke shpërfillur pozicionin e presidentit të zgjedhur. Pa harruar faktin që tashmë ndodhet jashtë listës së kandidatëve për deputet, në rast se për ndonjë tekë hyjnore të fatit ai do ta shihte veten edhe jashtë Pallatit Presidencial në 24 korrik, ndërkohë që partinë e ka lënë në dorën e një pasardhësi të cilin edhe portieri tek dera e selisë, e sheh me të njëjtin sy, që demokratët shihnin Lulzim Bashën ditën kur mori zyrën e Sali Berishës. Meta po hyn në një fushatë të habitshme, në kushte që as i kishte imagjinuar vetëm një muaj më parë. Në kushtet e një politikani që duhet të ndjekë një tren në ikje. Të njëjtin tren ku historikisht ulej në rreshtin e parë të vagonit të parë.

 Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: