SONDAZHI: VOTA MBETET MAJTAS - Nga PLATOR NESTURI

SONDAZHI: VOTA MBETET MAJTAS - Nga PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Vota mbetet majtas. Këtë përshtypje jep tabela e sondazhit të parë, kryer nga IPR Marketing dhe të publikuara në Ora News. Shifrat e dhëna - ku PS mbetet si forcë e parë -me 43 për qind, LSI si forcë e tretë - me 12 për qind dhe 2.3, për Libra e Blushit, - dëshmojnë se trendi i votës së shqiptarëve edhe në këto zgjedhje, do të jetë sërish majtas. Nëse i mbledhim këto shifra, atëherë llogaritet se mbi 57 për qind e votuesve mbetet në preferenca tek e majta. Madje, e veçanta është se dy forcat kryesore të së majtës, PS dhe LSI, kanë rritje krahasuar me rezultatet e 2013, ndërkohë që Libra shfaqet, befasisht, si projekt ambicioz në përballjen e parë elektorale.

Rritje ka edhe PD-ja që renditet e dyta në rang kombëtar me 36 për qind, por ky avancim në shifra është i lehtë krahasuar me bollëkun e votave që shkojnë drejt partive me profil të majtë. Për më tepër që, në zgjedhje, nuk marrin pjesë në mënyrë direkte parti të tjera të spektrit të djathtë të cilat janë ingranuar në listën e përbashkët të PD-së. Në këtë aspekt, beteja e madhe tremujore në çadër, reflektuar në shifra, nuk duket se ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në pritshmëritë e saj të rritjes. Aq më pak, për të rrëzuar e vetme PS-në dhe të majtën, në përgjithësi.

Pavarësisht se jemi në fillim të fushatës elektorale, fakti që të tre forcat kryesore kanë rritje të numrit të votave, duket paradoksal. Pasi, tradicionalisht, në zgjedhjet e mëparshme, rritja e njërit kah është shoqëruar me uljen e votave për kahun tjetër. Vetë tabelat e tre zgjedhjeve të fundit parlamentare, e dëshmojnë qartë këtë fakt. Dy aleatët në bashkëqeverisje, PS dhe LSI, nuk duken të goditura nga fenomeni i tkurrjes që shoqëron konsumimi nga qeverisja, madje të dyja së bashku, kanë një rritje prej gati 5 për qind. Dhe ky nuk është lajm i mirë për opozitën, pasi dëshmon se me betejën e saj, nuk ka arritur të frymëzojë besim dhe aq më pak, optimizëm për revanshin e pushtetit.

Panorama sidoqoftë, është tepër komplekse dhe vështirë të bëhen parashikime të sakta për kurorën e pushtetit. Të tre partitë e majta, që listohen me shifra të larta, paraqiten si kundërshtare në këtë fushatë dhe jo thjesht për matje forcash për numër votash. PS dhe LSI, do ta kishin të garantuar një mazhorancë, sërish të fortë, nëse pas zgjedhjeve të 25 qershorit do të dakordësoheshin me një koalicion, për një mandat të ri. Por situata nuk është më aq rozë. Konfliktualiteti i brendshëm që shoqëroi katër vite qeverisjeje dhe akuzat për pabesi, kanë lënë shije të hidhur te të dyja partitë. Madje, Rama kur kërkon mbështetje nga qytetarët për 71 mandate, e thekson faktin se kërkon pushtet pa mbajtur të tjerë "në prehër". Nuk është vështirë të kuptohet që aludimi është për LSI.

Nga ana e saj, PD, - ndonëse sipas sondazhit nuk ka një rritje të dukshme në shifra, - ka si avantazh që votën e së djathtës, e ka të unifikuar. Elektorati i aleatëve të saj ku, më me peshë, duket PAA e Dukës dhe PR, do të grumbullohet në thesin e madh me siglën e PD-së, çka në vetvete, do të maksimalizojë rezultatin duke shmangur bishtat e përqindjeve të partive të vogla, nëse do të merrnin pjesë më vete në zgjedhje. Sidoqoftë, ekziston dhe një rrezik paszgjedhor. Deputetët përfaqësues të partive aleate të dalë nga lista e përbashkët me PD-në pas zgjedhjeve, do të ngrenë flamurin e partisë së tyre dhe jo të PD-së. Kjo mund të mos shmangë ndonjë devijim të vonshëm të ndonjë partie aleate, në ndonjë koalicion jashtë interesave të PD-së.

Situata paraqitet komplekse dhe rezultatet ende të paqarta. Përqindjet në rang kombëtar, nuk mund të japin të qartë se si do të jetë shpërndarja e mandateve të fituara nga secila forcë. Shpërndarja apo maksimalizimi në qarqe të caktuara, mund të penalizojë dikë e t’i jap triumfin palës tjetër. Beteja kryesore do të jetë sërish në qarqet e mëdha, aty ku janë dhe hambarët e mandateve.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: