PËRSE BERISHA S’PO THOTË GJË PËR LSI-në?-NGA EDUARD ZALOSHNJA

PËRSE BERISHA S’PO THOTË GJË PËR LSI-në?-NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

 Teksa Rama e Basha ishin kyçur për orë të tëra në Pallatin e Kongreseve më 18 maj, Ilir Meta i bëri një vizitë Sali Berishës në zyrën e tij private, e cila ndodhet fare pranë Pallatit të Kongreseve, në një kullë 22-katëshe. Dhe ndoshta jo rastësisht, në hyrje të kullës ishin kamerat e të gjithë televizioneve shqiptare.

Kur doli nga “kulla e Berishës”, Meta tha se “Doktorin e ka pikë të dobët”. Ndërsa kur u pyet në një emision televiziv të nesërmen se përse i kishte thënë ato fjalë, u përgjigj si me të qeshur: “Doktorin e kam pikë të dobët, por edhe të fortë…”

Lëvdata të ngjashme i kanë bërë Berishës edhe njerëz të tjerë të rëndësishëm të LSI-së.

Zhvillimet e fundit politike kanë treguar se takimi që po zhvillohej në Pallatin e Kongreseve më 18 maj, larg syve të Berishës, ka patur një “collateral damage” – LSI-në. “30 drejtorë të LSI-së janë pushuar , por mund të bëhen edhe 300, nëse shkelin ligjin,” – tha Lulzim Basha në një takim elektoral. Dhe shkarkimet e drejtorëve dhe zyrtarëve të administratës shtetërore, që i përkasin LSI-së, kanë vazhduar…

Duke parë tablonë e madhe politike, sulmi që po i bëjnë dy partitë e mëdha LSI-së e bjerr kartën e saj më të fortë elektorale – patronazhin. Në tetë vitet e fundit, motoja e fushatave elektorale të LSI-së në terren ka qenë “Votoni për ne, dhe ne do të kujdesemi për ju”. Por kur drejtorët dhe zyrtarët e emëruar prej saj pushohen, kjo kartë nuk e ka më fuqinë e derisotme.

Kjo kartë e LSI-së mund të fuqizohet vetëm në qoftë se Berisha do të lëshojë një mesazh publik pozitiv, në përgjigje të mesazheve publike të Metës & co., drejt tij. Një mesazh i tillë do të krijonte idenë e një aleance fluide Berisha-Meta, me synim largimin e Ramës nga pushteti...

Një aleancë e tillë fluide para zgjedhjeve të 2005-ës, në fakt, largoi Nanon nga pushteti. Ndërsa një aleancë publike Rama-Meta para zgjedhjeve të 2013-ës largoi Berishën nga pushteti. Dhe sot, një aleancë fluide Berisha-Meta mund të jetë mëse jetike për këtë të fundit. Partia e tij do të pësonte një tkurrje të ndjeshme, nëse zgjedhësit e thjeshtë krijojnë perceptimin se LSI-ja nuk ka shans të jetë pjesë e pushtetit pas marrëveshjes Rama-Basha.

Në fakt, historia elektorale ka treguar se LSI-ja tkurret kur dy partitë e mëdha bëjnë marrëveshje për ta tkurrur atë (shihni grafikun shoqërues). Kështu, në zgjedhjet e 2005-ës (kur Berisha kishte një aleancë fluide me Metën për largimin e Nanos nga pushteti), kandidatët LSI-stë për deputetë morën 10.5% të votave në rang kombëtar. Ndërsa kandidatët e PS+satelitet dhe të PD+satelitet morën nga 41.5%. (kjo e fundit e siguroi mazhorancën falë “Dushkut të Madh” dhe “xhuvelizmit” – PAA mori vota majtas dhe deputetët e saj kaluan djathtas).

Në zgjedhjet e 2009-ës, kur Berisha e Rama bënë marrëveshje për ta tkurrur LSI-në, LSI mori vetëm 4.5% të votave, ndërkohë që PS+satelitet dhe të PD+satelitet u rritën përkatësisht deri në kuotat 46% e 46.5%.

Në zgjedhjet e 2013-ës, kur Rama e Meta bënë aleancë publike për ta larguar Berishën, LSI u ringjit përsëri në kuotën 10.5% - por kësaj radhe, krejtësisht në kurriz të PD+satelitët, që zbritën në kuotën 39.5%.

A do ta ndihmojë këtë herë Berisha LSI-në, që të mos tkurret si në 2009-ën?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: