BETEJA E EDI RAMËS NDAJ EPIDEMISË SË KANABISIT- NGA ROLAND QAFOKU

BETEJA E EDI RAMËS NDAJ EPIDEMISË SË KANABISIT- NGA ROLAND QAFOKU
Nga Roland Qafoku

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

*** 

Vera e re në fuçinë e vjetër

 

Beteja e Edi Ramës ndaj epidemisë së kanabisit

Beteja e parë e mandatit të dytë të qeverisë “Rama” pritet të jetë shkatërrimi i kanabisit dhe heqja e Shqipërisë nga harta e drogës si vend origjine. Me plantacione pa fund të mbjella në të katër anët e vendit, me raporte kombëtare dhe ndërkombëtare që e cilësojnë Shqipërinë furnitoren numër një të Evropës me bimën jeshile me efekte çudibërëse, Edi Rama e ka patur gungë në kurriz çështjen e kanabisit për katër vjet me radhë dhe për të mos e patur të njëjtën gungë në kurriz edhe katër vjet të tjera, i duhet ta heqë që në fillim të këtij mandati.

Në fakt, edhe në fillim të mandatit të parë, Edi Rama e nisi punën po me luftën ndaj kanabisit. Aksioni spektakolar në Lazarat shënoi një nga anët më pozitive të punëve të qeverisë së tij dhe të Policisë së Shtetit, duke rritur akoma më shumë besimin që i dha masa e njerëzve në zgjedhjet parlamentare me 1 milionë vota. Kanabisi u zhduk nga Lazarati problematik dhe nga një ishull ku shteti nuk guxonte të hynte, ai u kthye në fshatin simbol se si bëhet shteti. Të gjithë prisnin që aksioni i Lazaratit të mbetej për vite e dekada model sesi luftohet droga kur shteti dëshiron ta luftojë, përkundër asaj që droga nuk luftohet kur shteti nuk dëshiron ta bëjë këtë.

Por shumë shpejt ndodhi çudia. Nga një Lazarat të vetëm në të gjithë Shqipërinë, pas vetëm një viti, ndodhi lazaratizimi i gjithë Shqipërisë. Si kurrë më parë, bima çudibërëse u përhap duke u mbjellë e kultivuar në të gjithë vendin, aq masivisht sa nuk besohej. Sipas një raporti të vitit 2016, theksohej se Shqipëria kishte 363 zona të mbjella me kanabis nga Jugu në Veri, një shifër që nuk është arritur asnjëherë me mbjelljen e një bime bujqësore. Pas korrjes së këtyre plantacioneve, lumi i kanabisit të presuar rrodhi pikave të kalimit të kufirit dhe mandej nëpër Evropë. Nga Italia dhe Greqia fqinje, po vinin çdo ditë lajme të kapjeve jo më sporadike, por të sasive që kurrë nuk ishin parë. Sipas të dhënave dhe llogarive, paralel me buxhetin vjetor të shtetit shqiptar prej 3 miliardë eurosh, në Shqipëri ka ekzistuar edhe një buxhet tjetër vjetor prej 2 miliardë eurosh që qarkullonte nga trafikantët e kanabisit. Dhe e gjitha kjo nën hundën e një shteti, për të cilin në fillim të mandatit ishte premtuar se do ishte më i forti që nga koha e Ismail Qemalit. Çfarë kishte ndodhur? A ishte faji i policisë që kishte lejuar kultivimin dhe rritjen e kanabisit? A e kishin fajin ca shefa komisariatesh që me historitë e tyre u kthyen në legjenda urbane deri në ato raste kur disa shkonin dhe numëronin vetë rrënjët e kanabisit në fushat e mbjella cep më cep Shqipërisë? As Edi Rama e as një njeri me intelekt mesatar nuk e beson këtë. Ajo nuk ishte mbjellje masive, ajo ishte një epidemi dhe Shqipëria për herë të parë në histori e ngjyrosi hartën e vet me jeshilen e kësaj bime. Vetë kryeministri nuk e pranonte situatën. Gati në çdo intervistë deklaronte se kjo që thuhet e shkruhet është pjesë e kazanit të medias dhe se opozita që ishte fajtore për Lazaratin, nuk kishte moralin ta zinte në gojë kanabisin.

Megjithatë, faktet vazhdonin të ishin më kokëfortë se kokëfortësia e kryeministrit. Kulmi arriti kur gjatë katër viteve në qeveri, Edi Rama nuk kreu as detyrimin kushtetues sipas të cilit duhet të raportonte një herë në vit për situatën e kanabisit në vend. Nuk ka vend të pyesësh përse-në e kësaj mungese. Çfarë të raportonte? Që Shqipëria ishte ngjyer me gjethen tre-fletëshe të gjelbër? Në fillim, as kryeministri Rama e as ministri I Brendshëm, Saimir Tahiri nuk e pranonin fenomenin. Nuk e pranonin as drejtorët e policisë, as deputetët dhe as mbështetësit e tyre. Por kur raportet e huaja nisën të deklarojnë se kjo situatë nuk mbante më dhe në media dolën fakte me zë, figurë, me plantacione të kanabisit dhe sidomos vrasjet për shkak të konkurrencës së plantacioneve, atëherë të gjithë morën kthesën. Por tashmë e keqja kishte ndodhur.

Vetëm gjashtë muaj përpara fushatës elektorale, një raport edhe më i frikshëm u bë publik në media. Ndonëse ishte sekret, opinioni mësoi se sipas të dhënave të grumbulluara nga SHISH-i, në muajin janar ishin futur në Shqipëri 21 tonë farë kanabis. Nuk ishte thjesht kulmi. Ishte helmimi i Shqipërisë dhe dështimi i shtetit. Duket se këtu nisi kthesa e qeverisë “Rama”. Pas largimit të ministrit Saimir Tahiri, pasardhësi i tij Fatmir Xhafaj largoi nga detyra 29 drejtorë policie, për të cilët jo vetëm nuk u tha asnjë fjalë pozitive, por me arsyetimin zyrtar se ata u larguan për “garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; luftën kundër trafikut të drogës dhe veçanërisht kultivimit të kanabisit; luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme”; në një farë mënyre u etiketuan si përgjegjës për situatën. Për të arritur pak ditë më parë, kur drejtori i Drejtorisë së Rendit në Policinë e Shtetit, Albetrt Dervishaj, deklaroi në emisionin “Debati në Channel One” se aktualisht në Shqipëri ka sasi shumë të pakta të parcelave të mbjella me kanabis. Që natyrisht është një arritje jo e vogël e policisë, por më shumë se kaq, tregon se kur qeveria ka vullnetin për ta shkatërruar këtë epidemi, ajo realizohet. Prandaj edhe kryeministri Rama ka arsye ta shpallë 4-vjeçarin si sfidën e tij për luftën ndaj kanabisit. Edhe pse katër vitet e para, as e pranoi fenomenin e as nuk kërkoi falje. E rëndësishme është që kanabisi të mos jetë më simboli ynë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: