Zgjedhjet, premtime "pa doganë" nga PS-PD-LSI

Zgjedhjet, premtime "pa doganë" nga PS-PD-LSI
LISTA

Premtimet ekonomike kyçe të tre forcave kryesore politike

Partia Socialiste

220 mijë vende të reja pune

5.5% rritje e re ekonomike

1 miliardë euro koncesione

230 mln euro/vit bujqësisë

60% e poshtë borxh publik

8.2% do të arrijë papunësia

18% lehtësim barre fiskale

40% rritje maksimale page

24 miliardë lekë pensione etj.

Partia Demokratike

1% e PBB ndaj fermerëve

9% taksë e sheshtë, rikthim

1 miliard euro në ekonomi

40 mijë familje në ndihmë

1.5% e xhiros vjetore taksë

250 mijë/l pension minimal

50% rritje pagash në shtet

100 milionë euro për rrugët

150 mln euro arsim-shëndet etj.

Lëvizja Socialiste për Integrim

60% nivel takse më i ulët

1/2 TVSH për konsumin bazë

5%-8%-10% tatim-fitimi i ri

3-fish buxheti ndaj bujqësisë

0% TVSH prodhimeve bujqës.

50 mijë vende pune në bujqësi

50 mijë vende pune në turizëm

100 mijë vende të reja të rinjtë

2020, mbarojnë gjithë rrugët  etj.

***

Eglantina Nasi

Trumbetim shifrash që mund ta ndryshonin jo për katër vjet, por brenda një dite jetën e qytetarëve shqiptarë... Kjo është ajo çka ofron panorama e prezantimit të programeve elektorale ekonomike në këtë etapë të parë të fushatës së 25 qershorit. Shoqëruar me një dozë të shtuar emocionesh, duke e bërë kësisoj garën elektorale, që të duket më shumë si një garë “filantropie”, pas përpjekjes për të qenë sa më bujarë me paratë që do shpenzohen për ta deri në 2021-shin, vit kur do t’u duhet të drejtohen sërish tek kutitë e votimit. Para’ në fakt, të cilat do të dalin pikërisht nga xhepi dhe puna e këtyre qytetarëve. Edhe pse politika po premton se ato do t’i sigurojë nga ndryshimi i vizionit të saj për menaxhimin e sektorëve të ndryshëm, siç janë bujqësia, turizmi apo biznesi.

Ndërsa nga ana tjetër, vlen të thuhet se të gjitha këto premtime që kanë lidhje me ekonominë, ende nuk gjenden në platforma zyrtare të shkruara e të shpërndara në duart e qytetarëve, në mënyrë që ata të njihen nga afër me to.

Kështu, Partia Socialiste ende po operon me draft-platformën që u paraqit në Kongresin e fundit elektoral. Kurse sa i përket Partisë Demokratike, duket se katër muajt e kaluar nën të njohurën tashmë si “çadra e protestës” nuk i krijuan asaj mundësinë që ta finalizonte një të tillë.

Por e vetmja që duket se e ka një të tillë është vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim, tashmë në pritje për t’ua dorëzuar edhe manualisht atë njerëzve. Në të tilla kushte, mbetet që elektorati të njihet me planifikimet ekonomike që po bëhen ndaj tij vetëm përmes fjalimeve të liderëve politikë dhe aspak përmes një plani të detajuar në letër.

Që të gjitha këto, planifikime që vërtiten në premtimet për rritjen e punësimit, respektivisht me 220 mijë vende të reja pune nga Partia Socialiste; rreth 100 mijë nga Partia Demokratike apo 170 mijë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Apo edhe për rishikim të nivelit të taksave, deri në 18% lehtësim të tyre sipas Partisë Socialiste, rikthim të taksës së sheshtë deri në nivelin prej 9% sipas Partisë Demokratike apo ulje deri në përgjysmim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për mallrat e konsumit bazë, sipas Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Duke vijuar më tej me premtimet për rritje të pagave, konkretisht deri në 40% siç parashikon Partia Socialiste në mandatin e ardhshëm, 50% sipas Partisë Demokratike etj.

Apo edhe atë për rritjen e nivelit të pensioneve, për fondin e të cilit konkretisht Partia Socialiste premton një shtim prej 24 miliardë lekësh gjatë katër viteve të ardhshme, kurse Partia Demokratike shifra më reale: 250 mijë/lekë pension minimal për të gjithë kategorinë e moshës së tretë në rang vendi etj.

KRAHASIMI

Rrugët, rënie e interesit politik për fushatë me to

Në krahasim me fushatat e mëparshme elektorale, ajo që bie në sy gjatë kësaj të sivjetshmes është pakësimi i përmendjes së fjalës “rrugë”. Duke reflektuar një rënie mesa duket të interesit të politikës për të bërë fushatë me to, siç në fakt ka ndodhur herët e tjera. Konkretisht, Partia Socialiste ka folur për rrugët vetëm në lidhje me atë të Arbrit, teksa vetë kryeministri Rama ka premtuar ndërtim të saj. Kurse Partia Demokratike premton rritje të investimeve në infrastrukturë me 100 milionë euro më shumë. Për të vijuar me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila premton se “të gjitha akset rrugore kombëtare që janë në proces, të përfundohen deri në 2020-n”, si edhe “përfundim të rrjetit kombëtar rrugor”.

BIZNESI

Taksat, shtohet edhe më shumë interesi ndaj tyre

Argumenti “taksa” është shumë i lakuar gjatë kësaj fushate. “Ne do lehtësojmë barrën fiskale në 18%”, ka premtuar vetë kryeministri Rama. Ndërsa nga ana e saj Partia Demokratike premton rrëzimin e taksimit progresiv dhe rikthimin e taksësh së sheshtë në nivelin prej 9%. Por një taksë tavan për biznesin e vogël. Sipas saj, biznesi i vogël nuk do të paguajë më shumë se sa 1.5%. Kurse Lëvizja Socialiste për Integrim në lidhje me taksat premton se në total ato do të jenë 60% më të ulëta. “Bizneset deri në 20 milionë lekë xhiro tatim-fitimi vetëm 5% nga 15% që është aktualisht; deri në 100 milionë lekë, 8%; mbi 100 milionë lekë do ta kenë tatim-fitimin 10%”, parashikon programi i LSI-së.

Partneriteti Publik Privat

Politika nuk heq dorë nga koncesionet, i premton edhe për mandatin e radhës

“Partneriteti Publik Privat, do të jetë prioritet edhe për katër vitet e ardhshme”. Ky pohim është bërë nga vetë kryeministri Edi Rama, sipas të cilit, nuk do të hiqet dorë aspak nga një përvojë e tillë edhe për katër vitet e ardhshme nëse e majta do jetë në pushtet. Të njohura ndryshe si “koncesione”, këto forma në fakt u kritikuan prej tij gjatë tetë viteve kur në pushtet ishte e djathta. Madje u shkua edhe më tej, duke premtuar anulimin e tyre kur Partia Socialiste të vinte në pushtet. Por një gjë e tillë jo vetëm që nuk ndodhi, por u shoqërua edhe me një numër të shtuar të formave të partneritetit publik privat që ajo aplikoi gjatë këtyre katër viteve. Për të projektuar madje edhe një plan më afat gjatë në lidhje me to, siç është ai i njohur nga të gjithë tashmë si Projekti “1 Miliardë”. “Ne do të injektojmë më shumë se 1 miliardë dollarë në ekonomi, nëpërmjet aktivizimit të kapitaleve private në një numër të madh investimesh duke ndikuar drejtpërdrejtë në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve prioritarë”, ka shtuar kryeministri. Duke detajuar konkretisht se nëpërmjet partneritetit me biznesin do të financohen 1 spital rajonal, 8 qendra shëndetësore, 53 shkolla të reja dhe rehabilitimi i 88 të tjerave, 6 shkolla profesionale, akset kryesore rrugore si Rruga e Arbërit, Tiranë-Thumanë- Vorë, Kardhiq-Sarandë, dhe shumë projekte të tjerë prioritare.

Bujqësia, arsimi dhe shëndetësia, sektorët ku po premtohet më shumë

Nëse ka një sektor që do përfitojë më shumë financiarisht gjatë mandatit të ardhshëm 2017-2021, ka për të qenë bujqësia. Të paktën sipas programeve elektorale që po përditësohen në fjalimet e përditshme të liderëve politikë. Në to, bujqësia figuron pikërisht si sektori që do përfitojë më shumë subvencione shtetërore, lehtësi në menaxhim, por edhe ulje drastike të taksave. Konkretisht, Partia Socialiste nga ana e saj, premton financim në vlerën e 230 milionë eurove për bujqësinë dhe se “do të merret ekskluzivisht me të”. “Shitjen do ta bëjmë bashkë, në mënyrë që negociohet me një çmim, sepse është kryesorja. Sikundër do të përfundojmë procesin e shpërndarjes së çertifikatave të pronësisë së pronës bujqësore”, ka premtuar kryeministri Edi Rama. Kurse Partia Demokratike premton se do të subvencionohen fermerët me rreth 1% të PBB-së. Ndihmë kjo, që sipas liderit të saj, Lulzim Basha, do të jetë posaçërisht për fermerët që punojnë tokën edhe pa hapur NIPT. Por PD-ja premton gjithashtu dhe akordimin e 100 milionë eurove në vit për çdo familje fermerë, në bazë të prodhimit, tokës që punojnë, por dhe krerëve që mbarështojnë. Po ashtu, PD thotë se do të hedhë 50 milionë euro të tjera për rrugë, vaditje, kullim dhe tregje. Për të kaluar tek Lëvizja Socialiste për Integrim, programi i së cilës parashikon që të 3-fishojë buxhetin e akorduar ndaj bujqësisë, nga 0.7% e PBB-së që është aktualisht në 2.5% të tij. Sikundër, edhe zerim të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të prodhimeve bujqësore, por edhe mbi 250 milionë euro financime për bujqësinë, plus 50 mijë vende të reja pune.

Nga ana tjetër, partitë politike kanë bërë premtime “bombastike” edhe për sektorë të tillë socialë siç janë arsimi apo shëndetësia. “Do të ndërtojmë 140 shkolla të reja model për 40 mijë nxënës”, ka pohuar kryeministri Rama, lidhur me arsimin. Teksa për shëndetësinë ka premtuar

mbulim universal dhe faktin që “brenda vitit 2021 shqiptarët do të kenë shërbimet shëndetësore falas”. Sikundër edhe  përfundim të procesit të legalizimeve në rang vendi.

Kurse Partia Demokratike premton se do rindërtojë të gjitha shkollat në të gjithë vendit dhe rritjen e pagave për mësuesit, teksa do të rrisë shpenzimet për arsimin dhe shëndetësinë me 150 milionë euro në vit. Por dhe kthim-kompensim të pronave sipas vlerës së tregut, shoqëruar edhe me rikthimin në skemën e ndihmës ekonomike të rreth 40 mijë familjeve shqiptare. Për të përfunduar me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila premton që ta rrisë buxhetin ndaj arsimit, por edhe atë të shëndetësisë në 5% të PBB-së, duke i dyfishuar. Shoqëruar me faktin që pagat për arsimtarët të rriten deri në nivelin prej 50% gjatë mandatit të ardhshëm.

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: