“BASHA ËSHTË PËRGJEGJËSI MË KRYESOR, POR NATYRISHT JO I VETËM”- NGA APOLLON BAÇE

“BASHA ËSHTË PËRGJEGJËSI MË KRYESOR, POR NATYRISHT JO I VETËM”- NGA APOLLON BAÇE
Nga APOLLON BAÇE

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

(Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta)

Mira Kazhani: Zoti Haxhia, a jeni penduar që jeni sjellë keq me politikanët e PD ?

Izet Haxhia: Po jam pendue! Jam pendue që në ’97, kur i kisha të gjithë në dorë, ti kisha hyp në atë anijen e Otrantos që u mbyt. Ti kisha mbledh të gjithë bashkë, politikanë të PD e PS, ti hypsha në atë anije dhe t’i lija në det të hapët që Shqipria të shpëtonte nji her e mir.

(Intervistë me Bodigardin e Berishës, Gazeta Dita, 15 shtator 2014)

  1. Rama hyri në zgjedhjet parlamentare 2017 me premtime absolutisht të pambajtura, me një indeks perceptimi korrupsioni të kërcyer nga zona e kuqe e korrupsionit galopant, në zonën vishnje të korrupsionit kleptokratik, në atë të Zambias dhe Lesotos, me degë kryesore të GDP narkoindustrinë (minimumi 37 % e GDP, 4.9 miliard euro), duke lënë dukshëm pas vetes Kolumbinë (1600 euro/frymë ndaj 400 dollar/frymë të Kolumbisë).

Krejt papritur, megjithë këtë konsum gërryerës, PS-ja korri një fitore plebishitare. Aq plebishitare saqë Erdogani u detyrua të kërkojë dhe të gjejë në analet e Mehmet Pushtuesit fjalën “muazzam”, që do të thotë madhështore, e shkëlqyeshme, fenomenale, fantastike dhe spektakolare.

A e shkroi a jo Rama vetë skenarin elektoral, pak ka të bëjë. Aktrimi ishte i përsosur: I kudogjendshëm nga mëngjesi në mesnatë, nga qilari në frigorifer, ai e devijoj llogaridhënien ku do ishte shpartalluar, në një variete/estradë. U shfaq elegant, me batutë dhe sharmant. Krejt i ndryshëm nga rivali me gardërobë “llogaritari koperative”, me sjellje kamerieri dhe humor “hoxhe katundi”: me turshi, sheqerpare dhe bakllava. Luajti bindshëm virilin/burrërorin, duke e ç’burrëruar Bashën në një thuaj dylber personal, të cilit pas shtënies në dorë nuk i shkohet në takim. “Për herë të parë në histori PD nuk u morr seriozisht” thotë Astrit Patosi. “Kundërshtari përçmoi partinë, simbolin, flamurin, kryetarin.”

Në mitingun e fitores Edi Rama falënderoj nominalisht vetëm Linda Ramën, Gramos Ruçin dhe Lulzim Bashën. Dy të parët për skenarin dhe organizimin perfekt të PS-së, të tretin për skenarin dhe çorganizimin prefekt të PD-së. Falë të cilit PD-së i munguan fiks 223.006 vota (inkluziv timen), 33 % e votuesve, 1/3 e tyre. Për këtë një japonez me siguri do bënte seppuku, d.m.th. do çante barkun me shpatë.

Vërtet shumë vota u shitë, shumë vota u blenë. Por u shitën dhe u blenë votat që do të hidheshin në kosh: “Këta janë beter të këqij” më thotë taksisti. “Ata të tjerët nuk ngjisin kërrkund. I kam katër vota në shtëpi, pse ti hedh duke qenë se i shes ?.

  1. Ata që e njohin Bashën nga afër (unë nga KOP-i), e dinë kush është Basha nga afër. “Ai nuk mund të bëhet kurrë udhëheqës i një force politike që pretendon pushtet. Po t’i heqësh rripin e pantallonave, ato i bien në fund të këmbëve” thotë Gjergj Lezhja, njeriu më i ndershëm që kam njohur në PD, ai që në 2005 organizoi rikthimin në pushtet të PD-së së dëbuar me armë. Këtë notë i vë Bashës pas shpine edhe ambasadori Withers, i dekonspiruar nga Wikileaks-i (kabllogrami 09 Tirana 637 a): “Basha çmohet gjerësisht si një poor menager.” Cilësor që përkthehet menaxher i dobët, menaxher i keq, deri dhe menaxher mizerabël.

Por portreti vezullues, i stilit cinik të Oscar Wild-it (“cinik është ai që njeh çmimin e gjithçkaje dhe vlerën e asgjësë”), i përket penelit të mikut të ri Edi Rama: “Lulëzim Basha është kryetari që nuk ka fituar asnjë betejë dhe nuk ka humbur asnjë betejë. Kjo sepse nuk bën dot kurrë një betejë. Ai është si ata trashëgimtarët e gabuar të froneve, që i çonin mbretëritë në rrënim.”

Të gjithë e paskëshin njohur kuintesencën e Bashës. Ahere si e caktoi Berisha atë kryetar të PD, nga që nuk e njihte ? Apo pikërisht nga që e njihte ? “Berisha nuk zgjedh njerëz që nuk i përdor dot” thotë hajni i penduar , njeriu më i afërt i fillimviteve ’90, bodyguard-i Izet Haxhia.

“Basha është padyshim përgjegjësi më kryesor, por natyrisht jo i vetëm për ketë humbje” shprehet Berisha në stilin e Orwell-it (të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta). Pa dyshim jo i vetëm. Sipas Suetonit, “Perandori Kaligula, emëroj senator kalin e preferuar Iniciatus. Gjatë seancave, kali hingëllinte ose turfullonte.” Kush e ka fajin në këtë mes ? Kali që u bë senator, apo perandori që emëroi senator ?

Në këtë optikë, Basha është një produkt 100 % Made of Berisha. Berisha Argita e katapultoi në KOP, Berisha Sali e bëri tri herë ministër, Kryetar Bashkie dhe kryetar të PD-së. Në dëm të PD-së, duke provokuar fenomenin e mbrojtjes imunitare, refuzimit nga trupi të organit të transplantuar nga jashtë, dhe në dëm të delfinit natyral Olldashi, duke tërhequr bisht pas vetes pikëpyetjen (qoftë të kategorisë 0.01 %) për rrethanat e zhdukjes së Olldashit. Dhe jo vetëm kaq, duke e korracuar Bashën me dy nënkryetarë vegla (by the way, të caktuar dhe jo të zgjedhur sipas satutit).

Sipas kabalistikës Vudu, Zombi është shpirti i arratisur i Mjeshtrit të Madh, i futur në një kallp të gjallë. Në një kontejner, i cili, si bidoni që mban ujë a benzinë pa qenë ujë a benzinë, mbart shpirtin e Mjeshtrit të Madh pa qenë Mjeshtri i Madh. Në tubimin tre orësh të komisionit të tenderimit të Bulevardit të Ri, Kryetari i Bashkisë Basha komunikoi në celular me Berishën 2 orë. Dhe në komision foli Mjeshtri i Madh.

“Ende nuk e kupton sa thjesht funksionon Lulëzim Basha?”, - pyet Rama Patozin. Gjeje antenën e telekomandës, prite antenën e telekomandës, komandoje si të duash. Vërtet kaq thjeshtë ?

  1. Fushata çadreske e PD-së i ngjiste provave pa fund të trupës teatrale të ndonjë ndërmarrjeje, p.sh., të qilimave. Po ai protagonist, po ata figurantë dhe po i njëjti monolog për Kryeministrin Ekonomik të Republikës së Re. Sidoqoftë e tëra kjo brenda suazës së çuditshmërisë shqiptare.

Krejt jashtë suazës është postçadra, e ndarë nga çadra me një ylber, i cili fashiti yshtjet, britmat, dhe mallkimet kundër PS-së dhe që ushtën e drejtuar nga PS-ja e ktheu kundër kafshës së padëmshme shtëpiake LSI dhe që e ktheu kryetarin e PD-së nga Lul në Luludhja (greqisht po Lul, por me seks të kundërt) dhe që shpalosi atë listë kandidatësh që pataksi deri shpurën e Ramës. “Shoh një habi të madhe rreth e rrotull me skuadrën që Basha nxori në fushë” shkruante Rama. Si dhe pse ?

“Të besosh një “gentelman agreement” me Edi Ramën është si t’i besosh rrethit katror” thotë Berisha duke na përcjellë parabolën e pazgjidhshme matematike të kuadraturës së rrethit. Kjo do të thotë se nuk pati asnjë gentelman agrement/marrëveshje zotërinjsh, por vetëm një trickster agrement/marrëveshje kopukësh.

OK, ndoshta Berisha ka të drejtë. Por përse ai e lejoi këtë marrëveshje kopukësh dhe kryesorja përse ai rri e kundron qetë qetë sesi thika-sharrë po e pret PD-në më dysh si kokërr mollë. Me perspektivën e bashkimit të gjysmave të prera të kokërr mollës. Shkurt, përse Berisha aktron Zeusin pa skeptër, ndërkohë që ai ka në dorë tufën e rrufeve demokratike të Zeusit ?

  1. Paradoksi i pjesës së flakur, absolutisht më kualitative të PD-së, është detyrimi që çelësin e zgjidhjes së problemit ta kërkojë tek vetë problemi. Tek figura idolatrike e Berishës, e cila pasi e sorollati Shqipërinë për një çerek shekulli labirinteve të tranzicionit, pasi dëboi nga PD elitën intelektuale liberale, pasi me ligjin 7501 i ktheu sërish pronarët në ish pronarë, pasi në luftën për pushtet vaditi piramidat që shkatërruan ekonominë dhe vranë 3800 shqiptarë, pasi me burgosjen e rivalit politik Nano nisi sherrin politik, pasi hodhi bazat e oligarkisë asfiksuese, sot ju kthye dhe po shkërmoq, më saktë po lejon shkërmoqjen e partisë shtet që drejtoj për një çerek shekulli. Nuk jam i një mendjeje me Namik Hotin se “Berisha zbret nga kali, vetëm kur vritet kali.” Berishën aty e ke, edhe majë kalit të cofur. Jepini një poni (siç po e katandiset PD-ja) dhe në majë të ponit e keni.

“Basha pa dyshim i shiti zgjedhjet” thotë Imami, duke aluduar ashtu larg për orderin Sorosjan. Nëse po, a do t’i kish shpërflakur dot Berisha shitblerësit? Të paktën të tijin?

Dhe këtu nis e mendon se nuk është edhe aq fantashkencë dyshimi për një thembër të dhimbshme Akili. Dhe në memorie nis e parakalon mpleksja e habitshme gërshetore e 50 milion eurove shqiptare të Fazlliçit (të cilin pa dashje e kam sjellë në Shqipëri me BGR-in), studios avokatore Malltezi & Associates, administrimit nga kunati i Bashës Isufi i tre kompanive të Fazlliçit, marrëveshja VOIP e Meridianit të Fazlliçit me Bashën, kabllogramet për Gërdecin dhe Berishën junior dhe Bashën dhe 200 milion eurot e mangëta të Rrugës së Kombit etj. etj. Dhe nëse këto etj., etj., i di unë, i di edhe tjetërkush.

Ndoshta pikërisht kjo është thembra e Akilit, shpjegimi i “jo gentelman agrement-it” Rama/Basha dhe kundrimit pasiv të shkërmoqjes së PD-së. Me perspektivë kthimin e PD-së në manar të PS-së, të ngjashëm me manarin PR të ish PD-së.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: