Të gjithë policët, pavarësisht nëse janë drejtues apo policë të thjeshtë janë nën monitorim 24 orë në 24, nëpërmjet raporteve me shkrim. Urdhri i dhënë nga Demiraj kërkon të evitojë çdo situatë ku policë të thjeshtë apo shefa komisariatesh dyshohet se janë të përfshirë në aktivitete elektorale apo në ndikimin e njërës parti apo tjetër.
Një drejtues policie që komunikoi me AbcNews tha se përveç orës së pushimit, zyrtar e ka të pamundur të lëvizë nga zyra, qoftë edhe për një takim të rëndomtë pa raportuar më parë tek shefat e tij. Raportimi përfshin arsyen e lëvizjes nga vendi i punë, destinacioni dhe mundësisht njerëzit që do të takohen. Monitorimi i rreptë ka hyrë në fuqi prej pak ditësh dhe pritet të vazhdojë ditën e zgjedhjeve dhe më tej. Policia e shtetit dhe në veçanti drejtuesi i saj Haki Çako është nën akuzë të vazhdueshme nga politika për favorizim të Partisë Socialiste.
Pak ditë më parë, Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj pranoi përfshirjen e strukturave të policisë në fushatën politike. Demiraj kërkoi shkarkimin e disa shefave të komisariateve në Pukë në Dibër dhe në Gramsh. /e.a/