DISIDENCA E LUFTËS SË TRETË-NGA FRROK ÇUPI

DISIDENCA E LUFTËS SË TRETË-NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në qoftë se gjithë pushteti do të grumbullohet në një dorë, atëherë duhet menduar menjëherë për Disidencën. Jo se cilët do të jenë disidentët, por se sa mund të akomodohet disidenca në këtë ‘shekull’ ku disidencat janë tejkaluar…

Aktualisht ndodhemi para ‘furtunës’ së pushteteve të përqendruar në një dorë: Pritet që dy partitë ku aderojnë shqiptarët kryesisht, të bëhen së bashku në një qeveri. Partia Socialiste që sapo ka fituar “gjithë fuqinë” legjislative dhe ekzekutive, të marrë nën sqetull Partinë Demokratike që ka fituar aq pak sa që po konsiderohet jo 'e sëmura e Bosforit', por 'e sëmura e 2017'.

Sot, më në fund, edhe një eksponent i qeverisë së mëparshme, ka deklaruar se shikon një qeveri të kompozuar mes PS dhe PD. Ylli Manjani që bëri deklaratën nuk është veç një ministër dhe eksponent i LSI, por është një statist që e ndien më shpejt 'reumatizmin' në kockat e shtetit. Por kjo është e fundit. Fillimisht projekti i qeverisë ‘së të gjithë pushteteve” ishte bërë në periudhën e Çadrës, 18 shkurt- 18 maj 2017. (Shiko farë koincidence edhe me datat fikse). Dita e fundit e Çadrës nxori prej saj një krijesë hermafrodite - qeverinë mes humbësit dhe fitimtarit të 'Vaterlosë', Napoleonit të fundit të Republikës së Parë - dhe Socialistëve shqiptarë të themeluar që herët në shekullin e kaluar. Interesant, edhe data e Vaterlosë ishte 18 (qershor, si shkurt dhe maj), edhe ajo ishte e shtunë në mëngjes- njësoj si në Tiranë.

Të humburit nuk nxorën dëshmorë nga Çadra, nxorën tetë ministra dhe pak drejtorë të fuqishëm, por të kastruar. Që në atë moment u tha se kjo formulë qeverisjeje do të funksionojë edhe pas zgjedhjeve, pavarësisht nga rezultati. Pra kjo qeveria 'e të gjitha pushteteve' që do të krijohet së shpejti

Veç një gjë nuk u kalkulua suksesshëm: Demokratët e PD, kur panë se po lindnin një krijesë pa formë, atëherë refuzuan, nuk shkuan në “luftë”- duke e braktisur komandën e ushtrisë së vet, d.m.th., lidershipin e PD. Kjo ushtri demokratësh nuk i shkon kurrë më pas udhëheqjes së vet, çfarëdo lufte të bëjë. Ajo çfarë nuk u kalkulua mirë, ishte veç një gjë: Që PS të mos fitonte kaq shumë! Me kaq shumë deputetë sa ka marrë PS, tani e ka të vështirë të bëjë alibinë pse ‘duhet ta ndërtojë qeverinë me pushtete të përbashkëta me humbësin… Alibinë mund ta gjejë lehtësisht përmes një mekanizmi propagandisitik ose parlamentar, por me këtë rast vetë PS do të humbë një pjesë të ushtrisë së vet që do t’i kthejë kurrizin lidershipit socialist me arsyetimin “pse na fute në një tepsi me Demokratët”.

Qeveria 'e të gjitha pushteteve' do të prodhojë disidencën ‘e Tretë”; edhe kjo - një krijesë hermafrodite më vete, sepse bota nuk është në periudhë disidencash. Ushtria e PD-së prej rreth 200 mijë votuesish (deri më sot) plus ushtria që do të dalë nga pakënaqësia Brenda PS, do të formojnë një Disidencë ndoshta më të rëndë se vetë ‘klasa’ e kënaqur me pushtetet... Sigurisht që do të jetë ndryshe nga disidenca e Luftës së Parë dhe e Luftës së Dytë, sepse do të jetë e hapur, jo në ilegalitet, jo në burgje- ndoshta.

Në burgje do të hidhet elita e disidencave. Disidenca e Demokratëve e ka shfaqur elitën e vet. Në PD ka nisur lufta për “zgjedhje të lira e të ndershme” brenda radhëve të PD. Kryetari i PD, i cili mban përgjegjësinë e plotë (ndoshta edhe meritën e një arkitekti të vetëdijshëm) për humbjen në votime, për herë të Tretë, nuk zbaton parimin demokratik të dorëheqjes. Përveç kësaj po manipulon zgjedhjen e kryetarit, në sy të të gjithëve. Pala përballë që kundërshton “qeveri të të gjithë pushteteve”, shumë shpejt do të vihet në “turrën e druve”. Qeveria socialiste po ndihmon ‘qeverinë’ e PD që të sulmojë shtetërisht disidentët Demokratë, duke nisur që nga zonja Topalli - te kandidati Patozi. Deri më sot është angazhuar një ushtri e vogël ‘dëshmitarësh’ si në komunizëm që 'ua kanë parë b... disidentëve' dhe po deklarohen se “ua kemi parë një herë”. Ndaj Eduard Selamit u gjet një dëshmi 'krimi' nga një burg se ky paska shkruar dikur një studim mbi estetikën e Enver Hoxhës!... Për Patozin po kërkojnë në lokalet e lodrave të fatit se mbase ka qenë ndonjë natë. Do të hapin edhe dosjet e babait të tij i cili nuk ka qenë me PD që kur kishte lindur… Me një fjalë ka nisur lufta PS+PD kundër disidentëve të PD. Por luftë e “të gjitha pushteteve” kundër Disidencës.

'Të gjitha pushtetet' të përqendruara në një qeveri do të krijojnë “republikën e re”; por 'e re' n ë kuptimin totalitar. Kryetari i PD kur proklamoi Republikën e re ishte sinqertë me publikun, se vërtet mund të jetë një Republikë “e re”, d.m.th., me të gjitha pushtetet të përqendruara në një dorë. Deri tani kishim Republikën me tre pushtete të balancuara e të pavarura te njëra tjetra; sot e tutje jo më… Atëherë individi dhe disidentët do të jenë “në hell”. Pushteti i Drejtësisë do të funksionojë për të burgosur kundërshtarët dhe jo shkelësit e ligjit, vrasësit, trafikantët, hajdutët, banditët, të korruptuarit etj., që janë prodhuar me shumicë gjatë viteve të fundit. Kjo pjesë e disidencës që guxon të dalë kundër qeverisë së përbashkët, vërtet mund të dënohet në burg, por si “e korruptuar”. Ndërsa të korruptuarit do të qeverisin. Kësaj here disidenca do të ketë një ndryshim me disidencën që doli pas Luftës së Dytë: Pas Luftës së Dytë, perëndimi ishte në favor të disidencës antikomuniste; ndërsa tani Perëndimi do të jetë në krah të qeverisë së 'të gjitha pushteteve'. Raportimet në Uashington, Bruksel, Paris e Berlin…, do të shkojnë se “po zbatohet reforma perëndimore në Drejtësi” që 'po triumfon' mbi armiqtë e klasës… Qeveria e të gjitha pushteteve do të kthejë së prapthi historinë politike.

Me qeverinë e 'të gjitha pushteteve' do të ketë edhe një kalkulim që deri më sot po del i pasaktë: Do të kalkulohet Opozita Parlamentare që do të thotë “disidencë e dëshiruar”. Deri më sot janë identifikuar vetëm 19 deputetë të LSI; por që janë 19 kundër 122 të tjerëve, kaq pak. Në përrallën e Ujkut me gjahun e vet që ulërinte, ujku i tha “as më intereson sa ulërin ti, jam mësuar më kaq ulërimë!”. Pra 'ulërimat' e LSI do të jenë një zë i mekur në shkretëtirë. Deri këtu kalkulimi është i saktë, se edhe me kaq pak deputetë, qeveria e 'gjithë pushteteve', mund t’i thotë Botës se ‘kam opozitë parlamentare”. Por kalkulimi që vërtitet si një fantazmë se “qeveria e të gjithëve” do të shkarkojë presidentin e Republikës që i përket LSI-së kundërshtare, si mund të funksionojë? Po fantazma se ‘do të burgosim presidentin e zgjedhur”, vallë si do të pritet?... Bota nuk është aq e gatshme sa ta pranojë këtë lloj “Republike’ dhe disidence në shekullin tonë…

Dy disidencat e para kaluan në mesin dhe fundin e shekullit të kaluar. Disidenca e Parë ishte ajo e mesit të shekullit kur u vendos diktatura; dhe e Dyta në fund të shekullit, kur u godit diktatura komuniste.

Tani po prodhohet Disidenca e Luftës së Tretë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: