Basha fiton me 91% të votave, kundërshtarët e thumbojnë

Basha fiton me 91% të votave, kundërshtarët e thumbojnë
Lulzim Basha është rikonfirmuar si kryetar partie me një fitore shumë të thellë mbi Eduard Selamin. Mesazhe falënderimi reciprok ndërmjet dy rivalëve, ndërsa Astrit Patozi denoncon farsën, Jozefina Topalli “kalin e Trojës” dhe Mesila Doda publikon poezinë e Olldashit. Dorëhiqet Tomor Alizoti, anëtar i Kryesisë

Lulzim Basha është shpallur zyrtarisht kryetar i Partisë Demokratike pasi ka fituar garën kundër Eduard Selamit, me 91% të votave.

Ndërsa në zgjedhje ishin thirrur mbi 100 mijë anëtarë të partisë, kanë votuar 59834 anëtarë.

Basha ka marrë 53931 vota ndërsa Selami 5136 vota. Të pavlefshme kanë dalë 767 vota.

“Pavarësisht se zgjedhjet ishin të pabarabarta, ky ishte një hap i rëndësishëm përpara”, ka bërë të ditur rivali i Bashës, Eduard Selami, i cili ka konfirmuar telefonatën me kryetarin e zgjedhur, të cilit i ka uruar fitoren.

“Vota e 60 mijë demokratëve konfirmoi dje se kauza jonë e zgjedhjeve të lira, e çlirimit të vendit nga droga, dhe kthimit të politikës tek qytetari, është kauza e drejtë e kohës”, deklaroi kryetari i porsazgjedhur, Lulzim Basha, i cili nuk harroi të falenderojë edhe rivalin Selami

Një ndër kundërshtarët e Bashës në PD, ish-nënkryetari Astrit Patozi, i ka cilësuar zgjedhjet si farsë dhe ka komentuar me ironi rezultatin tepër të thellë. “Urime Eduard!...I shkove shumë afër fitores... Lulzimin nuk ishte e nevojshme, sepse e kisha uruar mbrëmë”, shkruan Patozi në një status në Facebook. Gjatë ditës ai kishte denoncuar me pamje filmike edhe raste të votimit dy apo tre herë nga i njëjti person.

Një tjetër thumb ka lëshuar edhe ish-nënkryetarja tjetër e partisë, Jozefina Topalli. Ajo e ka cilësuar Bashën “Kali i Trojës në krye të PD” dhe ka denoncuar “Luftën e tij për të mbushur kutitë pasi demokratët e refuzuan me përçmim”.

Ndërsa ish-deputetja e PD-së, Mesila Doda, ka zgjedhur të publikojë poezinë me titull “Teatri i hijeve” të Sokol Olldashit, ish-kandidat për kryetar të PD-së katër vjet më parë, përballë Bashës.

Fitorja e Bashës solli edhe dorëheqjen e parë në Kryesinë e partisë. Anëtari i kësaj Kryesie, njëkohësisht drejtor i Departamentit të të Përndjekurve në Partinë Demokratike, Tomor Alizoti, ka dhënë dorëheqjen nga posti. Ai sqaron se dorëheqja është një akt i domosdoshëm, pasi i qëndron deklaratës së dhënë kohë më parë se Lulzim Basha është përgjegjësi kryesor i humbjes dramatike të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Duket se Alizoti ka pritur konfirmimin apo jo të Bashës në zgjedhjet për kryetar partie, përpara se të largohej nga të gjitha funksionet partiake. /a.a/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: