KTHJELLIMI PREJ MUNGESËS SË ALTERNATIVËS - NGA SONILA MEÇO

KTHJELLIMI PREJ MUNGESËS SË ALTERNATIVËS - NGA SONILA MEÇO
NGA SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Shqipëria më në fund është në fushatë zgjedhore. E pazakontë, mbi një marrëveshje ngritur gërmadhës së një sistemi ekonomik e politik të falimentuar. Pa i hyrë konspiracionit, me teorinë se duhet bërë më keq para se të bëhet më mirë, ndoshta ky fund është preludi i ringritjes së një vendi ku ka humbur shpresa e ku ka firuar fryma.

Ndërsa u kuptua pamundësia e Edi Ramës për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, pasi u vërtetua pritshmëria e kapjes së pushtetit me një dhe jo dy timonë, pasi u artikulua ‘Republika e Re’ që shkoi si peu i ri në gjilpërën e vjetër të marrëveshjeve politike që nuk respektojnë kushtetutë, pasi u penalizuan që në nisje prurjet e reja prej sistemit elektoral të pareformuar e pasi iu bë pema gjenealogjike çdo pjesëtari të listave të Partisë Demokratike për t’u sharë e fyer në shtatë breza, tashmë është krijuar përshtypja se alternativë s’ka. Kurthi i së keqes më të vogël ka ngritur sërish krye dhe pret të bëjë vetëm kontrollit e dëmit për humbësit e njohur. Por ka edhe një teori, të vërtetuar historikisht se mungesa e alternativave ndonjëherë të kthjellon mendjen.

Ky është momenti për të menduar secili me kokën e vet, i bindur se media e kapur prej kohësh nuk mund t’i bëjë dritë gjykimit, se rrjetet sociale tashmë i kontrollojnë merimangat dhe se propaganda shfaqet edhe kur hap derën e frigoriferit a ndez dritën e banjos. Ndaj nëse jemi hutuar të gjithë nga një zhgënjim i madh, në një mungesë besimi e shprese, ndoshta kthjellimi na ndihmon për të kuptuar lojën e tyre e kësisoj për tua prishur.

Përpjekja e parë për të na shastisur është një lloj perceptimi se listat e publikuara janë të tilla që dëshmojnë një bashkëqeverisje të gjerë pas zgjedhjeve mes dy partive të mëdha, si vijim i marrëveshjes parazgjedhore.

Mandej fakti se përjashtimi i emrave të rëndësishëm dëshmon një fazë tranzitore pushteti që do pasohet nga zgjedhje të tjera të parakohshme pas një kohe të shkurtër.

Në formula qaset edhe një dënim en block i partive të mëdha për të sjellë në pushtet një nga partitë deri dje garantuese e qeverive nëpërmjet numrave të saj.

Diku vlon ideja se çdo alternativë e re penalizohet nga kodi zgjedhor dhe hyrja pa koalicione, duke e bërë të pavlefshme votën për të.

Dhe në gjithë këtë panoramë kurrkund nuk zënë vend idetë, projektet, mundësitë, alternativat që ofrohen, sepse janë kujdesur aq shumë ta shfaqin këtë panoramë si një lojë pokeri a shahu, si një konspiracion të madh hartuar përtej oqeaneve, sa mungesa e garancive të plota për proces të drejtë e të lirë zgjedhor ngjan një detaj I parëndësishëm. Sepse gjykimi i secilit nga ne, vendimi ynë, vota jonë është një simbolikë e aq, pa asnjë fuqi prej sovrani që vendos për të ardhmen e vet.

Nëse do qe kështu sa prej nesh janë të gatshëm të na tallin kësisoj me konspiracione, manovra, taktika e lojëra, ku vota e gjykimi ynë nuk kanë asfare rol? Kjo do qe e thjeshtë, nuk votojmë dhe pikë. Nëse nuk ka votues loja anulohet. Por këtë shantazh që e kemi në dorë tua dëshmojmë këtyre hokatarëve të mëdhenj të sistemit të dështuar, ne s’kemi ditur e s’po dimë si ta përdorim. Sepse ne nuk kemi nisur t’i kërkojmë llogari atij që premtoi 4 vite më parë, por jemi duke i bërë gjyqin tjetrit që mund të vijë. I përvishemi me skepticizëm edhe partive më të vogla a të reja dhe ja ku sërish loja nis, sepse votuesit simbolikë e hanë lehtë karremin e konspiracioneve, manovrave, taktikave e lojërave.

Ndaj në këtë mungesë alternativash pse nuk kthjellohemi t’i marrim gjërat me radhë?

Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë do të deklaronte se ekonomia është rritur, edhe pse njerëzit nuk e kanë vënë re këtë ndryshim. Pse? Sepse, sipas tij ekonomia duhet të rritet më shumë që të ndjehet tek xhepat tanë. Dhe që të jemi realist, me një analizë që kryhet rregullisht nga ekonomistë të FMN-së e Bankës Botërore (jo se tanët janë të pabesueshëm, por e kemi gjithëpranuar tashmë referencën ndërkombëtare mbi zhvillimet tona të brendshme) do duhet që kjo rritje të jetë diku mes 9-10% që të nisë të ndjehet në fuqinë tonë blerëse, në mirëqenien tonë. Pra trefishi i asaj që është siguruar në këtë mandat të parë qeverisës të Edi Ramës. Dhe duke i shkuar analizës mes për mes duhet të pranojmë se mandati i parë është zakonisht më energjik, me rezultate më shpresëdhënëse, me mobilizim më të fortë. Pra kryeministri me pohimin shtesë se rritja për mandatin e dytë do të jetë 5% (megjithëse nuk shpjegon se cili do jetë ky burim që gati do dyfishojë vlerën e shtuar në ekonominë tonë të konsumit) sapo na ka konfirmuar se as për 4 vitet e ardhshme nëse socialistët janë pushtet ne nuk do të ndjejmë gjë thellë e cekët xhepave tanë, nuk do të jetojmë më mirë e pabarazia do vijojë të endet e egër qyteteve e fshatrave tona.

Nëse mandej do të vendosim në analizë një arsye që është shndërruar në deus ex machina-n e të gjithë llojeve të krizave tona, përmendur me aq siguri nga kryeministri, mirëqenia jonë do të sigurohet kryesisht nga zbatimi i ligjit të vettingut. Absolutisht drejtësia përmirëson funksionimin e shtetit, përballjen e qytetarit me të, por nëse ka një mësim të vyer tranzicioni, gjatë të cilit ky kryeministër ka qeverisur për më shumë se 18 vjet, ai është se nuk kanë munguar ligjet e mira këtyre anëve, as asistenca ndërkombëtare, as përshtatja, por zbatimi. E mbi të gjitha vullneti, që e kemi me tepricë si në mungesë edhe në shfaqjen e tij për të shpërfillur çdo ligj, edhe vetë kushtetutën. Ndaj vështirë të mbetesh në fjalën e një burri a shumësie prej atyre që e gatuan e trazuan mirë kazanin e tranzicionit  se me një vetting zgjidhim ekonomi, rend, gjyqësor, shëndetësi, arsim dhe kulturë.

Vetë ish ministri i Financave Ahmetaj do të pohonte në një takim me sipërmarrës se taksat mbi pagat e larta do të ulen në 18% nga 23% që kanë qenë në këtë katërvjeçar, niveli më i lartë në rajon. Po ashtu edhe taksat mbi biznesin. Pra politika e ndjekur deri më sot nuk ka rezultuar efikase, duke mos ndihmuar kësisoj as hapjen e vendeve të reja të punës, pavarësisht se premtohen 200.000 vende të reja mbi 300.000 joekzistente.

Investimet kapitale kanë qenë pika e dobët e kësaj qeverisjeje katërvjeçare, masat shtrënguese fiskale dhe eficenca e tyre kanë rezultuar në treguesit më të dobët të shumë viteve.  Ku janë investimet që stimulojnë rritjen ekonomike? Fondet digjen rregullisht duke prodhuar mosrealizime që përfundojnë në shifra qesharake, projekte me financime në vlera të vogla. Ndaj pyetja më e thjeshtë së cilës duhet t’i përgjigjet kryeministri në këtë bilanc të domosdoshëm është ku mbahet kjo ekonomi dhe cili është modeli i saj?

Si do të mund ta shpjegonte kryeministri treguesin e Global Finance që rendit vendet më të pasura e më të varfra, ku Shqipëria renditet e 98-a duke lënë pas vetëm Bosnie-Hercegovinën në rajon  dhe vende afrikane e në luftë? Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë përkatësisht të renditura në vendin e 75-të, 88 dhe 90.

Hapësira publike sot është e ndotur nga mësymja e premtimeve të bujshme, por të pambajtura. Kaq të lehtë e ka qeveria të kalojë shqisave të publikut pa asnjë cipë premtimet e pambajtura në katër vjet sa mbi to premton të reja duke psonisur autizmit tonë mandatin e radhës.  Në çdo fushatë elektorale mashtrohet, kudo në botë, jemi mjaftueshëm të bombarduar me shembuj sesi karrigia e pushtetit zhbën beteja e përbetime elektorale. Por ka një masë në gjithçka, në çdo thelb premtimi, për të mos kaluar në qesharak, për të mos prodhuar më pas kosto të rënda  për ata që duhet t’i përmbushin. Se për këta që i premtojnë mjafton edhe paturpësia.

Sepse sado të rritet ekonomia, pa e ndjerë qytetari, a i përgjigjet do sot kjo qeverisje pyetjes se përse asnjë investitor i huaj, me emër e reputacion nuk vjen në Shqipëri? Pse edhe ata që ishin ikën? Si do shpjegohet borxhi i lartë, rritja ekonomike e pandjeshme, papunësia e lartë?

Shërbimi në shëndetësi është vërtetë falas? U hoqën taksat për 95% të popullsisë? Ç’ju thotë bilanci juaj? Po ai i të afërmit? I fqinjit? U punësuat? Sa njihni të papunë? 300.000 vende të reja pune? Po pse nuk ndikoi kjo në ekonomi? Si ka mundësi mos ta prekë një shoqëri mirëqenien që prodhojnë 300.000 vende pune? Po rrugë sa u ndërtuan? Sa investime publike morën jetë për të përmirësuar shërbimet? Çfarë prodhoi katërvjeçari përtej fasadës dhe perdes së hekurt të propagandës?

A dimë të kërkojmë llogari? Nëse shqetësimi ynë është se me të marrë pushtetin ata sillen të gjithë njëlloj, me kthetrat gati për t’ia ngulur vendit e parasë publike, për sa shembuj të tjerë kemi nevojë për të kuptuar se çfarë i sjell deri aty është pamundësia jonë për të kërkuar llogari, për të ngritur zërin?! Me një kërkim elementar në rrjet gjen premtimet e qeverisë aktuale, nga kontrolli mbi financat publike, tek ai mbi territorin dhe vendosja e rendit publik. Një ekonomi që rritet, por nuk e ndjejnë qytetarët, cilësohet ringjallje apo ngulfatje ekonomie? Nëse bëni bilancin tuaj mbi çfarë fitoni e kurseni, fatura që shlyeni e shërbime që merrni, çfarë ju prodhojnë llogaritë? Pas betejës në Lazarat, çfarë ndodhi me kanabisin në gjithë Shqipërinë e situatën e rendit? Pas ndarjes territoriale a u përmirësuan shërbimet dhe funksionimi i administratës lokale?

Po kush mund t’i bëjë pyetjet në formulën e kësaj fushate të çuditshme, ku erzin po ia marrin opozitës dhe alternativave, ndërsa kryeministri polisportiv nuk lejon asnjë pyetje nga tavolinat e shtruara me meze e raki.

Secili prej nesh mund të gjykojë mbi përvojën e vet e nuk ka pse pret nga divani i shtëpisë së tij të shoh qeveritarët në divanët e shtëpive të të tjerëve duke u bërë llogaritë.

Ja ku nis kthjellimi i parë, me përgjigjen e këtyre pyetjeve elementare. Po iu bindën, jepini votën. Në të kundër dënojini!

Dështimet janë ta radhitura në ekonomi, shëndetësi e financa, por vëmendja shfokusohet në një betejë partiake të opozitës e cila ndodh në kohën më të papërshtatshme, për arsye që pak, ose aspak u interesojnë njerëzve. Partia është një organizim vullnetar që ka rregullat e veta me synim marrjen e pushtetit për përmbushjen e programit të saj. Energjia ende ngec në nyje të formuara prej kohësh e që kërkojnë t’i zgjidhin me një thyerje kockash. Ajo çfarë sot duan të dinë shqiptarët është përpos programit elektoral të opozitës, si një reflektim i plotë edhe i gabimeve të saj në të shkuarën, se a mund t’i besojnë Lulzim Bashës për premtimet e tij, kur arriti një marrëveshje me njeriun të cilin e konsideronte nyjen kryesore të Republikës së Vjetër? Këtu sërish vjen një tjetër kthjellim për t’i kujtuar edhe opozitës se e njohim mirë lojën e vjetër të premtimeve që bëhen letër higjienike gjatë mandateve dhe se Republika e Re duhet të nisë më së pari nga qasja e saj e re ndaj sistemit. Ja edhe kthjellimi I dytë, në kërkim të një argumentimi të plotë e ezaurues. Po iu bindën jepini votën, në të kundërtën dënojini!

Ndërsa për forcat e tjera, duke nisur me LSI-në si parti që ka ndarë pushtet prej tetë vitesh, beteja nis e pabarabartë prej sistemit elektoral që më së pari u krijua për ta zhdukur. Por i duhen bërë të njëjtat pyetje e duhet gjykuar me të njëjtat kute si për forcat e mëdha. Nuk ka më stabiliteti para demokracisë, stabiliteti para mirëqenies. Ata që deri dje kanë qenë në sistem janë bërë mjeshtra të gjuhës antisistem që garanton pushtetin vetëm si alibi. Më pas sistemi ngjan aq i thellë për të gllabëruar çdo përpjekje e zhytje me kokë për të bërë ndryshimin e madh a Republikën e Re sido që të quhet. Nëse iu bindin, jepini votën, në të kundërtën dënojini! Ky është një kthjellim i tretë në atë perceptim mbi mungesë alternativash që kaq shumë na e kanë ushqyer, sa tashmë truri ynë është projektuar për të mos e dalluar alternativën edhe kur ajo ekziston.

Dhe kthjellimi i katërt është se kjo fushatë është e çuditshme, fyese për çdo votues. Ende e mbërthyer pas listash e fyerjesh, me gjuhë negative e programe të paqarta, objektiva të paarritshëm e konspiracione diletante.

A ka mbetur më respekt për mënyrën si duhet bërë politikë? Pse e konsiderojnë kaq të sigurt veten partitë e mëdha duke mos marrë seriozisht një fushatë, kur në gjithë Europën po shemben strukturat e amortizuara të partive që kanë ndarë rregullisht pushtet në dekada? A u tremben alternativave, apo mendojnë se me këtë sistem elektoral e kanë vendosur fatin e lojës në nisje?! Harrojnë se edhe fati ka dorën e vet. Po, siç i ndodhi edhe presidentit të ri francez ku e djathta u diskretitua prej skandaleve të liderit të saj dhe e majta u përça.

Koha ka ardhur e me siguri po shkon për të patur një ndryshim thelbësor të kësaj formule politike që riciklon vetveten duke prodhuar rregullisht të njëjtat kriza, të njëjtin vullnet për të lejuar marrëveshjet të ngrihen mbi ligjin, të njëjtin zell për të përjashtuar qytetarët nga vendimmarrja, duke shtyrë gjithnjë në kohë pjesëmarrjen si një proces natyral të demokracisë.

Formula politike në fakt që po shemben gradualisht në botë. Ja rasti më i fundit francez: Çfarë prodhoi politika qe një mundësi për të dëgjuar njerëzit, Macron mobilizoi aktivistë të rinj të cilët përdorën algoritme të gatshme për të identifikuar zonat më përfaqësuese të Francës. U trokit në 300.000 dyer, nuk u shpërndanë fletëpalosje, por u bënë mbi 25.000 intervista të thella përmbi 15 minuta me qytetarë të ndryshëm. I gjithë informacioni u hodh në një database që më pas do të shërbente si shtroja e ndërtimit të programit elektoral. Synimi i tij qe të maste mirë temperaturën e vendit, ta kuptonte, duke stimuluar vullnetarët të trokasin derë më derë, duke dëgjuar. Kujdes! Dëgjuar.

Njerëzit të dëshpëruar për diçka të re dëgjuan atë që mund të zgjonte shpresën, jo çfarë do bënte ai për Francën, por si do të mund të krijoheshin mundësitë për njerëzit.  Pra në fokus janë ata, dëgjohen, konsiderohen.

Shqiptarëve jo vetëm u bëhet një bilanc nën avuj alkooli e bulëza në lëkurë pulash të pjekura me seriozitetin e një kompleti tutash, apo listash ndërtuar në inkubatorë, por u kërkohet që të mirëkuptojnë mosarritjet për shkak se dy timonë janë gjithnjë më keq se një. Pra konsiderohen numra, për numra me bindjen e thellë se kodi zgjedhor i nëpërkëmbur e i marrë fund e justifikon demokracinë në numërim e jo në votë.

Ndaj duhet të ndodhë e kundërta, jo t’i dëgjojmë, por të na dëgjojnë fillimisht, me idenë se pushtetin mund tua zëmë në fyt nëse nuk dinë të mbajnë premtime, nëse përfshihen në skandale, nëse mashtrojnë aq hapur sa i shpëton vetëm paturpësia.

Ky është edhe ngacmimi i fundit kthjellues për kë ende nuk ka bërë gati valixhet e t’ia mbathë nga ky vend. Duhet të dimë se çfarë kërkojmë e si ua kërkojmë, sepse nëse nuk e di se ku po shkon, çdo rrugë të çon në moskund.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: