MUZIKA NË SFOND... -NGA MERI DISHNICA

MUZIKA NË SFOND...  -NGA  MERI DISHNICA
NGA MERI DISHNICA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Asnjë udhëtim nuk do të dukej më i gjatë sesa një udhëtim pa muzikë në sfond. Në hapësirën e vogël të makinës, kur ke mbaruar bisedat, thashethemet, shfryrjet, cigaren me dorën jashtë makinës, derisa krahu të mpihet; ke komentuar pafund rrugën e bukur panoramike të saposhtruar, - por të sapoprishur; ke vendosur ku do të ndalosh të pushosh, pasi ke negociuar për vendin; pastaj je puthur e përqafuar...

Po më tej, çfarë?! Si… si mund të shtysh kilometra të tëra rrugë? Ke vetëm dy zgjidhje: Një, të dëgjosh trupa insektesh që përplasen vrullshëm në xhamin e parë të makinës, - gati gati dëgjon thirrjet e tyre ultrasonike, në qetësinë e një argumenti të lënë përgjysmë dhe dy, të dëgjosh muzikë.

Të dëgjosh muzikë të rastësishme në radio, është OK, por të dëgjosh muzikën e preferuar, nuk ka të paguar! Preferencat muzikore janë të ndryshme, çështje shijesh dhe nuk diskutohet. Çfarë i pëlqen dikujt, thellësisht, nuk është e thënë t’i pëlqejë tjetrit. Pavarësisht se nëpër festa, harbohemi me çfarëdo lloj kënge që luhet nga DJ, madje edhe me ato më qesharaket.

Afeksionohemi me këngë apo melodi të caktuara në kohë të ndryshme të jetës. Këngë të veçanta që risjellin kujtime, ndjesi, emocione, ndjenja malli apo ankthin e të shkuarës së ikur, sepse muzika, në të gjitha shprehjet e saj, me tekst apo pa tekst, instrumentale, elektronike apo çfarëdolloj, ka një forcë të habitshme me të cilën na ndikon. Melodi që na bëjnë të ndryshojmë humorin, në çast, sikurse e papritura e një përgjigjeje, për mirë apo për keq. Janë, pikërisht, kujtimet ato që na ndërlikojnë gjithçka, i atribuojmë muzikës ndjesi personale, copëza kujtimesh.

Për më tepër, një tekst i mirë lartëson një melodi të bukur, e ashtu bëhen bashkë dhe na mbeten në mendje dhe, krejt papritur, ëndrrat duken kaq të prekshme.

Por, mbi të gjitha, muzika të ofron një mënyrë për të shkarkuar tensionin, mërzinë. Fundja, të bën të menaxhosh më mirë vetminë. Është një mënyrë e ëmbël arratie, por edhe një formë magjike e komunikimit në të njëjtën kohë. Ajo mund të shërbejë si një background gjatë një romance. Jemi ne që e lejojmë të na ndikojë në çaste të caktuara kur, për arsye të ndryshme, jemi vulnerabël.

Mund të ndodhë të jemi alert, ndaj çdo tingulli apo stimuli. Mund të ndodhë të fiksojmë muzikën në sfond, të fiksojmë vendin ku ndodhemi, njeriun që kemi pranë dhe sigurisht shikimin e tij\saj. Mund të ndodhë të fiksojmë fjalët e këngës në sfond, sidomos kur ka edhe një tekst të bukur, shkruar nga dikush që nuk është përpjekur të bëjë vetëm rimë. Ja pse, çdo histori dashurie, ka këngën e saj.

Këngë e cila do t’i sjell emocionet e herës kur e kanë dëgjuar. Këngë e cila edhe mund t’i çmendë, nëse muzika e bukur ishte aty, por dukej aq bajate, si një përgjigje e munguar.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: