Debati i ashpër Basha-Selami në Shkodër, ja replikat midis tyre

Debati i ashpër Basha-Selami në Shkodër, ja replikat midis tyre
Lulzim Basha dhe Eduart Selami, dy kandidatët për kryetar të PD-së në zgjedhjet e 22 korrikut, për herë të tretë mes tyre janë përballur drejtpërdrejtë në Shkodër. Përballja ka qenë me dyer të mbyllura dhe mes dy kandidatëve ka pasur edhe një debat.

Selami e ka akuzuar kundërshtarin e tij se i ka hequr figurat e njohura të kësaj partie vetëm se e kanë kundërshtuar atë.

“Basha ka shkelur statutin. S’ka asnjë të drejtë të vendosë Basha se kush i vlen dhe kush jo Partisë Demokratike. Ky është gabimi që bëri Basha. Për Topallin duhej të vendosnit ju anëtarët nëse do të ishte apo jo në listë. Për Bashën kush del kundër tij është tradhëtar i futur nga Edi Rama, kjo është gabim”,  ka thënë Selami përpara mbështetësve demokrat

Në replikë Basha, ka akuzuar se Selamin se ashtu si disa analiste edhe ai e ka inat Partinë Demokratike.

“Mos dëgjo Andi Bushatin. Edhe ti edhe ai e keni inat Partinë Demokratike,  por ti për arsye të tjera. Nuk bie dakord me parashtrimin. U akuzova por kopje të zbehtë autoritare dhe me siguri e ke fjalën për Sali Berishën. Nuk kam asnjë tipar me Sali Berishën sepse nuk ka asnjë njeri tjetër kockën e Sali Berishës. Akuzat s’mund t’i pranoj sepse po të ishit me mua do kishit sakrifikuar dhe pas zgjedhjeve, do kishit thënë që është radha jone dhe do kisha ikur. S’kam hequr kënd sepse të jesh demokrat s’do thotë të jesh deputet” mësohet të ketë thënë Basha.

Më ironi Selami i ka kujtuar Bashës se ai është një kryetar i vetëngrirë, ndërsa sipas tij   edhe para 4 vitesh Basha ka thënë  te njëjtat gjëra, por kur është hasur me kritika i ka përjashtuar nga të gjitha forumet.

“Pse duhet të besojmë ty sepse edhe para 4 vitesh na the një anëtar një votë dhe kur kundërshtuam na hoqe nga Këshilli Kombëtar dhe nga listat. Si mund t’i besojmë edhe njerëzve tuaj kur këta i ke zgjedhur ti ”, është shprehur Selami.

Në përfundim të debatit të tensionuar Selami e Basha kanë folur për mediat.

 Basha: Nuk kam asnjë përgjigje për emrat e përveçëm

Gazetari: I quajtët bllokmenë

Basha: Kjo nuk është e vërtetë, ky është mashtrim nga ata që i shërbejnë Edi Ramës. Këto janë mashtrime në bllok nga ata që i shërbejnë përçarjes së PD. Mos cito duke qenë jashtë kontekstit.

Selami: I thashë dhe demokratëve, hajde të hyjmë në perëndim ti masim punët me rezultate. Zoti Basha ka dështuar dy herë, modeli im është modeli i fitores. të largohemi nga modeli që shqiptarët refuzuan. Jam i bindur se në 22 korrik modeli im do të fitojë sepse është modeli që jo vetëm do të sjellë PD por do ta kthejë Shqipërinë në historinë e madhe të suksesit të shek XXI.

/f.ç/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: