Jo vetëm Ronaldo! Edhe Mourinho nën akuzë për mashtrim me taksat te Reali

Jo vetëm Ronaldo! Edhe Mourinho nën akuzë për mashtrim me taksat te Reali
Trajneri portugez i Manchester United, Jose Mourinho, akuzohet për mashtrim me taksat nga prokurorët spanjollë.

Akuza vjen pas hetimeve që ata kanë kryer gjatë kohës që Mourinho drejtonte Real Madrid.

Ashtu si Messi dhe Ronaldo, edhe Mourinho akuzohet për mashtrim me taksat që kapin vlerën e 3.3 mln euro, nga periudha 2011 deri më 2012.

Një nga prokurorët e çështjes tha se trajneri portugez nuk ka deklaruar të ardhurat nga përdorimi i të drejtës së imazhit të tij me qëllim për “fitime ilegale.”

Mourinho është emri tjetër i madh i futbollit kontinental që akuzohen kohët e fundit nga autoritetet në Spanjë për mashtrim me taksat.

Ylli i Real Madrid, Cristiano Ronaldo, është akuzuar vetëm pak kohë më parë. Ai  do të dëshmojë më 31 korrik  në gjykatë mbi akuzat e ngritura nga autoritetet ndaj tij, ndërsa Ronaldo ka mohuar të ketë lidhje me akuzat.

Disa muaj më herët ishte Leo Messi në qendër të akuzave për të njëjtën çështje. Ai u gjobit në Gjykatën Supreme  si dhe u dënua me 21 muaj burg. Sipas ligjeve spanjolle të dënuarit nën dy vjet mund të mos shkojnë asnjë ditë në qeli, ndërsa një akuzë e ngjashme i është ngritur edhe brazilianit të Barçës, Neymar.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: