Frikë se mund të lirohet në Shqipëri, Britania ndal ekstradimin e grabitësit të 53 mln paundëve

Frikë se mund të lirohet në Shqipëri, Britania ndal ekstradimin e grabitësit të 53 mln paundëve
Një grabitës shqiptar, 35 vjeç, i burgosur për bastisjen e dytë më të madhe në botë, ka kërkuar ta përfundojë dënimin në vendin e tij.

Jetmir Bucpapa ishte pjesë e një bande të burgosur mbi grabitjen e depos “Securitas”.

Ai po vuan dënimin 30-vjeçar në një burg britanik, por dëshiron të kthehet në Shqipëri.

Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar kanë refuzuar kërkesën nga frika se ai në Shqipëri do të marrë një lirim më të shpejtë.

Gjyqtari i Gjykatës së Lartë do të vendosë nëse ai po trajtohet padrejtësisht, siç pretendon shqiptari.

Grabitësi i “Securitas”, Jetmir Bucpapa dëshiron të shërbejë pjesën tjetër të burgut në vendin e tij amëtar - por autoritetet britanike refuzojnë ta transferojnë atë për shkak të frikës se ai në Shqipëri do të lirohet më herët.

Grabitësi shqiptar është burgosur për vjedhjen më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë në Britani.

Jetmir Bucpapa, 35- vjeç, ishte një nga katër të burgosurit më 2008 për bastisjen famëkeqe prej 53 milionë paundësh në depot e një qendre “Securitas” në Tonbridge, Kent.

Stafi u mbyll, një fëmijë u rrëmbye dhe me anë të kërcënimeve  banda u largua me paratë.

Pas bastisjes në Bankën Qendrore të Irakut gjatë bombardimeve, kjo është vjedhja e dytë më e madhe e ndodhur ndonjëherë në botë.

Bucpapa u burgos për 30 vjet, ndërsa 30 milionë paund të parave të vjedhura ende nuk janë gjetur.

Tani ai po kërkon në Gjykatën e Lartë për t’u transferuar në një burg shqiptar për të qenë më afër familjes së tij.

Duke refuzuar transferimin e tij, ish Sekretari i Drejtësisë, Liz Truss, tha se fakti që ai mund të dalë pothuajse për katër vjet në Shqipërisë dhe nga ana tjetër paratë nuk janë gjetur, justifikojnë mbajtjen e tij në një burg të Mbretërisë së Bashkuar.

“Bucpapa ishte pjesë e një bande që kishin kryer një grabitje të madhe por jo të gjithë anëtarët ishin kapur, ” tha avokati i qeverisë Christopher Knight.

“Sekretari i Shtetit ka të drejtë të marrë parasysh faktin se ekziston rreziku që ai mund të përfitojë nga këto para,” tha ai.

Por avokatët e Bucpapa thonë se refuzimi është i gabuar sepse është në kundërshtim me çdo rast tjetër që përfshin një të burgosur shqiptar që dëshiron të shkojë në shtëpi.

“Nga 17 raste të mëparshme, disa prej tyre kanë qenë vrasës brutalë, ndërsa asnjërit prej tyre nuk i ishte refuzuar transferimi në një burg të vendit të tij,” - tha Philip Havers.

“Ai e ndjen se, në rastin aktual, është trajtuar padrejtësisht,” tha Havers gjyqtarit Martin McKenna.

Gjyqtari tani ka rezervuar vendimin e tij dhe do të japë vendimin në një datë të mëvonshme.

/Artikulli e foto marrë nga daily mail/ /a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: