FITORJA E HIDHUR E LULZIM BASHËS- OPINION NGA ROLAND QAFOKU

FITORJA E HIDHUR E LULZIM BASHËS- OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Ashtu siç pritej, Lulzim Basha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike për një mandat të dytë katërvjeçar. Por ndryshe nga para katër vjetësh kur ylli në ngjitje i politikës shqiptare ngjalli shpresën se do ishte ai pikërisht njeriu që do të ringrinte PD-në pas humbjes dhe largimit të Sali Berishës, kjo fitore nuk i shijon as atyre që e votuan, por as edhe Bashës vetë. Edhe pse mori 53.931 vota, ose 91.3 për qind të votuesve, kundrejt Eduard Selamit që mori 5.136 vota ose 8.7 për qind të votuesve, kjo është një fitore që ka shije të hidhur për disa arsye të forta.

Së pari. Zgjedhja për herë të dytë si kryetar vjen pas një disfate të thellë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 qershorit që e ka çuar këtë parti në pikën e saj më të ulet në këto 27 vjet. Pra, të humbasësh zgjedhjet parlamentare me 200 mijë vota më pak se rezultati më i dobët i PD në 9 zgjedhje parlamentare të zhvilluara pas rrëzimit të komunizmit dhe të fitosh me 91.3 për qind të votave ndaj Eduard Selamit, jo vetëm që nuk vlen, por për shumë kohë Basha duhet të ndjehet i turpëruar dhe i përulur ndaj anëtarësisë që i dha besimin për herën e parë dhe për herën e dytë.

Së dyti. Në këto zgjedhje votuan 59 mijë e 766 anëtarë nga 103 mijë anëtarë që ka gjithsej Partia Demokratike, pra pak më shumë se gjysma e anëtarësisë saj. Kjo shifër ka një domethënie të fortë që gjysma e anëtarëve dhe militanëve të PD e ka abandonuar Lulzim Bashën duke treguar një distancim jo të vogël ndaj tij.

Së treti. Lulzim Basha tregoi në katër vite që shkuan se nuk arriti të bashkojë të gjithë demokratët siç premtoi publikisht. Partia është më e përçarë se kurrë. Anëtarësia është e hallakatur mes të vjetërve që nuk e duan Bashën, por nuk dinë si ta largojnë atë, dhe të rinjve që morën një zhgënjim të madh me sjelljen e tij ndaj tyre. Prandaj, Basha ka përpara detyrën e madhe të bashkimit dhe kthimit të besimit te Partia Demokratike. Të vjetër dhe të rinj, bashkëpunëtorë apo kundërshtarë, për Bashën duhet të jenë bashkë dhe, që ai ta arrijë këtë, duhet të bëjë sforco të ndershme, duke qenë i qartë dhe i hapur, dhe jo duke u thënë të gjithëve fjalën e mirë dhe në fakt ajo rezulton të ketë qenë fjalë e keqe dhe zhgënjyese.

Së katërti. Në këto zgjedhje shpërtheu për herë të parë një lëvizje pikërisht për mënyrën se si po zhvillohen ato. Dhe përfaqësues të kësaj lëvizjeje nuk janë emra dosido, por kontribuues historikë të Partisë Demokratike. Natyrisht, Basha ka të drejtë të thotë për disa prej tyre që “kanë humbur rrugën” duke u nxjerrë edhe milionat që kanë vënë pa të drejtë. Por nuk mund ta thotë këtë për Besnik Mustafajn, Jozefina Topallin, Astrit Patozin e ndonjë tjetër, të cilët, përveçse e duan PD, nuk kanë patur dhe nuk kanë interesa të tjera. Çfarë bëri dhe çfarë do të bëjë Basha me ata? T’i largojë edhe më nga PD-ja? Pikërisht këtu do të tregohet aftësia dhe vizioni i tij si lider. Me fraza nënkuptimore apo me inspirime ndaj disave për t’u nxjerrë të palarat, kurrë Basha nuk ka për të qenë bashkues, por ndarës, dhe kjo lëvizje do t’i sjellë atij jo pak andralla.

Së pesti. Lulzim Basha pritet të jetë përballë një qeverie që me 74 mandate do të qeverisë plot serbes edhe 4 vite, po aq sa mandati i Bashës në krye të PD. I paprovuar në një situatë të tillë, Lulzim Bashës i duhet të ketë një strategji të qartë të opozitarizmit dhe jo si katër vitet e shkuara, në të cilën gjithsej bëri vetëm 7 protesta në rrugë dhe qindra deklarata nga foltorja e selisë me konkurrencën se cila apo cili “star” i lexonte dhe jo se çfarë lexonin.

Së gjashti. Për herë të parë Bashës i duhet të përballet vetë në sallën e Kuvendit si kryetar i PD, një sport që deri tani e ka bërë nga foltorja e selisë dhe jo në mejdanin politik. Nga dashuria e madhe e 18 majit me Edi Ramën, Bashës i duhet të përplaset face to face me të në sallën e Kuvendit, duke treguar dinjitet, karakter, por edhe elokuencë me mendim, që në shumë raste i ka munguar.

Së shtati. Beteja politike e radhës janë zgjedhjet lokale të vitit 2019. Për Lulzim Bashën ajo pritet të jetë prova e fortë në politikë nëse do të sjellë optimizëm, besim dhe tendencë për të fituar zgjedhjet e vitit 2021 apo disfatë dhe zhgënjim të përsëritur. Janë afro 500 ditë përpara dhe në këtë periudhë Lulzim Basha është në provën e madhe reale. Ndoshta, ndoshta edhe në provën e fundit.

Së teti. Lulzim Basha është në provën e madhe të fjalës së mbajtur, një cilësi që nuk e ka kultivuar aq sa duhet deri më sot në politikë. Psikologia Denada Toçe ka lënë një thënie unikale duke iu drejtuar Bashës në një takim me intelektualët që ai bëri disa muaj më parë në hotel “Plazza”: Ju lutem zoti Basha, mos premtoni 10 gjëra dhe realizoni 1. Ju lutem, premtoni vetëm 1 dhe realizoni po 1.

Pra, Lulzim Bashës i duhet të bëjë një sforco të madhe të ndryshojë për mirë këtë cilësi. Jo vetëm të ngjallë besim, por të krijojë një imazh krejt tjetër për njeriun që do të drejtojë PD-në edhe 4 vite.

Së nënti. Lulzim Basha i ka shoqëruar këto katër vite në opozitë me një dilemë ndaj LSI-së. Me një fushatë elektorale të 25 qershorit që më shumë i drejtoi shigjetat ndaj kësaj force, Basha më shumë e bëri lëmsh opozitën ndaj qeverisë se sa e bashkoi atë. Ndodhur në këtë situatë, ku PD dhe LSI janë në opozitë, por jo në aleancë, Basha ka detyrimin të bashkojë forcat dhe të unifikohet kundër qeverisë dhe jo të sjellë copëzime dhe përçarje, sepse kështu nuk vjen kurrë në pushtet.

Së dhjeti. Lulzim Basha ka humbur betejën edhe me median. Kjo u pa edhe në konferencën e fundit për shtyp që ai zhvilloi pas fitores si kryetar. Me praninë e gazetarëve, por që nuk i lejoi t’i drejtonin pyetje, Basha tregoi edhe një herë kompleksin që ai ka në vetvete ndaj medias dhe gazetarëve dhe këtë e ka manifestuar vazhdimisht në këto katër vite. Aspak i hapur dhe kaotik, Basha ka treguar edhe selektim ndaj televizioneve, gazetave dhe gazetarëve deri atje sa të tregojë nëse i pëlqen apo jo pyetja që i bëhet. A është normale për dikë që aspiron të jetë kryeministër të ketë frikë nga pyetjet?

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: