Azil në BE, Shqipëria ende “në luftë”

Azil në BE, Shqipëria ende “në luftë”
Eglantina Nasi

“Na thanë se ju nuk jeni një vend në luftë, prandaj nuk mund të merrni azil dhe na kthyen mbrapsht. Është e kotë. As që bëhet fjalë. Nuk ta japin. Ne ndenjëm me muaj të tërë në kamp dhe na kthyen”. Këtë përgjigje po i jepte parukieres së interesuar për të kërkuar azil në Gjermani, vajza e re, me inicialet E.P., e cila e kishte provuar këtë eksperiencë vitin e kaluar. Për të ndezur më tej bisedën, siç ndodh rëndom në të tilla mjedise, me dëshmi të reja që sillnin për të njëjtin argument, të pranishmet e tjera. “As kunatit tim nuk ia dhanë. Atë madje e kthyen direkt, brenda pak javëve”, pohoi një grua, teksa priste t’i thahej boja e flokëve...

Dëshmi këto, që të ngjashme mund të dijë secili prej nesh dhe që si emërues të përbashkët kanë pikërisht faktin se kërkimi i azilit në vendet e Bashkimit Evropian është diçka që u intereson ende shumë shqiptarëve.

Një dukuri kjo e cila pranohet edhe në raportin e fundit të Zyrës Evropiane për Azilin, ku Shqipëria renditet përkatësisht në mes të dhjetë vendeve nga burojnë kërkesat më të larta për të drejt BE-së. Edhe pse sipas tij, një dukuri kjo në rënie, krahasuar me “boom”-in që arriti në vitin 2015, por që mesa duket paraqitet ende shqetësuese.

Konkretisht, sipas raportit në fjalë, rezulton se gjatë vitit të kaluar 2016, nga Shqipëria aplikuan për azil në vendet e BE-së plot 32.855 qytetarë shqiptarë. Duke zënë rreth 3% të totalit të gjithë kërkesave të tilla dhe duke u renditur mes vendeve të botës që njihen për praninë e konflikteve aktuale të mprehta në to, deri edhe të armatosura siç është rasti i Sirisë (26% e kërkesave për azil), Afganistanit (15%), Irakut (10%) etj.

“Pavarësisht zvogëlimit, aplikantët shqiptarë për azil kanë mbetur në mesin e 10 shteteve me aplikimet më të larta për azil në BE”, pohojnë ekspertët evropianë. Duke pranuar gjithsesi faktin se për aplikuesit nga Kosova, Siria dhe Shqipëria në fakt, gjatë vitit të kaluar është vënë re një rënie e fluksit të tyre. Mjafton të kujtojmë këtu se vetëm në vitin pararendës 2015, nga Shqipëria rezultuan të ishin në total plot 68.950 aplikues për azil; ndërsa në vitin 2014 kanë qenë vetëm 17.310 dhe në vitin 2013, 11.400 të tillë e akoma më pak në vitin 2012, vetëm 7.760. Për të folur kështu për një trend në rritje të azil-kërkimit si i tillë, që kulmin e tij e arriti me të ashtuquajturin “eksod” të ri të shqiptarëve në vitin 2015.

HISTORIA

Yzeiri nga Durrësi, me dy fëmijët në shkollë gjermane, kthim pas dy vitesh në Bremen

Yzeiri nga Durrësi është vetëm njëri prej shumë shqiptarëve që kanë tentuar marrjen e azilit në Gjermani dhe nuk ia kanë dalë. I martuar, me dy fëmijë, një shofer i tonazhit të rëndë, ai qëndroi plot dy vjet në Bremen dhe u kthye prej andej me refuzimin: “Nuk jeni vend në luftë. Keni një profesion, mund të punoni edhe në vendin tuaj”. E veçanta e historisë së tij është se ai i regjistroi të dy fëmijët në shkollë gjermane atje, ku edhe arritën rezultate të shkëlqyera, madje vajza e tij fitoi edhe olimpiadën e matematikës. Kurse djali në shkollë për violinë tregoi aftësi gjithashtu të mira. E në të tilla kushte, ai mendoi se do ta kishte më të lehtë të merrte azil, pasi fëmijët e tij u integruan në jetën vendase. Por as kjo duket nuk ka mjaftuar dhe i kanë kthyer mbrapsht familjarisht. Madje edhe duke u llogaritur paratë që kishin me vete, për të zbuluar kështu nëse kishin punuar në të zezë gjatë qëndrimit atje.

Shqipëria, njohjet më të pakta të kërkesës për azil

 

Teksa disponon një shifër të lartë kërkesash për azil, Shqipëria nga ana tjetër paraqet edhe njohjet më të pakta të tyre prej autoriteteve evropiane. Këtë e pohojnë vetë këto të fundit në raportin për azilin. “Aplikantët me normat më të ulëta të njohjes për azil gjatë vitit të kaluar ishin shtetas të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë 1%, Serbia 2% dhe Shqipëria 3%”, saktësojnë ata brenda tij. Duke qartësuar kështu edhe përmes shifrash, faktin se shqiptarët nuk paraqesin shanset që mund të kenë shtetas nga vendet në konflikt apo edhe luftë të mirëfilltë për të marrë një azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian. “Ashtu si në vitin 2015, aplikantët sirianë, eritreas dhe ata pa shtetësi kishin normat më të larta të njohjes së kërkesës për azil, respektivisht me nivelet prej 98%, 91% dhe 88%”, saktësojnë ata në raportin në fjalë. Për ta konfirmuar këtë dukuri, sidomos me shifrën e dhënë për sirianët, që vijnë nga një vend i cili prej më shumë se pesë vitesh gjendet në një gjendje lufte, thuajse fare pranë nivelit prej 100% të miratimit të kërkesave për azil të tyre.

GJERMANIA

Gjermania vazhdon që të presë fluksin më të madh të azilkërkuesve që vijnë nga Shqipëria. Referuar shifrave më të fundit që jep vetë BE-ja, jo pak, por mbi gjysma e tyre preferojnë pikërisht këtë vend për të kërkuar azil dhe jo ndonjë vend tjetër evropian, respektivisht në nivelin prej 52% të totalit të kërkesave. Teksa Gjermania rezulton që të jetë e preferuar gjithashtu edhe për grupet e tjerë të azilkërkuesve, konkretisht në nivelin deri 80% për ata që shkojnë drejt saj nga Siria, 67% për ata nga Afganistani, 74% për ata nga Iraku etj. Madje edhe 76% e azilkërkuesve serbë, preferojnë këtë shtet për të ndërmarrë një kërkesë azili. Teksa në totalin e kërkesave që bëhen në tërësi për vendet e BE-së, Gjermania raportohet se zë rreth 58% të tyre.

32.855

Qytetarë shqiptarë rezultuan si azilkërkues në vendet e Bashkimit Evropian gjatë vitit të kaluar, 2016, duke zënë rreth 3% të totalit të gjithë kërkesave të tilla edhe nga vende të tjera të botës

52%

E kërkesave për azil nga qytetarët shqiptarë gjatë vitit të kaluar rezultuan vetëm ndaj shtetit të Gjermanisë, duke e kthyer këtë të fundit në më të preferuarin vend evropian për të jetuar

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: