TRETJA E SUBJEKTEVE TË VOGLA DHE SUPERMAXHORANCA-NGA PLATOR NESTURI

TRETJA E SUBJEKTEVE TË VOGLA DHE SUPERMAXHORANCA-NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

74 mandate dhe basti i Edi Ramës për timonin jo vetëm është fituar por dhe tejkaluar nga çdo pritshmëri. Pavarësisht kësaj, graviteti i fitores mund të jetë më i madh. Jo vetëm për faktin se 43 mandatet e siguruara nga PD e bëjnë të thellë distancën nga kundërshtari historik.  As pse LSI  ndonëse me rritje në këto zgjedhje, me 19 mandatet e saj nuk mund të bëjë asgjë më shumë sesa të rikthehet në opozitë dhe të mendojë strategjitë për një opozitarizëm luftarak. Graviteti I fitore së PS shkon më poshtë. Tek dy subjektet e tjera elektorale që arritën të sigurojnë mandate nga zgjedhjet e 25 qershorit. PDIU e komunitetit çam ka arritur te kuota e tre deputetëve ndërsa ish deputeti I PS Tom Doshi ka arritur të sigurojë mandatin e tij në Shkodër nën siglën e PSD.

Tretja e partive të vogla që kanë arritur të marrin mandate në parlament mund të jetë fenomeni i fundit I pritshëm që mund të prodhojë përfundimi i procesit zgjedhor. Në fakt kjo ka filluar. Deputetja e re e PDIU në Dibër, dhe Tom Doshi në Shkodër, menjëherë pas sigurimit të mandateve kanë deklaruar se e bashkojnë votën e tyre me Edi Ramën. Nxitimi për ta shprehur menjëherë këtë qëndrim, bëhet  pa i dhënë kohën e mjaftueshme për të gëzuar fitoren në këto zona vetë subjektit politik që i ka kandiduar.

Nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajnë dhe dy deputetët e tjerë të PDIU që kanë fituar në Elbasan, ndoshta kjo pse vetë procesi numërimit atje ka zgjatur më shumë se në zonat e tjera. Sidoqoftë dihet miqësia e kreut të listës së PDIU në Elbasan me vetë kryeministrin Rama. Dhe në rast se bashkëngjitja vijon atëherë do të kemi të tjera shifra. Mazhoranca e re, pa më të voglën lëvizje dhe pa patur nevojë për marrëveshje shtesë, do ta çonte numrin e mandateve të PS në dispozicion të kryeministrit në numrin 78. Një shifër kjo goxha e konsiderueshme dhe që zakonisht arrihet nga marrëveshje koalicioni.

Tretja totale e partive të vogla parlamentare do të bënte të mundur arritjen e dëshirës së shprehur qartë nga kreu i PS Rama në fushatë, për pastrimin e zonës prej tyre. Sidoqoftë sistemi bipartizan është ende larg. Tashmë në Shqipëri evidentohen tre realitete politike të dukshme e të evidentuara qartë nga subjektet e tjera. Vetëm numri i mandateve të tre partive kryesore, PS, PD dhe LSI ka prodhuar 136 deputetë nga 140 që ka parlamenti. Ndaj dhe betejat dhe përballjet në vijim janë ekskluzive midis tyre.

Pavarësisht se brenda listës së PD do të vijojnë të jetojnë dhe për disa kohë realitet të disa partive më të vogla, si PR, LZHK dhe PDK e PBDNJ, besohet se mospërballja reale në fushatë e tyre duke mbajtur flamurin përkatës e jo atë të PD, më së tepërmi I ka penalizuar për të ardhmen e tyre. Sigurimi i një vendi fitues në listë vetëm thjesht u ka siguruar mbijetesën për një mandate e jo më shumë. Këtë fakt u detyrua ta pranojë dhe Kreu i PAA, Duka, i cili pranoi se kish gabuar në marrëveshje dhe se kandidimi me siglën e Agrares do ti kish mundësuar më shumë mandate sesa penalizimi që i erdhi nga rënia e vetë PD-së. në fund të fundit përballja direkte jo vetëm e rivitalizon një parti por dhe e bën të kuptojë vetë forcën e saj.

Një element tjetër i veçantë në këto zgjedhje ishte dhe gati shuarja e bastioneve. Nuk kemi më një ndarje veri jug në preference dhe tendenca e votave por njërit krah dhe kundër tjetrit ka qenë e shtrirë thuajse njëlloj. Po ashtu dhe në zona që dikur kanë qenë bastione duket se kemi një lëvizje çka të bën të mendosh se vetë këto zona janë në kërkim të një identiteti të ri politik.  Dhe kjo ka ndodhur si në zonat urbane ashtu edhe ato rurale. Gjithashtu kemi zhvendosje të hambarëve të votave të partive të ndryshme. Dhe kjo është më e dukshme tek PDIU. Ndërsa mendohej se mandatet e saj do të prodhoheshin në zonat e saj tradicionale si në Fier e Vlorë, duket se graviteti ka shkuar në Elbasan dhe në Dibër nga u prodhuan të vetmet mandatë të fituara. Këtu mesa duket futet dhe fenomeni i politikanëve biznesmenë të cilët kanë arritur në këto zgjedhje të jenë dhe më të suksesshme se vetë kryetarët e partive që i kanë kandiduar në këto zona. Ndoshta ky është dhe shkaku i tretjes së realiteteve të subjekteve më të vogla elektorale.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: