“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Lindita Nikollës i shtohen të ardhurat familjare, Astrit Patozi gënjen që është nga Patosi

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Lindita Nikollës i shtohen të ardhurat familjare, Astrit Patozi gënjen që është nga Patosi
“ANTENA JASHTË FAMILJES”

EKSKLUZIVISHT PËR GAZETËN “ALBANIAN FREE PRESS”

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i korrikut e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Ngjarjet shkurt të javës nga “Antena Jashtë Familjes”

Lindita Nikollës i shtohen të ardhurat familjare, Astrit Patozi gënjen që është nga Patosi

Vajza e ish-Ministres së Arsimimit, zonjës Lindita Nikolla, pas periudhës së shkollimit në Paris, ka mbërritur në atdhe. Ajo me të mbërritur, ka mundur të fillojë punë, (sigurisht në Bankën e Shqipërisë), në sektorin e stabilitetit financiar.

Themi sigurisht, pasi dihet që gjithë familjarët e atyre që kanë pasur pushtet, preferojnë të punësohen në këtë institucion.

Kujtojmë se rikonstruksioni i godinës së Bankës e ka bërë mjaft tërheqës këtë ndërmarrje. Një godinë e bollshme, me ajër të kondicionuar, me shatërvanë brenda, e tani edhe jashtë te sheshi, bën të mundur që punonjësit atje të ndihen rehat në punë.

Marrja e ndërtesës së ish hotel Dajtit, do bëjë të mundur shtimin e ambienteve, e sigurisht shtimin e punonjësve. Për relaksimin e tyre është menduar që tani, që fusha e tenisit jashtë këtij hoteli, te rikualifikohet urbanisht, duke e kthyer atë në një fushë mjaft relaksuese.

Godina e re te ish Dajti, do të ketë për stafin dhomë hidromasazhi, të denjë që të plotësojë kërkesat e atyre që do të punojnë atje. Ndryshe asnjë nuk shkon në punë.

Këta të fundit nuk përbëjnë problem të gjenden, pasi ka plot bij, bija, apo të afërm të tjerë ish-funksionarësh, të cilët vijnë të shkolluar nga jashtë, me para borxh.

I urojmë çupës së znj. Nikolla, suksese! Në të mirë të stabilitetit bankar dhe stabilitetit familjar.

Themi familjar, pasi punësimi i saj, ka ardhur atëherë kur duhej; në një moment tepër delikat për familjen.

Dihet se pakti Rama-Basha largoi nga puna dhe hodhi në rrugë të madhe zonjën Nikolla, duke i hequr asaj të ardhura të kënaqshme mujore. Futja e vajzës në punë, së paku do kontribuojë në një gjendje më të mirë financiare dhe padyshim psikologjike, të ish ministres!

Redaksia e rubrikës sonë, i uron ish ministres që të bëhet prapë ministre.

Në mos e arsimit, e integrimit...

Zoti Patosi, në qytetin e Patosit.

Sipas gazetës "X" në këtë takim ishin të pranishëm 200 vetë. Po në këtë lokal një javë më parë kishte zhvilluar takimin e tij edhe z.Basha. Sipas po të njëjtës gazetë, u bë e ditur se ishin të pranishëm vetëm 50 vetë. Gazeta "x" e cila thuhet se është e pavarur, në derë të lokalit ku u mbajtën takimet kishte vënë korrespondentin e saj. Ky me laps në dorë dhe bllok mbi tavolinë, numëronte çdo njeri që hynte.

Për rubrikën tonë, ka ardhur reagimi i stafit të z.Basha;

Ju përgëzoj për rubrikën tuaj, gazeta AFP! Këtë ma tha edhe Saliu. Përgëzoji ata, më tha.

Desha të bëja publike arsyet se përse në takimin në Patos kisha shumë më pak njerëz se z.Patosi.

E para: Takimi im u organizua një javë përpara z.Patosi. Kini parasysh temperaturat e larta që mbizotëronin në atë kohë. Kjo bëri që në lokal, mos të kishte shumë njerëz, për shkak të vapës. Kurse takimi i z.Patosi u zhvillua pas një jave, pra në kohën kur moti ishte ai që ishte, i vrenjtur dhe me reshje shiu të pakta. Pra moti ishte në favor të kandidatit Patosi. Kjo bëri që ai takim te tërhiqte shumë demokratë. Shiu i imët i dha një freski Patosit.

E kam fjalën për qytetin e Patosit dhe jo për kandidat Patosin, që është pa energji, i lodhur dhe pa freskinë demokratikase që gëzoj unë.

E dyta: Banorët e Patosit sa morën vesh që në qytetin e tyre do shkonte Astrit Patosi, menduan se do shkonte një bir i këtij qyteti. Ata e mendojnë se z.Patosi është nga Patosi.

Kjo për shkak edhe të thashethemeve të tilla, që kishin përhapur njerëzit e Astrit Patosit në qytet. "Do vijë në Patos vetë z.Patosi që është bir Patosi", ju kishin thënë ata njerëzve.

Dhe njerëzit i besuan këto llafe. Nuk u thelluan. Është e rëndë për një ish-naftëtar që gjithë jetën ka shkuar thellë në tokë me sondë, për mos t'u thelluar. Por ja që ndodhi dhe kjo nuk kthehet pas. Z.Patosi, të njëjtën strategji, atë të thashethemit, po e përhap kudo. Ne të ardhmen, me lejen e Saliut, do të bëj publike një video ku duket qartë sulmi i pa princip që ai ka ndërmarrë, së bashku me ata që i rrinë pas. Videoja është duke u analizuar nga z. Berisha, i cili, pasi do të presë ato që ai mendon se s'duhen, do të shfaqet në çdo zyrë seksioni të partisë.

Po e mbyll reagimin, me thirrjen tonë: Rroftë Berisha! Njeriu i cili me heshtjen e tij, flet shumë. Fitorja është me mua! Rroftë Sali Berisha!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: