NE QË NUK E DUAM TË VOGLIN...- NGA FRROK ÇUPI

NE QË NUK E DUAM TË VOGLIN...- NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

 Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

... Shpesh herë nuk duam as sakatët; shpesh nuk duam as të zinjtë; shpesh herë gjymtojmë qentë dhe dhunojmë kafshët. Tani vonë, madje shumë vonë, zogjtë kanë nisur të zbresin pranë zonave të banuara nga njerëzit dhe nuk shikojmë aq shumë qen me tre këmbë.

Të ‘voglin’ nuk e duam. I vogël është ai që është më i pafuqishëm se ne, ose më shkurt, ‘ai që e zotërojmë’ dhe që është afër nesh. Nuk po them për fëmijët, sepse kjo është më e vërteta e botës; fëmijët akoma rriten të trembur, edhe kur shkojnë në këndin e lodrave manifestojnë egërsi. Në një emision televiziv të mëngjesit, ku bëhet ‘tregtia’ e grave që duan burra dhe e burrave që kërkojnë gra, zëri i tjetrit që kërkon partneren vjen lajkatar deri në momentin ‘a ke fëmijë?’. Ajo që ka fëmijë- nuk vlen; dhe ai që ka fëmijë- akoma më keq për gruan nga ana tjetër e telefonit...

Ka frikë se politika i di mirë shijet tona, dhe prandaj na ka lidhur pas ‘ të fortit’. I forti nuk është i vogël; ne e duam të fortin sepse  nuk e duam të voglin; i vogli është ‘i dobët’. Më duket se vijmë të gjithë nga syndromi i Stokholmit: Te udhëheqësi shikojmë ‘babanë’ atë që na rrit dhe na rreh... Kësaj here partitë na kanë “hedhur trutë e gomarit’- siç thotë në një  frazë polemike lideri i Opozitës, zoti Basha. Kësaj here partitë e mëdha na kanë udhëzuar ‘si babai’ të mos duam ‘partitë e vogla.

Dhe ne po duartrokasim; i rrënuam duart duke duartrokitur për ‘zhdukjen e partive të vogla’.

Po çfarë ndodh kështu?

1.

‘I vogli’ është ‘ne’ dmth., ti dhe unë dhe tjetri. Ai që i afrohet më shumë individit, aftësisë së tij, shijes së tij,- është i vogli. Sepse vetë individi është ‘i vogël’ në këtë botë. Ka një kurm (shumë- shumë 2 metra i gjatë jo më shumë), ka një banesë ku nuk mund të hyjnë as kuaj lufte, as tanke; ka një veshje me tre a pesë palë ndërresa, (por jo store-t gjigande); ka një kapital sa për të mbajtur mirë jetën- (por nuk ka para pa fund, madje të vjedhura nga të vegjlit); pi një kafe në ditë dhe gëzohet me fëmijët a me prindërit në mbrëmje... Ky është i vogli. Ndërsa ‘i madhi’ është i veshur me ‘hekur’ për të përballuar goditjet që merr nga shtypja që bën mbi të vegjlit dhe nga mëkate të tjera; i madhi nuk shikon përtokë ku janë individët por e ka syrin në qiell; makinën shtetërore që ka marrë nga individët e përdor kundër tyre...

Këta iu kanë dhënë direktivë të vegjëlve në popull që të mos i pranojnë ‘partitë e vogla’. Po e lëmë fjalën ‘parti’ sepse vërtet ka marrë një pexhorativ negativ; por le të qëndrojmë të fjala ‘i vogël’. Ne të vegjlit nuk kemi pse të luftojmë kundër të voglës.

2.

Partitë e vogla, të cilat po konsiderohen si “rrezik”, në fakt përbëjnë ‘rrezik’; por përbëjnë rrezik për pushtetin e madh, jo për ne- individët dhe popullin poshtë të mëdhenjve. Rreziku për pushtetin, në sensin demokratik, gjithnjë është favor i vegjëlisë që pushtetërohet nga lart. Ndërsa individi që tani ‘përkëdhelet’ si sovran, ka vetëm një sekondë fuqi magjike mbi pushtetin që ende nuk e ka parë; pushteti ngjallet prej sekondës magjike të të voglit dhe e dominon pa pushim katër vjet- të paktën. Në qoftë se që në këtë moment, të vegjlit radhiten kundër të ‘vegjëlve’, atëherë nuk ka vlerë që të pendohesh nesër. Partitë e vogla, sado që janë ‘shushunja’- siç po thonë partitë e mëdha që mbajnë mbi kurriz globin e pushtetit, ato nuk janë kurrë më shumë se shushunja. Qenia e madhe ia zë hapësirat individit, madje edhe kur fle- e shtyp të voglin.

3.

Sensi demokratik i marrëdhënies “i madh”- “i vogël”.

Pa parti të vogla nuk mund të ketë demokraci. Demagogjia e përhapur se ‘partitë e vogla’ po ‘na shtrembërojnë timonin’ është një devijim i Demokracisë. Pluralizmi politik në Shqipëri u ndërtua mbi bazën e ‘lirisë së individit për organizime politike’. Vetë individi- sipas filozofisë themelore të Demokracisë- është “qenie politike”. Ngrihet individi në mëngjes e vepron politikisht, dmth., sipas rregullave të polisit... vjen mbrëmja dhe as atëherë nuk e mbyll kapitullin e “qenies politike”. Pragu më i afërt politikisht për qenien politike është ai që ka më afër: e vogla që i ngjan individit, e prekshmja dhe e përdorshmja. Para se të shkojë individi te qeveria, fillimisht e nis me partinë e vogël që ndodhet në opozitë, ose edhe jo në opozitë. Partitë e mëdha ankohen për dy arsye:

E para pse e duan gjithë pushtetin për vete. Mendo: Kur nuk duan t’u japin pushtet partive të vogla edhe aleate- sa mund t’i japin pushtet individit (që as e llogarisin)?! Mendo sikur dikush nga ne individët të ishim këto ditë ‘qendër’ e sulmeve të të madhit, vallë si do të mbroheshim, siç po mbrohen partitë e vogla?! Do të bëheshim hi nga armët e të mëdhenjve...

E dyta, këta nuk e duan ‘të voglin’, dmth., partitë e vogla, sepse përmes tyre ‘pushteti merr ajër’; ata e duan pushtetin si bunker që të mos hyjë as dalë gjë. ‘Merr ajër’ do të thotë se hapen shtigje ku mund të depërtojë edhe individi deri në qeveri. Por ata nuk e duan... Sa kohë demokracia është në hapa ende fillestarë (para 2 mijë vjet që kanë të tjerë pa ndërprerë), “të vegjlit’ duhet të jenë pjesë e shtetit dhe e pushtetit...

Ndryshe, në vend që të rrezikohet e keqja (diktati), do të rrezikohemi ne- individët.

 Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: