“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Koço Kokëdhima: Lul Basha qau dhe më falënderoi që e futa në frigorifer

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Koço Kokëdhima: Lul Basha qau dhe më falënderoi që e futa në frigorifer
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Koço Kokëdhima: Lul Basha qau dhe më falënderoi që e futa në frigorifer

Të më falë lexuesi i rubrikës sonë, që sot nuk po sjell ndonjë intervistë apo diçka tjetër nga z.Basha, që e tregoi veten dhe e dërrmoi kundërshtarin e tij, zotin Selami me votime. Desha në fakt të shkoja dhe të takoja z.Basha, por s'më la z.Kokëdhima. Nuk më la, e them në kuptimin figurativ, pasi një njeri tolerant si shoku Koço, nuk e njeh shtrëngimin.

Dje shoku Koço më mori në telefon dhe me të lamë një takim në një nga lokalet e ish Bllokut

-Tahir Avazi: Përshëndetje shoku Kokëdhima! Më falni që erdha vonë, por...

-Koço Kokëdhima: Nga të vinit shpejt mor bir. Me gjithë atë trafik që është nëpër rrugë.

-Tahir Avazi: Në fakt nuk e kishte fajin trafiku, shoku Kokëdhima. Turp është, por po e them; Nuk dija ku ishte lokali?!

-Nuk dije ku ishte lokali?! Po ti atëherë nuk je një gazetar VIP. Është turp mos ta dini këtë lokal në Bllok. Nejse, ku e lamë muhabetin?

-Tahir Avazi: Akoma nuk e kemi lënë, pasi nuk e kemi filluar, shoku Koço Kokëdhima. Te trafiku e lamë, tamam...

-Është nje torturë e vërtetë. Kështu është kur kjo qeveri as një metër rrugë nuk ka bërë, që nga koha që nuk më ka dhënë më, asnjë tender rrugësh mua.

-Sa kohë keni pa marrë tendera rrugësh, shoku Kokëdhima?

-Eeee mor bir, s'mbahet mend i fundit. Më ka hequr nga refeneja mua Edi. Aq më deshi, sa i hapa rrugën drejt pushtetit. Më parë çoku fitoja ndonjë 2, e,4 milionë euro me AlbPetrolin. Ka të tjerë tani Rama, më besnikë se unë. Por do vijë koha që ta kuptojë gabimin...

-Mendoni se do e kuptojë?

-Sigurisht! Shumica e popullit, bëri ç'i thashë unë. Ma dëgjoi llafin. Edhe Edi ashtu do bëjë...

-Si ja u dëgjoi, shoku Kokëdhimë. A mund ta dinë edhe lexuesit tanë?

-Sigurisht që mund ta dinë. Unë s'kam gjë për të fshehur. Unë edhe tenderat kur i merrja kur isha deputet, hapur i merrja. Për këtë e hëngra, se nuk i bëja gjerat fshehtas. E kisha llafin pra, që shumica e popullit më dëgjoi mua. A nuk dola unë dhe thashë që populli të bojkotojë votimet dhe mos të shkojë fare në to?

-Po ishit. Dhe...?

-Po pra isha. Dhe afërsisht gjysma e njerëzve nuk shkuan fare në votime. E kupton pra sa më dëgjohet llafi. As sekretarja ime nuk ma dëgjon llafin sa...

Le që ku kam sekretare unë. Iku se kisha 6 muaj pa i dhënë pagën. E kështu mor bir. Pi diçka, bir!

-Një ujë, do dëshiroja.

-Merr ndonjë gjë tjetër, se mos vjen Erion Veliaj dhe të kap që harxhon ujin. Se edhe atë do e bëjë ai. E njoh mirë unë. Ai është skuth. Ai i thoshte Edit, të ndahej nga unë. Nejse, bota është e rrumbullakët. Ku e lamë?

-...që ju dëgjon populli.

- A po! Më dëgjon populli, ama më dëgjojnë më shumë demokratët. Mijëra demokratë nuk shkuan në votime në zgjedhjet parlamentare dhe gjysma e anëtarëve të partisë së tyre, nuk shkuan në votime për kreun e partisë.

Më kanë dëgjuar mua që kam bërë thirrje që të bojkotojnë çdo zgjedhje, ndaj.

-Ju duan shumë, me ç'kuptoj. Madje ju duan më shumë se ç' ju duan socialistët.

-Më duan ç'është e vërteta. Edhe Lul Basha, kreu i tyre më do. "Ti Koço më ke bërë nder të madh", - më tha dje edhe qau.

-Kush qau?

-Luli pra. Qau që fitoi për kryetar partie, por qau edhe se e kisha ndihmuar.

-A mund të na e bëni publike për rubrikën tonë ju lutem; Si e ndihmuat zotin Basha ju, shoku Kokëdhima?

-Ku i fshihet gjë rubrikës suaj, o bir. Po ja u them juve, e nëpërmjet teje edhe lexuesve. Unë Lulit i kisha vënë në dispozicion frigoriferin tim. Aty rrinte, hante dhe pinte.

-Frigoriferin e shtëpisë?

-Jo po të zyrës. Frigoriferin pra, atë në Durrës e privatizova atëherë për një copë bukë. Luli shkonte dhe rrinte atje, me qëllim që mos të ngrinte. Meqë nuk e kam vënë në punë ndaj. Partisë Luli i thoshte kam ngrirë, ndërkohë. Eeeeuuu si është politika. I paguaja edhe shpenzimet vajtje-ardhje, për Durrës-Tiranë. I jepja naftë për makinën. Dy orë e bënte rrugën Luli, me atë naftën time.

-Pse ç'naftë i jepnit? Cilësi të dobët...?

-Naftën që kisha marrë nga Albpetroli, kur e drejtoja unë pra. Eeee, me atë naftë që ecën makina e Lulit, as në zgjedhjet e vitit 2025 nuk fiton dot.

-Faleminderit shoku Kokëdhima për bashkëbisedimin!

-Faleminderit edhe rubrikës suaj dhe vazhdo avazin...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: