“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Endri Fuga zbulon pyetjet sekrete për administratën publike

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Endri Fuga zbulon pyetjet sekrete për administratën publike
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Endri Fuga zbulon pyetjet sekrete për administratën publike

Nëse Metës i thonë, "Like floriri", a duhet që Ramës t'i thonë "Edo Ksamili"?

Në adresë të rubrikës sonë, ka erdhur një e-mail nga adresa e shokut Endri Fuga, një nga tre këshilltarët më të besuar të Kryeministrit. "Antena..." jonë, duke pasur si udhërrëfyes, informimin e njerëzve, po e bën atë publike. Urojmë të ndihmojmë, qoftë edhe sado pak, të punësuarit në administratë.

Pyetjet për administratën publike

Megjithëse Beni (kuptohet cili, se neve një Ben gjigand kemi), nuk ka mbaruar shkollën për ekonomi, drejtoi Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave për disa vite me radhë. Herë njërën dhe herë të dyja.

Po sikur të mbaronte një shkollë për atë zanat, a do ia jepte mundësinë, - rroftë Edi Rama, - që të drejtonte të tilla ministri? Nëse po, sa muaj do t'lejohej t'i drejtonte këto ministri?

Pavarësisht se Ilir Meta na futi shkopinjë nën rrota për katër vjet me radhë, neve si qeveri me rroftë shoku Edi Rama në krye, hapëm 300 mijë e kusur vende pune.

Po sikur rroftë Edi Rama, mos të kishte pasur për kusur pengesat e Ilir Metës, sa vende pune do t'kishim hapur?

Le të shënojmë këtë të panjohur me X. Gjeni X-in.

Po sikur ta shënojmë me Y, sa vende pune do t'kishim hapur?

Qeveria jonë gjatë vitit të kaluar, - mandatës së kaluar, - arriti të asgjësojë mbi 99.8% të hashashit të mbjellë.

Autoritetet italiane gjatë këtij viti, kanë kapur mbi 200 tonë hashash.

Sa hashash janë korrur gjithsej, gjatë vitit të kaluar?

Përpara disa ditësh, Gjushi, kryetari i lavdishëm i Bashkisë së Durrësit, mori vendimin që autobuzët me kosovarë që kalonin te "Rruga e Plazhit", mos të kalonin më në të.

A është ky;

a) Një vendim i drejtë...

b) Një vendim shumë i drejtë...

A do t'ndikojë kjo te kosovarët-shqiptarë të cilët duke i rënë rreth e qark rrugëve të brendshme të qytetit, do t'kenë mundësi të shikojnë sa më shumë pallatet e ndërtuara mbi veprat arkeologjike nga vetë shoku Gjushi?

Sa do t'jetë ndikimi?

a) I madh...

b) Shumë i madh...

Zhvilloni temën duke patur parasysh që falë ndërtimeve në Durrës, antikja është konservuar. Në themelet e pallateve moderne...

Gjatë mandatit të parë kemi kapur në flagrancë, duke shitur misra në rrugët e vendit, mbi 12345 persona. Duke marrë parasysh që një shitës ka patur mbi 37 misra në thes, sa është numri i misrave të kapur? Sa është numri i thasëve që kemi mbërthyer në flagrancë?

Sa hektarë me misra janë mbjellë për këtë sasi, duke ditur që në një hektar rriten 15000 misra...

(Bëhet llaf për në Shqipëri, pasi në Maqedoni në një hektar rriten 150 mijë misra).

A tregon numri i ulët i misrave të prodhuar në vendin tonë, se shoku Panariti, ish - Ministër i Bujqësisë, ia ka pasur qeverisë me hile?

Sa është shkaku i hilesë, krahasuar me Maqedoninë?

1/7, 1/8, apo 1/10?

Megjithëse Beni i tha Anastas Angjelit përpara katër vjetësh kur u pyet nga ky: O Ben, po ç'do llafosim (para popullit) dhe Beni iu përgjigj: Po hiç mo, do tallim bithën!" Pra, megjithëse Beni tha kështu, rroftë Edi Rama, e bëri Benin, ministër.

Nëse Beni nuk do t'kishte thënë të vërtetën, se do tallte bithën më popullin, a do ta bënte Rama ministër?

Gjeni se ç'do t'i bënte, rroftë Edi Rama, nëse Beni nuk do t'i thoshte Anastasit (Caces) dhe miletit të vërtetën.

Duke qenë se Koçoja, ai i poshtri që i doli kundër rroftë Edi Ramës, ka qenë "Pashai i Jugut": A ka faj ai që plasi muti në Ksamil, apo për këtë duhet gjetur për t'u fajësuar ndonjë tjetër?

Zhvillojeni idenë në formën: Sa të veçantë e bën bregdetin tonë, prania e nevojave në det, duke ditur se nevojat kanë elementë të domosdoshëm për jetën e mikroorganizmave që jetojnë në ujërat e kripura...

Duke qenë se shoku ynë, Erion Veliaj, bëri dasmën me 500 të ftuar, për vetëm 9 milionë lekë të vjetra, gjeni:

1) Sa lekë ka harxhuar mesatarisht për çdo person?

2) A kanë ngrënë ata?

a) Bukë me gjalpë...

b) Bukë me presh...

c) Bukë thekre që bën mirë për zorrët...

d) Bukë misri, - nga ato që shesin ambulantët nëpër rrugë dhe ne nuk i lejojmë, se po bëjmë shtet...

e) Bukë thatë

f) lëng pa mish...

g) apo pjatën bosh.

Duke mbetur te dasma e shokut tonë, Veliaj: Mami i tij bëri dasmën me harxhet e veta.

A e meriton ajo një shans të vendoset me punë si specialiste në Bankën e Shqipërisë, seksioni i kredive të këqija, duke patur parasysh që vetë personi, nuk e njeh fjalën kredi.

Zhvillojini si temë përgjigjet tuaja; pra, jepni argumentet tuaja që mendoni, për "po", apo "po"!

Në mbledhjen e qeverisë u vendos se gjithkush që po lahej në det në momentin që shpërthyen nevojat në Ksamil, të trajtohet me ndihmë ekonomike, si shtresë në nevojë.

A është ky vendim i logjikshëm?

Sa duhet të jetë asistenca për ta?

Si duhet bërë kompensimi, - në para të holla, apo në të trasha?

Sa prej tyre duhet të jenë të hollë dhe sa të trashë?

Zhvilloni idenë tuaj të lirë, duke pasur parasysh kombinimin të holla me të trashat.

Në kohën kur u vodh tuneli i Kërrabës në të cilën mbaheshin disa kilogramë flori, kryeministër ishte ish-shoku ynë, Ilir Meta. Që prej asaj dite, Ilirit i thonë; "Like floriri!"

A është e drejtë që rroftë shoku Edi Rama i cili është Kryeministër i vendit, tani që plasi në Ksamil, t'i thonë; "Edi Ksamili!"...?

Zhvilloni idenë tuaj, duke pasur parasysh përgjigjen "Sigurisht që po!"

Top Secret: Endri Fuga

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: