Gjatë shoqërimit nuk pati asnjë problem përsa i përket përmbushjes së detyrës nga punonjësit e Policisë, përveç rastit në qytetin e Vlorës ku është shënuar një incident mes komisionerëve, por me ndërhyrjen e Policisë situata është normalizuar dhe zgjidhur nga KZAZ. Gjatë kohës së votimit, në të gjithë vendin, Policia e Shtetit ka ndërhyrë me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, brenda Qendrave së Votimit në 72 raste. Dorëzimi i materialeve zgjedhore dhe kutive të votimit në KZAZ-të është drejt përfundimit.
Në vijim, Policia e Shtetit do të fokusohet në përmbushjen e detyrave për: Marrjen në ruajtje dhe sigurimin e Vendeve të Numërimit të Votave. Kryerjen e veprimeve proceduriale për të gjithë ngjarjet / incidentet që mund të ndodhin gjatë procesit të numërimit të votave, duke bashkëpunuar me Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore. Menaxhimin e situatave që mund të krijohen në ambientet jashtë Vendeve të Numërimit të Votave. Në rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Vendet e Numërimit të Votave, në rastet e kërkesës së ligjshme të KZAZ-ve Shoqërimin e materialeve zgjedhore nga Vendet e Numërimit të Votave për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në përfundim të procesit zgjedhor.
Policia e Shtetit, krahas angazhimit maksimal për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në aktet normative në kuadër të procesit zgjedhor, është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor.