“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Endri Fuga: Ja çfarë dërgoi Donald Trump për ditëlindjen e Ramës

“ANTENA JASHTË FAMILJES”: Endri Fuga: Ja çfarë dërgoi Donald Trump për ditëlindjen e Ramës
EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS"

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Sot, në ditën e premte të datës 7 të muajit korrik të motit të përvëluar 2017, gazetari ynë satirik, Tahir Avazi, ka marrë një informacion të vyer nga drejtori i Informacionit të Kryeministrisë, Endri Fuga

Endri Fuga: Ja çfarë dërgoi Donald Trump për ditëlindjen e Ramës

Zyra e Kryeministrisë me në krye shokun Endri Fuga, bën me dije për rubrikën tonë "Antena Jashtë Familjes", se në adresë të Kryeministrit kanë mbërritur mjaft dhurata për ditëlindjen e tij.

Këto peshqeshe, siç thekson vetë shoku Endri në komunikatën e tij, kanë ardhur nga njerëz të thjeshtë, por edhe nga liderë rajonalë dhe botërorë.

Ja një pjesë e dhuratave të mbërritura te Kryeministri, sipas Zyrës së Shtypit të Kryeministrit:

Një biznesmen prej Kukësi, i ka ofruar Kryeministrit një makinë të re. Me ta parë ketë automjet, shoku Rama ka bërë thirrje që bizneset e atij që ka guxuar dhe ka dërguar këtë makinë, të kontrollohen siç i ka hije një shteti ligjor. Makina është mbajtur në Kryeministri, për qëllime hetimore. Njoftojmë se ajo ecën mjaft mirë. Këtë na e ka konfirmuar edhe gruaja e Kryeministrit, si edhe Zahoja, djali i tyre.

Një besnik tjetër i Kryeministrit, ky është nga Mallakastra, ka mbyllur në zarfin e tij të dërguar me postë, një shuk prej 100 mijë euro. Zyra jonë ia ka dërguar zarfin mbrapsht, me mbishkrimin, “Mos guxo të na korruptosh këtej dhe mbrapa!” Ato euro mbanin era naftë, ndaj nuk do t’i kthehen dërguesit, pasi kemi frikë se helmohet.

Një fabrikë mishi, (ndoshta e shtyrë nga LSI-ja), i ka dërguar Kryeministrit një rrotë sallami, sa për të ngrënë gjithë Garda, një muaj të tërë. Zyra jonë po punon të gjejë, se kush ishte ai rrotë që ka guxuar t'i dhurojë këtë rrotë sallami Kryeministrit, pasi adresa e dërguesit ishte fshirë nga dhjami i sallamit.

Po punohet, gjithashtu, për të gjetur lidhjet që mund të ketë kjo rrotë sallami edhe me ndonjë deputet të Rilindjes, pasi mendohet se dikush te ne bën lojë të dyfishtë.

Vlen për t'u theksuar që jo vetëm biznesmenë, por edhe individë të veçantë, i janë bashkuar dërgimit të urimeve dhe dhuratave në drejtim të Kryeministrit.

Një nënë prej Berati p.sh., nga ngazëllimi revolucionar për liderin e Partisë sonë Socialiste, gabimisht në zarf kishte futur veç urimit edhe dhëmbët. Me dërgimin e tyre mbrapsht në adresën e nënës, po merret shoku Fate Velaj, Këshilltar i Kryeministrit.

Ai me urdhër të veçantë prej meje, me numër protokolli 32, është nisur vetë në Berat, për t'i dorëzuar letërshkrueses 32 dhëmbët e saj. Themi të saj me dyshim, pasi ato mund te jenë edhe të bashkëshortit të saj. Këtë ia kemi lënë në dorë ta zbulojë vetë shoku Fate.

Shpresojmë që ai të kthehet nga Berati shëndosh e mirë, pasi na duhet për punë të tjera, të kësaj natyre!

Nuk po rendisim gjithë dhuratat e mbërritura për Kryeministrin, pasi ato janë të shumta.

Ajo që na bëri përshtypje nga ato që i janë dërguar Edit, kanë qenë disa gjethe.

Në fillim ne, si Zyrë, në përgjithësi dhe vetë unë në veçanti, menduam se këto gjethe mund të ishin nga ato të muzeut "Shtëpia e Gjetheve".

Ishte z. Fate Velaj, Këshilltari i vetë Kryeministrit tonë, që zbuloi se ato ishin gjethe fiku dhe nuk ishin aspak gjethe kacavjerrëse si ato të muzeut.

Ne, si Zyrë, ia paraqitëm në tavolinë këto gjethe dhe ai pasi i pa, arriti në përfundimin se ato vërtet ishin gjethe fiku. Kur u pyet se nga i njihte që ato ishin të tilla, ai na tha: Këto gjethe unë i vizatoj përherë. Madje i vizatoj tre herë në ditë". Ato nuk i vizatoj vetëm unë, por edhe shumë të tjerë, - na tha Fatja.

Kundërpyetjes sonë kundërzbuluese se, përse i vizaton përherë, ai iu përgjigj, "... që të kujtohem gjithmonë mos "ta krruaj me gjethe fiku" dhe të bëj ndonjë gjë kundër Kryeministrit.

Këtë mendim shfaqi edhe lali Eri, kur ia dërguam fotot e këtyre gjetheve. Edhe ai na konfirmoi se ato gjethe ishin të fikut. "I njoh mirë këto, se edhe unë ashtu si Fatja nuk e krruaj kurrë me gjethe fiku, që të flas kundër Edi Ramës", - na tha lali Eri.

Bëjmë me dije se këto gjethe fiku ishin dërguar në adresë të Kryeministrit, nga Zyra për Marrëdhënie Ndërkombëtare, e z. Donald Trump. Po punojmë intensivisht për të koduar mesazhin e kësaj dhurate. Për këtë, kemi porositur ekspertët tanë më të mirë të agronomisë. Me të zbuluar arsyen, do ta bëjmë publike si përherë, nëpërmjet kompanisë së reklamave të vëllait të lali Erit.

Faleminderit rubrikës tuaj, për botimin e këtij informacioni të rëndësishëm!

Me respekt! Endri Fuga

Shpërndajeni me miqtë tuaj: