“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Endri Fuga: Fate Velaj më ka thënë që Erdogani e ka gjyshen nga Prishtina

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Endri Fuga: Fate Velaj më ka thënë që Erdogani e ka gjyshen nga Prishtina
"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

***

 Antena interviston Endri Fugën

 Endri Fuga: Fate Velaj më ka thënë që Erdogani e ka gjyshen nga Prishtina

Tahir Avazi: - Z.Fuga, si shkoi vizita e z. Rama në Turqi? A jeni i kënaqur prej saj?

Endri Fuga: - Këtë herë më shumë se herët e tjera madje. Unë personalisht jam i kënaqur. Dhe kur jam unë, është edhe Kryeministri.

- Morëm vesh që u diskutua edhe për çështjen e naftës...

- Për të pak u diskutua, në fakt. Fjala e z. Rama u prit me duartrokitje, megjithëse foli shkurt.

- Duartrokitën të pranishmit?

- Sigurisht që po. Sa dëgjuan që punëtorët e rafinerisë në Ballsh paguhen me copa, pati ovacione nga sheikët. Gjithsesi, megjithëse u diskutua pak, pati një ndikim dhe reagim të madh.

- Ku konsistoi ky ndikim dhe reagim? A mund ta dimë?

- Vetë Presidenti i Turqisë sa mori vesh që çmimi i naftës këtu është 1.5$ dhe në Turqi është veçse 1.2$, thirri në divanin e tij ministrin e Naftës.

- E thirri në divan?!

- Po, po, në divan. E uli pranë z. Rama dhe ai rrinte si pulë.

- Përse?

- Si është e mundur, - i tha ministri i Naftës zotit Rama, që juve ia dilni të zhvilloni ekonominë me atë çmim nafte?

- Po z. Rama si iu përgjigj?

- E thjeshtë fare. Nuk e zhvillojmë, - iu përgjigj Kryeministri ynë, - Kishim Arben Ahmetajn ministër që u hedh sërën njerëzve.

- Po si i fitoni zgjedhjet pa zhvilluar ekonominë?, tha ai.

I iku mendja kur mori xhevapin e z. Rama.

- Pse, ç'i tha z. Rama?

- Të vërtetën i tha.

- Çfarë i tha, a mund ta dimë?

- 70 për qind e njerëzve nuk votojnë, - i tha, - se shumë prej tyre janë emigrantë dhe pjesa tjetër nuk shkojnë në qendrat e votimit fare. Në atë çast ndërhyri z. Erdogan.

- Çfarë tha ai?

- Erdogani u çua në këmbë dhe mori në telefon Këshilltarin e tij për Zgjedhjet. "Të sigurohet që kurdët të cilët nuk më votojnë mua, të shkojnë në Evropë”, - i tha.

- Kemi mësuar që z. Rama foli me z. Erdogan edhe për një aeroport që do bëhet në Vlorë.

- Këtë nuk e di. Pse prapë foli Rama për këtë gjë?! E çuditshme! Ne për këtë gjë folëm edhe në muajin shkurt të këtij viti kur takuam Erdoganin.

- Keni folur edhe në shkurt për këtë gjë?

- Eee, këtë punë kemi ne. Sa herë e takojmë, për atë aeroport llafosim. Dhe asgjë s'po bën Tahipi.

- Ndoshta është i kujdesshëm në investime...

- I kujdesshëm është posi. Mbaj mend që në muajin shkurt kur diskutuam rreth këtij aeroporti, na pyeti: Ku doni ta ndërtojmë?

- Po ju a e kishit përcaktuar vendin gjatë bisedimeve?

- Në "Pyllin e Sodës", - i tha z. Rama. Sa dëgjoi këtë, Tahipit i ranë mustaqet mbi çajin që po pinte. U çudit. I iku tepeleku, siç i thonë turqit.

- Përse u çudit?

- Jalla, jalla tha. Kam dëgjuar që ka pyll pishe, pyll ahu, pyll gështenjash, etj. Po që të ketë "pyll sode", vetëm tani po e marr vesh.

- A e sqaruat se bëhej llaf për...

- Ku priste ai të sqarohej. Filloi të vinte rrotull divanit, njëlloj si Fate Velaj kur vjen rrotull pikturave të tij. Leqë sa filloi të sqaronte z. Rama, e morën në telefon.

- Kush e mori?

- Fate Velaj e mori. “Ka rënë zjarr në Tepelenë. Po digjet depoja e ujit”, - i tha.

- Ç'punë ka Fatja me ...?

- Fatja është vendosur të raportojë për çdo gjë që ndodh. Nuk ka vetëm për detyrë që të pikturojë. Nuk e ka punësuar kot z. Rama.

- Si reagoi z.Rama kur mori vesh që po digjej depoja e ujit?

- Si të reagonte! I bërtiti: O Fate, o trap, po si mund të digjet depoja e ujit!?, - i ulëriti.

- Vërtet, si mund të digjet depoja e ujit?!

- Kështu e kishte lexuar në titrat e televizioneve informative Fatja. S'kemi ç'bëjmë o Tahir Avazi. Këto janë "mediat e kazanit" për të cilat flet përherë Kryeministri. "Depon e Ujit" e ngatërrojnë me "Depon e Karburantit". Kujtojnë se uji merr flakë.

- Me aeroportin ç'do bëhet. Kur do ndërtohet?

- Së shpejti do jetë gati projekti. “Hajde edhe dy herë më tako, - i tha Erdogani zotit Rama, - se ne arnautët kështu i bëjmë gjerat. Avash, avash”.

- Po thoni që Erdogani është arnaut?

- Që është arnaut, është e sigurt. E para, sepse vetëm një arnaut i zvarrit gjërat. Kemi shkuar pesë herë dhe akoma s'ka nisur aeroporti. Kam të dhëna që gjyshen e ka pasur nga Prishtina. E dyta, vetë emri Tahip. Emër tipik shqiptar.

- Keni ndonjë fakt për këtë që po deklaroni?

- Së shpejti do bëhen publike edhe faktet. Po punon Fate Velaj për këtë.

- Si përherë ai, domethënë?

- Se mos ka punë tjetër Fatja.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: