Tkurret vota, pjesëmarrje e ulët në zgjedhje

Tkurret vota, pjesëmarrje e ulët në zgjedhje
Eglantina Nasi

Po tkurret gjithmonë e më shumë vota e qytetarëve shqiptarë. Dukuri kjo e konstatuar thuajse gjatë gjithë proceseve të fundit zgjedhore në vend, por që mesa duket u vërtetua edhe në atë të zhvilluar ditën e djeshme, në kuadrin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017. Konkretisht, në përfundim të procesit të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve komunikoi dje në mbrëmje shifrën zyrtare prej rreth 45.7% të pjesëmarrjes në votime në rang vendi, të paktën për gjysmën e qendrave të votimit. Shifër kjo, e cila në fakt rezulton që të jetë më e ulët se ajo e realizuar në zgjedhjet e përgjithshme pararendëse të vitit 2013, kur ajo u konfirmua se ishte 53%. Pra, pak më shumë se gjysma e shqiptarëve me të drejtë vote dhe që e vunë në përdorim këtë të drejtë ligjore të tyre. Por që këtë vit, mesa duket, nuk arritën as të jenë sa gjysma e tyre, duke reflektuar një rënie të vazhdueshme të tyre.

Ndoshta kjo edhe për shkak të faktit se dita e zgjedhjeve këtë herë përkoi dhe me atë të festës së Bajramit të Madh, duke bërë kësisoj që shumë prej besimtarëve, ta shpërqendronin vëmendjen e tyre nga procesi elektoral si i tillë, për t’iu përkushtuar kremtimit të kësaj feste të rëndësishme për ta. Por pse jo, një shkak tjetër i pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve shqiptarë dje në votime mund të ketë qenë edhe ai se e diela e djeshme ishte një ditë që u shoqërua me temperatura të larta në të gjithë vendin, kësisoj e zgjedhur prej shumë personave edhe si një e dielë ideale plazhi, pa e vrarë shumë mendjen për ta prishur axhendën e saj, vetëm për të shkuar në votime. Sikundër, nuk mund të përjashtohet as edhe arsyeja e rënies gjithmonë e më shumë të besimit të qytetarëve tek klasa politike që drejton vendin.

Që të gjitha këto, shkaqe që përveçse kanë çuar më pak shqiptarë para kutive të votimit, e kanë detyruar dje Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të marrë dje në mbrëmje edhe vendimin për shtyrjen me një orë të procesit të votimit në rang vendi, përkatësisht duke e çuar atë nga ora 19.00 e parashikuar më parë, në orën 20.00, si orari final. Vendim ky i cili gjithsesi, edhe pse mund të ketë ndikuar për shtimin e votuesve gjatë këtij harku kohor, nuk mundi ta tejkalojë nivelin total të pjesëmarrjes në votime gjatë gjithë ditës së votimeve, krahasuar me zgjedhjet e fundit elektorale. Një shqetësim ky i ngritur nga vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditën e djeshme, teksa në orare të ndryshme të saj ka komunikuar shifrat e ulëta të pjesëmarrjes në votime të qytetarëve shqiptarë.

Ndërkaq, sipas shifrave, në total për këtë proces zgjedhor në listat e zgjedhësve figuronin 3.45 milionë votues, për të votuar në 5.361 qendrat e votimit në rang vendi. Por po t’i referohemi numrit të popullatës shqiptare që jep Censusi i saj, ky numër është rreth 2.8 milionë banorë. Që do të thotë se në fakt krijohet një diferencë prej jo pak, por rreth 700 mijë personash, të cilët janë emigrantë që jetojnë jashtë vendit, por me të drejtë vote brenda tij. E në pamundësi për të ardhur dot në ditën e zgjedhjeve për të votuar në Shqipëri, ata krijojnë një diferencë vërtet të konsiderueshme në lidhje me nivelin e pjesëmarrjes reale në votime të qytetarëve shqiptarë. Kjo, edhe pse disa mijë prej tyre (sipas raportimeve të mediave rreth 5 mijë të tillë përshembull prej tyre vetëm nga Greqia) e kanë marrë mundimin edhe gjatë ditës së djeshme të vijnë e të votojnë në atdhe në kuadrin e zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Duke përbërë kështu një nga arsyet kryesore të shënimit sërish të një niveli të ulët pjesëmarrje të qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote, edhe këtë herë në vend.

Trendi historik, si ka rënë pjesëmarrja nga viti në vit

Mund të quhet fare mirë një trend historik. Pasi pjesëmarrja në zgjedhje ka rezultuar në rënie gjatë gjithë rrugëtimit të proceseve zgjedhore në rang vendi, zhvilluar në harkun kohor të 27 viteve të fundit demokraci. Teksa niveli i saj maksimal duket se ka qenë në zgjedhjet e vitit 1991, përkatësisht me 99%, pasuar nga ai prej 92% në zgjedhjet e vitit 1992 dhe më pas, me nivelet sërish të larta, edhe pse në rënie, në zgjedhjet e përgjithshme që pasuan vendin, 1996 dhe 1997, përkatësisht me shifrat 89% dhe 73%. Një dukuri kjo e cila mund të lidhet edhe me trashëgiminë komuniste të vendit tonë në ato vite, ende të afërta në kohë nga rrëzimi i tij, kur qytetarët shqiptarë e kishin detyrim ligjor të shkonin në votime dhe pjesëmarrja arrihej thuajse gjithmonë në nivelet prej 100%, përveç rasteve ekstreme. Një trend ky i cili nisi të “çmitizohej” mesa duket në vitet ‘2000, kur proceset zgjedhore të përgjithshme në Shqipëri nisën që të shënojnë një pjesëmarrje të ulët të votuesve, e cila vërtitej pak a shumë në nivelin e gjysmës së atyre me të drejtë vote. Konkretisht, shifrat referojnë se në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001 pjesëmarrja ishte në nivelin prej 55%, në ato të vitit 2005 ishte 49%, në vitin 2009 ishte 51%, kurse në zgjedhjet e fundit të vitit 2013, kjo shifër arriti në nivelin prej 53%.

Dibra, qarku me pjesëmarrjen më të lartë të votuesve në zgjedhje

Qarku i Dibrës rezulton se është ku banorët e tij e kanë respektuar më shumë se të tjerët të drejtën e votës. Kjo të paktën sipas të dhënave të komunikuara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrjen në votimet e ditës së djeshme, që konfirmojnë se ky është edhe qarku me nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në votime në rang vendi, përkatësisht me 55% (referuar informacionit të gjysmës së qendrave të votimit në rang vendi). Pasuar ndërkaq, nga qarku i Kukësit, i cili e ka këtë tregues e ka patur në nivelin prej 53.8%. Kështu, skaji verilindor i vendit rezulton që të ketë qenë më i angazhuar në procesin e djeshëm zgjedhor, krahasuar me atë të jugut të vendit, i cili ka shënuar edhe vlerat më të ulëta të pjesëmarrjes në zgjedhje. Konkretisht, gjithmonë referuar KQZ-së, rezulton se qarku i Vlorës ka patur edhe nivelin më të ulët të saj, 36%. Pasuar nga ai i Gjirokastrës, pjesëmarrja e qytetarëve të të cilit në zgjedhjet e djeshme ka arritur në nivelin prej 46%. Ndërsa qarku i Tiranës mësohet se ka patur një nivel pjesëmarrjeje në nivelin prej rreth 48.6%.

GJINIA

Sa i përket krahasimit të votës së hedhur në kutitë e votimit, në aspektin gjinor, rezulton se femrat kanë votuar sërish më pak se meshkujt edhe në këto zgjedhje parlamentare të radhës, njësoj si ato të fundit në vitin 2013, kur vota në tërësinë e saj është kryesuar nga vota e meshkujve, përkatësisht në nivelin prej 60%, krahasuar me atë të femrave, vetëm 40%. Kurse referuar zgjedhjeve të sivjetshme, sipas të dhënave të konfirmuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për rreth gjysmën e qendrave të votimit në rang vendi rezulton se në rang vendi vota e femrave ka zënë vetëm 27% të totalit. Kundrejt asaj prej 63% të meshkujve. Për të treguar në këtë mënyrë se barazia gjinore në Shqipëri nuk është ende e arritur jo vetëm në përfaqësimin e femrave në politikë dhe vendimmarrje, por edhe kur ato votojnë.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: