PRECEDENTI I “MOSMERITËS” - NGA JUELA MEÇANI

PRECEDENTI I “MOSMERITËS” - NGA JUELA MEÇANI
NGA JUELA MEÇANI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nëse në një gjykatë jepet një vendim, krijohet një precedent i cili citohet e del në skenë nga një avokat. Deri këtu jemi OK. Elemente të jetës sonë krijojnë precedentë. Ato kopjohen, ripërtypen, ripërdoren. E keni vënë re, besoj, se krahasimorja në traditën tonë, është mjaft e përdorur. Hë mo, se dhe filani ashtu bëri; hë mo, se kur e ka bërë ai ose ajo, pse nuk duhet ta bëje ti... Dhe kështu nis mosrespektimi i vlerave, mosnjohja e meritës individuale.

Dalëngadalë, ramë si shoqëri në një kurth nga i cili nuk e shoh të lehtë të dilet. Ky kurth ka krijuar disa precedentë të rrezikshëm për të ardhmen. Duke qenë se paçka se i rrezikshëm, është miklues e me shije, po përhapet si epidemi, ngado, mes brezit punëkërkues, që nesër do të jetë politikbërës e politikhartues.

Që s’ka më fjalë burri e që shumë rrallë mbahet besa, kjo më nuk ka dyshim. Por ajo që do të shkatërrojë secilin sistem, është precedenti i “mosmeritës”.

Nuk jam aq idealiste sa të mendoj se do zhduken miqtë, tarafet, konjukturat politike, por që të shkretohej toka kështu nga mosmerita dhe që mundi e lodhja e çdokujt të kthehej në barsoletë, nuk e prisja.

Rëndom gjej bashkëbisedues të cilët e quajnë punën, lodhjen, angazhimin, luajalitetin, besnikërinë, mirënjohjen, etikën, disiplinën, gomarllëk dhe naivitet. Po, po, naivitet. “Vazhdo kështu ti, vazhdo! Puno si kali! Ndërkohë që ti punon, të tjerët ngjiten”, - e kam dëgjuar nga shumë njerëz, shokë, kolegë, të afërm. Për veten, për ata që janë kështu, për atë filanin atje që është bërë vetë, por me punë.

E nuk i bëj me faj, aspak. Se vemi nga vemi, e nuk ndryshojmë dot. Nuk blihemi dhe as nuk shitemi. Kokën lart edhe kur e kemi lakun në fyt. Ja, këtë të shkretë prioritet e kemi, ne, naivët, që ende presim të njihet merita e gjithkujt.

"Vlerësimi është relativ, masa e vlerësimit e kam fjalën. Merita, jo! Ajo është një, ka masë, të saktë, matematike. Këtu është edhe zhbërja që po ndodh në këtë vend. Çdo ditë që ka bërë perëndia, ata që kanë merita, janë spektatorë të një tragjikomedie që po e trash zullumin, në çdo fushë. Më thoni dot, se si ta edukojë nëna dhe babai vajzën apo djalin, me norma e parime kur ajo apo ai sheh se shoqet e shokët çajnë përpara me servilizëm, zvarritje, lëpirje, intriga? Ose që ecin pikërisht, sepse janë mediokër e si të tillë manipulohen, si marionetat, me lehtësi? Kjo është dramë!

Vlerësimi është relativ, masa e vlerësimit e kam fjalën. Merita, jo! Ajo është një, ka masë, të saktë, matematike. Këtu është edhe zhbërja që po ndodh në këtë vend. Çdo ditë që ka bërë perëndia, ata që kanë merita, janë spektatorë të një tragjikomedie që po e trash zullumin, në çdo fushë. Më thoni dot, se si ta edukojë nëna dhe babai vajzën apo djalin, me norma e parime kur ajo apo ai sheh se shoqet e shokët çajnë përpara me servilizëm, zvarritje, lëpirje, intriga? Ose që ecin pikërisht, sepse janë mediokër e si të tillë manipulohen, si marionetat, me lehtësi? Kjo është dramë! Dramë që të bën të sakrifikosh deri në asht, që evlatin ta nisësh jashtë, bashkë me gjysmën e shpirtit!

Se as nuk e kemi atë luks, ne si vend i vogël ta bëjmë këtë. Në një vend të madh, çdo dukuri ka një cikël dekade ose diçka më tepër, sado e keqe qoftë ajo. Për ne është katrahurë, asimilim. Na rrënon xhepat, shëndetin, familjen. E ne duhet të shtohemi se jemi pak, por po firojmë teksa ju j’ua përkëdhelin egon e sëmurë, disa të paaftë.

Ja, pra, zotërinj e zonja që po zhbëni sistemin e meritoktacisë, në cilëndo fushë qofshi! Ju jeni, shkurt, antikombëtarë! Jeni tradhtarë të gjenezës tuaj e kur shkelni mbi veten tuaj, normal që ne do na fshini! As më shumë, as më pak!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: