Nisin konfliktet me “teknikët”, shkarkohet drejtori i OSSHEE

Nisin konfliktet me “teknikët”, shkarkohet drejtori i OSSHEE
Situatë e pazakonshme në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, teksa institucioni ruhet nga dy shoqëri sigurie private. Ministrja teknike akuzon sekretarin e Përgjithshëm për futje të personave të armatosur dhe të paautorizuar, ndërsa Policia e Shtetit thotë se bëhet fjalë për një konflikt administrativ që zgjidhet nga gjykata. Shkarkohet drejtori i Përgjithshëm i OSSHEE-së, i propozuar nga PD dhe rikthehet Adrian Çela

Pas përfundimit të numërimit të votave të 25 qershorit, drejtori i Përgjithshëm i OSSHEE-së është shkarkuar nga detyra. Adrian Çela është rikthyer në krye të OSHEE-së.

Këshilli Mbikëqyrës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike mori vendimin për lirimin e Haki Mustafës nga detyra e administratorit të shoqërisë OSHEE sh.a. Me vendim të Këshillit Mbikëqyrës, Adrian Çela u emërua në detyrën e administratorit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Haki Mustafa u vendos në krye të OSHEE në kuadër të marrëveshjes Rama-Basha për zgjedhjet e 25 qershorit.

Ende nuk dihet se cili do të jetë fati i drejtuesve të tjerë të institucioneve dhe ministrave teknikë, të propozuar nga Partia Demokratike pas marrëveshjes së 18 majit.

Në një intervistë të para zgjedhjeve për “Albanian Free Press”, zv/Kryeministrja, Ledina Mandija, ka thënë se mandati është i përcaktuar në Kushtetutë.

Një situatë delikate është denoncuar dje në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, e cila drejtohet nga ministrja e propozuar nga Partia demokratike, Mirela Karabina.

Karabina ka akuzuar sekretarin e Përgjithshëm të këtij institucioni, Plarent Ndreca, se ka futur në ministri persona të armatosur dhe ka ngritur alarmin, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.

Bëhet fjalë për punonjës të një kompanie private të sigurisë fizike, e cila, sipas deklaratës së ministres, është kontraktuar nga Ndreca ndërkohë që ishte i pezulluar.

Ministrja ka akuzuar për mosndërhyrje edhe policinë. “Policia e Shtetit nuk është përgjigjur asnjë thirrje për të ndërhyrë dhe normalizuar situatën e rrezikshme dhe të tensionuar që është krijuar në këtë institucion”. Por drejtoria e Policisë së Tiranës është përgjigjur se “është njohur jozyrtarisht me konfliktin institucional ndërmjet Ministrit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të MAS”, duke theksuar se palët duhet të drejtohen në Gjykatën Administrative. “Për sa i përket shërbimit të sigurisë fizike, të dy shoqëritë janë kontraktuar nga i njëjti institucion”, thotë Policia e Shtetit.

Plarent Ndreca është pezulluar nga detyra nga ministrja Karabina, me akuzën për “bllokim të paligjshëm të punës”, por urdhri është prapësuar nga Departamenti i Administratës Publike.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: